Kalaja e Durrësit i nënshtrohet restaurimit pas tërmetit në vitin 2019

Aktualisht janë duke u kryer disa punime konservuese dhe përforcuese në “Kullën C” në Kalanë e Durrësit. Po ashtu, janë kryer një seri analizash të cilat ndihmojnë të përcaktohen ndërhyrjet konservuese të cilat janë duke u zbatuar, duke filluar me konsolidimin dhe riparimin e murit të themeleve duke përdorur teknika tradicionale.

Tërmeti i nëntorit shkaktoi shembjen e një pjese të mureve.

Disa monumente në Shqipëri ishin dëmtuar si pasojë e tërmetit në nëntor të 2019-s. Mes tyre i rëndë është dëmi që iu shkaktua Kalasë së Durrësit. Pas disa muajve një grup i restauruesve janë duke punuar në restaurimin e këtij objekti të rëndësishëm kulturor. Është bërë e ditur se ky është vetëm fillimi i ndërhyrjeve dhe se të tjera po ashtu të rëndësishme do të realizohen ditëve në vazhdim.

Ka qenë selia në Shqipëri e organizatës joqeveritare, “CHwB” (Trashëgimia Kulturore pa Kufij) që ka bërë të ditur se aktualisht janë duke u kryer punime konservuese dhe përforcuese në “Kullën C” në Kalanë e Durrësit.

Sipas njoftimit të publikuar në ueb-faqen e tyre është bërë e ditur se ky projekt u nis me mbështetjen financiare të Fondit të Ambasadorit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, mbështetjes shkencore të Fondit Botëror të Monumenteve, dhe Ministrisë të Kulturës, me qëllim adresimin e shembjes pjesore të kullës, shkaktuar nga tërmeti i nëntorit 2019.

“Deri tani ne kemi zbatuar stabilizimin emergjent me qëllim parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme në monument. Gjithashtu, kemi kryer një seri analizash të cilat na ndihmojnë të përcaktojmë ndërhyrjet konservuese, të cilat jemi duke i zbatuar, duke filluar me konsolidimin dhe riparimin e murit të themeleve duke përdorur teknika tradicionale”, është shkruar në njoftim.

Kalasë së Durrësit i ishin shembur një pjesë e mureve. Monumenti që ishte ndërtuar nga perandori bizantin Anastasi në shekullin VI, përbëhet nga dy pjesë: Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme. Në historinë e monumentit si një rast tjetër ku ishte dëmtuar shumë daton tërmeti i vitit 1273 për t’u rinovuar prapë. Muret e objektit janë të larta 4,6 metra.

Krahas viktimave, dëmeve materiale që kanë lënë shumë familje pa strehë, tërmeti në nëntor kishte shkaktuar dëme edhe në disa prej monumenteve të Shqipërisë. Kalaja e Durrësit, ajo e Prezës afër Tiranës e ajo e Krujës, sipas raportimeve kishin dalë të jenë më të dëmtuarat. Edhe në këto dy kala kishte nisur restaurimi i cili tashmë ka përfunduar me sukses.

Lëkundjet e fuqishme të tokës nuk janë të panjohura për bregdetin shqiptar. Në historinë mijëravjeçare në analet e historisë ruhen të kronikuara vetëm tri tërmete. Sipas burimeve historike, tërmeti i parë përkon me vizitën e Ciceronit në Durrës kah mesi i shekullit të parë para erës sonë. Disa shekuj më vonë, përkatësisht në vitin 345, një tërmet tjetër do të shkundullonte sërish portin më të njohur të Adriatikut. / KultPlus.com

Specialistët: Restaurim, pa dëmtuar monumentin

  

Pas rrëzimit të mureve të kalasë së Durrësit, nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, specialistët e trashëgimisë po studiojnë arsyet e këtij dëmtimi. Pirro Thomo, Gjerak Karaiskaj, inxhinier-gjeolog Skënder Allkja dhe konstruktori Arben Dervishi, flasin për punën që janë duke bërë, para se të hartojnë projektin e restaurimit të kullës C.


