Kalaja e Gjirokastrës e rrethuar mes mjegullës ngjan si një anije në lundrim (VIDEO)

Gjirokastra ka shënuar këtë vit numrin më të lartë të turistëve vendas e të huaj që e zgjodhën si një ndër destinacionet e preferuara.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga Kalaja e Gjirokastrës e cila e rrethuar mes mjegullës ngjan si një anije në lundrim.

Kjo është një ndër kalatë më të mëdha në Ballkan. Si një anije e madhe prej guri, ajo shtrihet në një hapësirë prej 335 metra dhe ndodhet në kodër nga ku shihet gjithë qyteti, si për të dëshmuar historinë e gjithë rajonit në shekuj.

Sipas të dhënave, mbi 200 mijë turistë kanë vizituar përgjatë këtij sezoni turistik  Gjirokastrën dhe rrethinat, duke regjistruar ndër shifrat më të larta në vite.

“Të huajt kanë zënë mbi 80% të vizitorëve të këtij viti në Gjirokastër, nga Italia, Spanja, Greqia, Gjermania, vendet Skandinave, nga Evropa Perëndimore dhe Lindore, nga SHBA-ja, Brazili, Argjentina, Kina, Australia, etj, etj. / atsh / KultPlus.com

Kalaja e Gjirokastrës, u rrit numri i vizitorëve në muajin qershor

Vizitat turistike në Kalanë e Gjirokastrës për periudhën 1 qershor – 30 qershor 2023, kanë ardhur duke u rritur krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Këtë qershor Kalaja e Gjikrokastrës pati 17.816 vizitorë vendas e të huaj, ose 8.235 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2022. Një rol të rëndësishëm në rritjen e vizitueshmërisë për muajin qershor, luajti edhe organizimi i Festivalit Folklorik Kombëtar.

Kalaja e Gjirokastrës është një ndër më të mëdhatë në Ballkan. Si një anije e madhe prej guri, ajo shtrihet në një hapësirë prej 335 metra. Ajo ndodhet në kodër nga ku shihet gjithë qyteti, si për të dëshmuar historinë e gjithë rajonit në shekuj. Data e ndërtimit të këtij fortifikimi është ende e paqartë megjithëse përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336.

Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot./KultPlus.com

Rritet numri i vizitorëve në Kalanë e Gjirokastrës

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër bëri publike shifrat e frekuentimit të kalasë së qytetit të Gjirokastrës për muajin prill. Vizitat turistike në Kalanë e Gjirokastrës për periudhën 1-30 prill 2023, kanë ardhur duke u rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

11177 vizitorë gjatë kësaj periudhë ose 6888 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë, në vitin 2022.

Kalaja e Gjirokastrës është atraksioni kryesor i qytetit, i cili vitet e fundit pret një numër të lartë vizitorësh, vendas e të huaj, përgjatë gjithë vitit.

Kalaja përmendet për herë të parë në vitin 1336. Megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme. Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.

Duke filluar nga viti 1968 skena e gurtë e Kalasë së Gjirokastrës do të priste me bujari instrumentistët, këngëtarët dhe valltarët e folkut në kuadër të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, i cili këtë vit do të zhvillohet në muajin qershor./atsh/ KultPlus.com

Historia e emrit të Gjirokastrës

Emri i qytetit të Gjirokastrës mësohet të jetë përmendur në shekullin XIII, për herë të parë. Ndërsa fillimet e qytetit mendohet të jenë pas rënies se Adrianopolit. Ka disa versione për prejardhjen e emrit të qytetit. Një legjendë thotë që gjatë rrethimit të qytetit nga turqit, Princesha Argjiro, motra e zotit të qytetit u hodh nga muret e kalasë bashkë me djalin e saj. Që këtu rrodhi edhe emri “kalaja e Argjirosë” dhe mori emrin qyteti.

