Kalaja e Elbasanit, destinacion tërheqës për turistët vendas e të huaj

Kalaja e Elbasanit gjatë këtij sezoni turistik po kthehet në një ndër monumentet më të vizituara për turistët vendas, por edhe të huaj.

Gjatë vizitës në këtë monument kulture turistët zbulojnë thesaret e një prej fortifikimeve më të vjetra të Shqipërisë.

Për shumë nga këta turistë, Kalaja e Elbasanit është një dritare në të kaluarën, ku historia dhe arkitektura bashkohen për të treguar rrëfimet e një qyteti që ka kaluar nëpër shekuj, duke ruajtur kulturën dhe traditat e tij.

Ndërsa ecin nëpër rrugicat e kalldrëmta brenda mureve të Kalasë, vizitorët mund të ndiejnë peshën e kohës dhe të imagjinojnë jetën e dikurshme të qytetit.

Lagja “Kala” është një pjesë e veçantë e qytetit të Elbasanit dhe përbën një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Ballkan. Më shumë se pesë shekuj më parë, kur ushtria turke mbante të rrethuar Krujën, një pjesë e kësaj ushtrie punonte për zgjerimin e kalasë ekzistuese të “Skampinit.”

Kalaja përfshinte gjithashtu garnizonet e ushtrisë turke, qendrat tregtare dhe zona të tjera jetike të qytetit.

Pas zgjerimit të qytetit dhe ardhjes së banorëve nga fshatra të ndryshëm, lagjet si “Shën Koll” dhe “Alejdine” u formuan jashtë mureve të kalasë, duke shtuar diversitetin e këtij vendi të veçantë.

Me vendim të Institutit të Monumenteve të Kulturës, lagja “Kala” u shpall Lagje Muze, një nismë që ka sjellë restaurime të rëndësishme.

Shtëpitë karakteristike elbasanase janë restauruar, si dhe rrugët e kalldrëmta janë rivendosur në formën e tyre origjinale. Turistët sot mund të shijojnë ngushtësinë e rrugicave, ndërtimin karakteristik të shtëpive dhe portat masive me çekicat karakteristikë, të gjitha të ndërtuara për të ruajtur atmosferën e kaluar.

Brenda mureve të kalasë ndodhet varri i Kostandin Kristoforidhit, një figurë kyçe në zhvillimin e gjuhës shqipe. Po ashtu, lagja ka qenë shtëpia e shumë intelektualëve dhe artistëve të shquar, si Aleksandër Xhuvani dhe Dhimitër Shuteriqi, që kanë kontribuar në pasurimin e kulturës shqiptare, si edhe kisha “Shën Maria”.

Me ritmin e vizitave që rritet çdo vit, Kalaja e Elbasanit dhe monumentet e tjera të lashtësisë në qytet janë bërë një destinacion tërheqës për turistët./atsh/KultPlus.com

Kalaja e Elbasanit, destinacion që duhet vizituar

Dita e Verës po afron dhe qyteti i Elbasanit ka nisur festimet. Përveç aktiviteteve të shumta të organizuara nga bashkia dhe ëmbëlsirës tradicionale të kësaj feste pagane, ballokumes, që e gjen kudo në dyqane e trotuare, qyteti ofron mundësi të shumta edhe për turizëm kulturor e historik, e pa dyshim kalaja e Elbasanit është një prej destinacioneve që nuk duhet humbur.

Ajo ndodhet në qendër të qytetit të Elbasanit dhe është Monument Kulture i Kategorisë I.

Kalaja e Elbasanit bën pjesë në kalatë e tipit fushor, rrethohet nga një varg kodrash në anën veriore, ndërsa në lindje dhe perëndim nga përrenjtë e Manasderes dhe atë të Zaranikës, të cilët shërbenin edhe si burime për kanalin që e rrethonte kalanë dikur. Ka një pozicion kyç, pasi kontrollon lehtazi lëvizjet në Via Egnatia, një rrugë transversale që lidh bregdetin me brendësinë, duke zënë kështu një pozitë të favorshme ekonomike dhe strategjike.