Kulla C e kalasë së Durrësit, e ndërtuar në shekullin V-VI nga perandori Anastas I, gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019, pësoi dëme të mëdha. Pesë muaj pas tërmetit, specialistët e trashëgimisë, përmes mbështetjes së qeverisë suedeze, nisën punën në terren për zhvendosjen e blloqeve që kanë rënë, edhe për të evidentuar shkaqet e këtij dëmi. Këto do të çojnë në hartimin e një plani studimor, e më tej të një projekti, që do të shërbejë për restaurimin e kalasë. Restauratori Pirro Thomo na shpjegon punën parapërgatitore, që janë duke bërë në terren.

“Tërmeti i 26 nëntorit solli dëmtime dhe në monumente. Por, këtu dëmtimi është shumë i madh, jo si në kullat e tjera. Ne akoma nuk kemi bërë projektin, sepse duam që të dimë, se përse erdhi kjo gjë? Masat që po marrim janë për të bërë studimin historik me profesor Gjerak Karaiskaj, që është eksperti më i mirë i kalave, që përcakton dhe fazat e ndryshme të ndërtimit të kalasë. Kemi anën studimore, që përfshin rrethimin e objektit, largimin e blloqeve, dokumentimin e blloqeve që kanë rënë. Heqjen e bimësisë, edhe pastaj do fillojmë studimet gjeologjike, që bashkohen me studimet arkeologjike”, rrëfen për mediet, profesor Pirro Thomo.

Një ndër njohësit e paktë të fortifikimeve në Shqipëri, Gjerak Karaiskaj rrëfen tre epokat e rindërtimit të kalasë; bizantine, anzhuine edhe otomane.

Këtu jemi para një gjendje katastrofike, sepse njëra nga pak kullat që ruheshin nga periudha e Anastasit është rrëzuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Nga rënia e blloqeve kanë dalë në pah edhe disa faza, që s’kanë qenë të dukshme. Kjo kullë ka rënë në tërmetin e vitit 1275, edhe pasi ka rënë është ndërtuar një mur, që nuk lidhej me murin tjetër të periudhës së Anastasit, por vetëm sa mbështetej atje, pa ndjekur komplet themelet e dikurshme. Linja e kullës së vjetër është jashtë kullës së periudhës së mëvonshme. Gjatë ndërtimit të këtij muri, që duhet të jetë ndërtuar nga anzhuinët, nuk u shfrytëzua themeli i vjetër, por është ruajtur forma, edhe pse ka një formë deformimi. Ka një farë habie, se përse nuk janë shfrytëzuar themelet e vjetra?”, shprehet, profesor Karaiskaj.

Pyetjes, se përse ka rënë kjo kullë edhe nuk ranë kullat e tjera, Karaiskaj i përgjigjet se:

“Kjo ka rënë, sepse muri anzhuin nuk ka qenë i lidhur me murin e periudhës bizantine, por vetëm sa mbështetej atje. Themeli i murit anzhuin është më i cekët, sesa ai më parë. Teknikat e ndërtimit janë të ndryshme, e para me tulla, e dyta me gurë. Ndërsa, arsye tjetër është edhe bimësia, që ka përcaktuar ndarjen, pjesën e murit që do të binte. Edhe ajo që është më kryesoja është që poshtë murit ballorë, që do të binte nuk ka themel. Ajo që është kryesorja është që poshtë murit ballorë që ka qenë, nuk ka themele, se përse këtë do ta shikojmë? Nëse është përdorur për ndonjë arsye apo ka ndonjë zhytje të themelit? Kjo është dhe arsyeja kryesore e rënies së kullës, ndërsa këto të tjerat kanë ndihmuar”, thotë Karaiskaj.

Inxhinier gjeologu Skënder Allkja na tregon se si do të studioi nëntokën e kullës C të kalasë së Durrësit.

“Ne jemi këtu për të studiuar nëntokën. Durrësi dihet se ka depozitime të dobëta, por me kalimin e kohës mund të ketë pësuar ndonjë cedim që nuk është vrenjtur, edhe tërmeti ka bërë që të rrëzohej, por mund të jetë edhe një fenomen i lëngëzimit. Kjo do të thotë që nga tërmeti është lëngëzuar dhe strukturat pësojnë ulje. Para restaurimit do të bëjmë kontrollin e nëntokës deri në një thellësi 25 metra, që të llogaritet themeli edhe të ruhen muret historike”, shpjegon gjeologu Allkja.

Konstruktori Arben Dervishi i konsideron delikate ndërhyrjet në monumentet e kulturës, prandaj ai shprehet se puna që do të bëhet në vijim, duhet bërë në mënyrë që të ruhet autenciteti gjatë projektit të ndërhyrjes.