Por ky version është i pamundur mbasi emri i qytetit përmendet që në kohën e Bizantit, pra para pushtimit osman. Sipas një shpjegimi tjetër më pak poetik, qyteti e ka rrënjën e emrit nga greqishtja, Argyró-kastro që do të thotë kështjellë e argjendtë. Një shpjegim i tretë lidhet me emrin e një fisi vendas që jetonte pranë Gjirokastrës: Argjirët.

Versioni i katërt lidhet sërish me kështjellën që mendohet të jetë nisur së ndërtuari nga Gjin Bue Shpata, i cili i dha emrin qytetit, Gjino-kastër. /HEJZA/ KultPlus.com

Restaurimi i Kalasë së Gjirokastrës, Rama: Thesar i trashëgimisë sonë kulturore

Kalaja e Gjirokastrës do të ofrojë më tepër hapësirë për turistët vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga kjo kala ku shprehet se po punohet për restaurimin dhe konservimin arkitekturor.

“Mirëmëngjes, dhe me këto pamje nga Kalaja magjepsëse e Gjirokastrës, ku punohet për restaurimin dhe konservimin arkitekturor të këtij objekti me peshë të veçantë në thesarin e trashëgimisë sonë historike e kulturore, ju uroj një javë të mbarë”, shprehet Rama.

Në kuadër të projektit të restaurimit në kështjellën e gurtë synohet rritja e sipërfaqes së vizitueshme si dhe konservimin dhe evidentimin e hapësirave të saj.

Një tjetër element  i rëndësishëm është edhe gërmimi arkeologjik që synon evidentimin e një historie më të detajuar të kalasë dhe qytetit.

Ndërhyrjet për përforcimin e strukturave të kalasë dhe riparimin e çarjeve që ishin krijuar do të sigurojnë një qëndrueshmëri të sigurt të kështjellës dhe do të shmangin rrëshqitjet e gurëve.

Kalaja e Gjirokastrës është një ndër më të vjetrat dhe të mëdhatë në Ballkan dhe shtrihet në një hapësirë prej 335 metra.

Zbulimet arkeologjike në zonën e kështjellës, tregojnë se ky vend është jetuar që nga shekulli i IV-V./atsh/ KultPlus.com

Këngët e rralla shqipe që u kënduan gjatë ndërtimit të kalasë së Gjirokastrës

Kalatë apo kështjellat jo vetëm në vendin tonë por në gjithë botën emërtimet e tyre i marrin ose nga vendet dhe qytetet ku janë ngritur si psh: kalaja e Beratit, Krujës, Prizrenit, Kaninës, Lëkursit, Porto Palermos, Elbasanit, Kardhiqit, Libohovës etj.

Po ka edhe kala që marrin emërin e personazheve të njohur që shpesh kthehen në mite si kalaja e “Rozafës”, në Shkodër dhe “Argjiros” në Gjirokastër dhe kala që emërtohen me emrin e prijsit e mbretërve të kohës si: Kalaja e Ali Pashë Tepelenës në Tepelenë e Janinë etj.

Në tërë historinë e tyre kalatë janë ndërtuar si fortifikime të jashtëzakonshme për të mbrojtur qytetet dhe njëkohësisht në pika dominante shumë të vështira për t’u pushtuar. Me këtë mision mbrojtës vjen në historinë e kalave dhe fortifikimeve në vendin tonë gjatë shekujve dhe mijëvjeçarëve edhe kalaja e Gjirokadtrës. Këtë kala madhështore herë e quajnë si një kryqëzor gjigand që ka hedhur spirancën aty majë shkëmbit për të qëndruar përjetësisht dhe herë e quajnë si një shqiponjë që ka hapur krahët dhe është gati për fluturim, por që nuk dihet çfarë e ndalon për t’u ngritur lart në qiell dhe ngeli e ngurtësuar me krahët hapur për të mbrojtur qytetin. Ndërsa në gjysmën e dytë të shekullit të XX kjo kala do të quhej “Kalaja e Festivalit”.