Studime arkeologjike kanë zbuluar teknikat e ndërtimit dhe historinë e saj. Kalaja përfaqëson një kastrum klasik, e cila i përmbahet rregullave të ndërtimit romak. Ka formën e një katërkëndëshi kënddrejtë me dimensione 308 x 348 m. Ka katër hyrje të cilat janë të pozicionuara në mes të kurtinave të cilat mbrohen me kulla. Kalaja është e rrethuar me një hendek të thellë dhe gjurmët e tij janë ende të dukshme. Hendeku mbushej nga ujërat e përroit të Zaranikës, që kalonte pranë dhe kishte si funksion mbrojtjen e kalasë. Sipas studimeve, periudha më e mundshme e ndërtimit të kalasë është gjysma e dytë e shekullit IV pas Krishtit.

Në ditët e sotme, kalaja është e populluar në brendësi si dhe rreth saj. Në brendësi të kalasë ka ndërtesa karakteristike të shpallura për nga rëndësia dhe arkitektura si monumente kulture./atsh/KultPlus.com

Qeveria shqiptare synon nxitjen e turizmit në Kalanë e Elbasanit

Si monument i rëndësishëm kulturor, Kalaja e Elbasanit identifikohet vetëm me një pjesë të murit rrethues dhe disa objekte të tjera që i kanë përballuar kohës. Struktura e saj e dikurshme ka ndryshuar shumë, shkaku i ndërtimeve të reja në atë pjesë.

Por, Qeveria shqiptare e sheh pjesën e mbetur të objektit si potencial zhvillimi edhe për ekonominë e qytetit të Shqipërisë Qendrore.

“Sot ne kemi faktet, nuk është çështja më e një faze embrionale e disa projekteve, që një pjesë e madhe e atyre që kanë privilegjin të komunikojnë me njerëzit përmes mediave e konsideronin thjesht një zbukurim, fasadë, sipërfaqësore. Sot kemi faktet që këto ndërhyrje janë mirëfilli me impakt ekonomik”, ka thënë kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me qytetarët e asaj zone në kuadër të bisedimeve që po mban si parapërgatitje për zgjedhjet parlamentare të muajit prill, transmeton KultPlus.

Sipas Ramës, të ndërhysh në zonat e trashëgimisë kulturore me potencial turistik për të ndërtuar shëtitore, për të ndërtuar hapësira urbane të kualifikuara bukur, do të thotë të bësh ekonomi.

“Këtë e tregojnë shifrat në të gjitha këto hapësira. Shembulli më konkret është ai i pazarit të vjetër të Korçës. Sa të ardhura dhe sa biznes bënte në të shkuarën dhe sa është impakti kësaj hapësire sot, përtej sa e ka rritur turizmin kjo zonë”, ka thënë ai. Sipas Ramës, ka shumë njerëz që nisen drejt Korçës për të shkuar drejt pazarit të Korçës për të kaluar atje një kohë të caktuar. “Kalaja e Elbasanit është një aset i jashtëzakonshëm në këtë drejtim”, ka thënë Rama.

Sipas tij, Kalaja është absolutisht një aset me potencial ekonomik të jashtëzakonshëm. Ka thënë se rilindja e Kalasë në një frymë dhe formë tjetër, duke ruajtur hiret e saj që janë trashëguar ndër shekuj dhe vënia në dispozicion e Kalasë në të gjithë makinerinë e zhvillimit ekonomik të qytetit, është çështje që askush nuk duhet dhe s’mund ta diskutojë. “A do të ishte e mundur kjo bisedë, kur ndërkohë makthi i Elbasanit ishin plehrat e qytetit. A do të bënte sens të merreshim me këtë, pa stabilizuar tjetrën, përpara se të shëronim një plagë të hapur në mes të qytetit. Unë mendoj që jo, sepse sado që Kalaja do të tërhiqte, mali me plehra dhe ndotja do të shtynin pas. Tani është koha ideale për të çuar përpara këtë projekt”, ka thënë ai.