“Fillimisht do merrmi me problematikat e provave, që duhet bërë në këtë objekt, pa bërë shkatërrime, por për të dhënë karakteristikat që të japim planin e përforcimeve të përkohshme. Objekti ka një çarje, që në rastin e një tërmeti (se dimë nëse do të ndodhë apo jo) të mundshëm mund të na i agravojë situatën. Fillimisht do të bëjmë përforcimet edhe do vendosim aparatura për të parë nëse kjo strukturë ka lëvizje të mëtejshme, edhe pasi të marrim të gjitha këto karakteristika do të japim edhe metodën se si do ta kthejmë në gjendje fillestare. Situata është pak e rëndë, por ne do ta gjejmë mënyrën që ta përforcojmë pa i prishur integritetin e monumentit të kulturës”, shprehet Dervishi.

Faza e parë studimore është 20 mijë euro, bashkë me hartimin e projektit do të shkojë 40 mijë euro. Shumë kjo e financuar nga qeveria suedeze, përmes organizatës suedeze jofitimprurëse Trashëgimia Kulturore pa Kufij (Cultural Heritage without Borders [CHwB]). / KultPlus.com

U dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit, nis puna për pastrimin e kullës C në kalanë e Durrësit

 Në një nga kullat fortifikuese të kalasë së Durrësit, kulla C, ka filluar puna për pastrimin e saj, pas dëmtimit të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

CHwB Albania bën të ditur se “hap pas hapi, punimet e pastrimit rreth fragmenteve të Kullës C në Durrës kanë filluar. Dhe historia ka shumë për të na ofruar. Një prej pjesëve të gjetura gjatë punimeve është verifikuar nga prof. Gjerak Karaiskaj dhe prof. Pirro Thomo se përmban një vulë të perandorit Anastas, duke lidhur direkt pjesë të murit me periudhën e mbretërimit të Anastasit (491-518)”.

“Stabilizimi emergjent i kullës C është një nga hapat e parë në rikuperimin e saj pas tërmetit. Kemi një rrugë të gjatë përpara nesh, dhe shumë pyetje për t’iu përgjigjur. Ne premtojmë që përveçse të stabilizojmë këtë strukturë të vlefshme, të mbledhim sa më shumë histori për sundimtarët, perandorët, njerëzit që ndërtuan kullën, njerëzit që jetojnë rreth saj, pikëpamjet tuaja për mënyrën si duhet të ruhet kjo kullë dhe si t’i lidhim ato në një interpretim për t’i mbajtur të gjithë atje ta shijojnë për orë të tëra”, thekson CHwB Albania.

Ky projekt mbështetet nga ambasada e Suedisë në Tiranë në partneritet me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Kalaja është e lashtë sa vetë qyteti i Durrësit. Gjatë shekujve ajo është prishur dhe rindërtuar disa herë. Muret rrethuese të Durrësit në pjesën e tyre kryesore i përkasin periudhës së perandorit Anastas (491-518) me origjinë nga ky qytet dhe përbëhen nga dy pjesë kryesore: Akropoli ose Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme. Riparime të mureve janë kryer që prej tërmetit shkatërrimtar të vitit 1273.

Muret mesjetare aktualisht rreth 4,6 metra në lartësi dhe tri hyrjet e disa prej kullave të fortifikimit janë ruajtur në gati një të tretën e gjatësisë fillestare të qytetit kala.

Lëkundjet e tërmetit të rëna në 26 nëntor nuk kanë kursyer as monumentet e kulturës, të cilat datojnë prej shekujsh. / Atsh / KultPlus.com

“Tërmeti që s’shemb Kalaja”

Qendrim Badalli

Shqipëria është goditur nga një tërmet i fuqishëm i cili ka lënë 50 persona të vdekur dhe qindra të lënduar. Ky tërmet bëri që të shpallet edhe gjendje e jashtëzakonshme teksa ekipe të ndryshme shpëtimi nga Kosova dhe vendet e rajoni qëndruan në Shqipëri, në përpjekje për ta tejkaluar sa më lehtë këtë sfidë. Në vazhdën e dëmeve të mëdha, janë regjistruar edhe dy monumentet kulturore dhe historike: Kalaja e Durrësit dhe ajo e Krujës.

Si Kalaja e Durrësit ashtu edhe ajo e Krujës janë shembur fizikisht dhe vetëm fizikisht, sepse ato përfaqësojnë histori dhe kulturë e cila nuk mund të shembet nga asgjë dhe asnjëherë në kuptime dhe mënyra të tjera. Përpos aspektit kulturor dhe historik, të njëjtat kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë pika shumë të frekuentuara turistike.

Kalaja  e Krujës është kalaja më e vjetër në  gjithë territorin shqiptar. Ajo po ashtu është radhitur si një prej kalave më të mira në gjithë botën. E ndërtuar gjatë vitit 1190, në Krujë qytet ky që ishte bërë më pas kryeqyteti i shtetit të parë autonom shqiptar në mesjetë. Kjo kala me trajtë eliptike dhe me perimetër 804 metra, zë një sipërfaqe prej 2.5 hektarësh tokë dhe është ngritur në një kodër shkëmbore.

Mënyra e furnizimit me ujë është një nga veçantit më të mëdha të kësaj Kalaje, mënyrë kjo e cila e ka bërë këtë Kala të mos vuaj asnjëherë për mungesën e ujit. Brenda territorit të kalasë, në shkëmb rrjedh një burim nëntokësor, i cili del në rrëzë të murit lindor të saj. Ky krua, që përdoret edhe sot në një çezmë, ka qenë rrethuar me një sistem muresh e kullash. Kjo ka qenë njëherit arsyeja e vënies së emrit Krujë këtij qyteti dhe më pas kalasë “Kalaja e Krujës”

Kalaja ka një strukturë arkitektonike teksa materialet të cilat janë përdorur për ndërtimin e kalasë janë kryesisht guri dhe betoni. Kjo edhe për shkak të qëndrueshmërisë të cilën duhet ta kishte kalaja duke pasur parasysh se kohën kur është ndërtuar ka qenë kohë pushtimesh nga armiqtë e Shqipërisë, konkretisht nga Perandoria Osmane.

Kalaja e Durrësit ishte ndërtuar nga perandori i Perandorisë Bizantine, Anastasi, i cili qe origjinën nga Durrësi. Në atë kohë, Anastasius e bëri Durrësin një nga qytetet më të fortifikuara në Adriatik.  Edhe para këtij tërmeti të fundit, Kalaja e Durrësit ka histori tragjike me tërmete që kanë ndodhur në të kaluarën. Kështu, kësaj Kalaje i është dashur t’i riparohen muret meqë kishte pësuar dëmtime të mëdha prej tërmetit shkatërrimtar të vitit 1273.

Kjo Kala, ndër vite ishte përforcuar me disa Kulla të ndryshme, kështu disa kulla roje u ndërtuan nga Republika e Venedikut si dhe gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Kjo Kala, njëjtë si edhe Kalaja e Krujës ka historinë e saj të lidhur me luftë. Kështu, më 7 prill 1939, patriotët shqiptarë luftuan në muret e kalasë fashistët italian që pushtuan Shqipërinë.

Duhet shpresuar që dëmtimi i Kalasë së Krujës dhe i Kalasë së Durrësit nuk ka qenë krejtësisht i madh si dhe në të njëjtën kohë duhet punuar shumë që të ketë një rindërtim të shpejtë të këtyre dy monumenteve kaq të rëndësishme kulturore, historike si dhe turistike për Shqipërinë dhe mbarë kombin shqiptar. / KultPlus.com

Qendrim Badalli

Shkatërrohet kalaja e Durrësit, nuk i rezistoi dot tërmetit

Vijnë raportime negative edhe nga monumentet e kulturës dhe siç shihet në foto është kalaja e Durrësit.

Ka jetuar në shekuj, nuk e ka gjetur gjë. Por pati disa momente që nuk jetoi dot: një prej tyre ishte betonimi i qytetit, tjetri ishte tërmeti i fuqishëm i mëngjesit të sotëm.

Muri rrethues i kalasë është shembur thuajse në tërësinë e vet. Në foton që shohim është veç një pamje, por duket se rrënimi është thuajse nga të gjitha anët.

Kalaja e Durrësit u ndërtua nga Perandori i Perandorisë Bizantine Anastasi, në shekullin e V-të, që e ka origjinën nga Durrësi. Riparimet e mureve janë kryer që nga tërmeti shkatërrimtar i 1273. / KultPlus.com