Gjatë bisedës ai ka thënë se nuk do të mungojë mbështetja, por jo vetëm kaq. “Jam brenda këtij projekti dhe jam për ta çuar përpara këtë projekt. Elbasani e ka një magnet të jashtëzakonshëm kalanë për turizmin, por nuk është në funksion. Kur të vihet në funksion fluksi i turistëve, do të jetë me patjetër dhe kjo do të jetë sfida e radhës, përballimi i fluksit të qytetarëve”, ka thënë ai.

Kalaja ndodhet në qendër të qytetit të Elbasanit dhe dikur ka qenë kështjellë ushtarake. Përmes saj kalonte rruga “Egnatia”. Brenda saj ndodhen edhe shumë objekte të tjera historike dhe kulturore, si Kulla e sahatit e hamami i vjetër bashkë me një xhami dhe një kishë.

Folegj: “Jam brenda këtij projekti dhe jam për ta çuar përpara këtë projekt. Elbasani e ka një magnet të jashtëzakonshëm kalanë për turizmin, por nuk është në funksion. Kur të vihet në funksion fluksi i turistëve, do të jetë me patjetër dhe kjo do të jetë sfida e radhës, përballimi i fluksit të qytetarëve”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një vizite në Elbasan. / KultPlus.com

Kalaja e Elbasanit, aset me potenciale të jashtëzakonshme për turizmin

Kalaja e Elbasanit është një aset me potenciale të jashtëzakonshme për turizmin.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Elbasanit mëngjesin e të dielës, u shpreh se tashmë janë kushtet ideale për të investuar dhe për të kthyer në realitet projektin e Rilindjes së Kalasë së Elbasanit, një arsye tjetër përse duhet dhe mandati i tretë.

“Sot ne kemi faktet, nuk është çështja më e një faze embrionale e disa projekteve, që një pjesë e madhe e atyre që kanë privilegjin të komunikojnë me njerëzit përmes mediave e konsideronin thjesht një zbukurim, fasadë, sipërfaqësore… Sot kemi faktet që këto ndërhyrje janë mirëfilli me impakt ekonomik”,- tha Rama.

“Të ndërhysh në zonat e trashëgimisë kulturore me potencial turistik për të ndërtuar shëtitore, për të ndërtuar hapësira urbane të kualifikuara bukur, do të thotë të bësh ekonomi. Këtë e tregojnë shifrat në të gjitha këto hapësira. Shembulli më konkret është ai i pazarit të vjetër të Korçës. Sa të ardhura dhe sa biznes bënte në të shkuarën dhe sa është impakti kësaj hapësire sot, përtej sa e ka rritur turizmin kjo zonë. Ka shumë njerëz që nisen drejt Korçës për të shkuar drejt pazarit të Korçës për të kaluar atje një kohë të caktuar. Kalaja e Elbasanit është një aset i jashtëzakonshëm në këtë drejtim”,- vuri në dukje Rama.

“Është absolutisht një aset me potencial ekonomik të jashtëzakonshëm. Rilindja e Kalasë në një frymë dhe formë tjetër, duke ruajtur hiret e saj që janë trashëguar ndër shekuj dhe vënja në dispozicion e Kalasë në të gjithë makinerinë e zhvillimit ekonomik të qytetit, që askush nuk duhet dhe s’mund ta diskutojë. A do të ishte e mundur kjo bisedë, kur ndërkohë makthi i Elbasanit ishin plehrat e qytetit. A do bënte sens të merreshim me këtë, pa stabilizuar tjetrën, përpara se të shëronim një plagë të hapur në mes të qytetit. Unë mendoj që jo, sepse sado që Kalaja do tërhiqte, mali me plehra dhe ndotja do shtynin pas. Tani është koha ideale për të çuar përpara këtë projekt”,- theksoi Rama.

“Nga ana ime nuk do mungojë mbështetja, por jo vetëm kaq. Jam brenda këtij projekti dhe jam për ta çuar përpara këtë projekt. Elbasani e ka një magnet të jashtëzakonshëm kalanë për turizmin, por nuk është në funksion. Kur të vihet në funksion fluksi turistëve do jetë me patjetër dhe kjo do jetë sfida e radhës, përballimi  i fluksit të qytetarëve. Kjo është një arsye tjetër pse duhet të kemi një mandat të tretë”,- nënvizoi Rama. /ata/ KultPlus.com