Nuk e di nëse për kalanë e Gjirokastrës para vitit 1968 kur në sheshin e saj hapi siparin Festivali i parë Folklorik Kombëtar të jetë kënduar ndonjë këngë për të, ndërsa në gjysmën e dytë të shekullit XX-të për këtë kala populli ka kënduar shumë këngë, duke e bërë atë ndoshta të vetmen jo vetëm në rajon por shumë më gjërë. Nga ky vit e në vazhdim kalaja e Gjirokastrës për faktin se aty në çdo pesë vjet organizohej Festivali Folklorik Kombëtar ajo mori emërtimin mbarë popullor si “Kalaja e Festivalit”.

Ja çfarë thotë një nga këngët e këtij festivali: “Na buron nga zemra,/Kënga më e mirë,/Në Kalanë e Festivalit,/ Plot me misafirë./ Moj kala ç’mur të ka rënë,/Andej armë e këndej këngë“.

Dhe kënga tjetër: “Ndezi këngën Shqipëria,/Në Kalanë e Festivalit,/ Te ky shesh s’harron kurrë,/ Këngën e Xhevat Avdallit./Na vjen këtu Demir Zykoja,/Gojë mblajti nga Skrapari,/Krah për krah Hafsa Zyberi,/ Madhështor Mentor Xhemali.”

Por në se nuk dimë se çfarë këngësh i janë kushtuar kalasë së Gjirokastrës shekuj më parë mendoj se këngët e para aty janë kënduar që në kohën kur janë grumbulluar gurët e parë dhe janë hapur themelet për të ndërtuar muret e kalasë. Ustallarët kur pushonin në kohën e drekës duke qënë banorë të travave ku kultivohej polifonia me siguri ja merrnin këngës për të shprehur dertet e shpirtit.

Natyrshëm lind pyetja: Pra çfarë ishin këngët e ustallarëve në mijëvjeçarin e parë të pas Krishtit kur ndërtonin kalanë e Gjirokastrës?

Mendoj se këngët e tyre do të ishin me melodi të karakterit epik të rënda monostrofike, të zvargura, të thella, të përshtatura me kohën dhe vendin ku këndoheshin.  Këngët e ustallarëve që unë po i quaj “Këngët e Kalasë” përshkruanin histori, ngjarje, beteja, luftra të gjata, heronj e patriotë, ndoshta dhe frikacakë e tradhëtarë çka i bën ato në një farë mënyre të jenë memorja e historisë.

Këngën gjithmonë e ka pasur bashkëudhëtare të jetës shqiptari. Këngë këndonte në dasma e gëzime familjare, këngë u këndonte trimave kur i përcillte në luftë dhe këngë u këndonte luftëtarëve kur binin në fushën e betejës. Të tilla i imagjinoj këngët e ustallarëve kur ndërtonin kalanë e Gjirokastrës.

Nisur nga ato që thotë historia se në fillim është ndërtuar kalaja dhe pastaj qyteti mendoj se këngët e ustallarëve kanë qënë këngët e para të trashëgimisë folklorike të qytetit të Gjirokastrës. Ato melodi dhe ajo strukturë tonalo-modale e këngëve të ustallarëve të kalasë në rrugëtimin e tyre, në vite e shekuj, në evolucionin që pësuan nga përpunimi që i bëri Artisti Popull janë burimi dhe origjina e këngës gjirokastrite.

Nga vitet e origjinës e deri më sot kënga gjirokastrite nuk mendoj se ka patur ndryshime rrënjësore si psh: të jetë kënduar këngë e shoqëruar me saze e sot të jetë polifoni apo e kundërta.

Nuk kemi dokumenta të shkruara të rrugëtimit të këngës gjirokastrite që të vërtetojnë origjinën e këngës së sotme të qytetit të gurtë por për veçoritë e saj, kontrastet me këngët e tjera të rajonit e më gjërë, autenticiteti i saj i paprekur nga lashtësia deri në ditët e sotme e bëjnë këngën gjirokastrite nivelin më të lartë të polifonisë shqiptare.

U ula të shkruar për Kalanë e Gjirokastrës “Kalanë e Festivalit” në këtë vit të 50 vjetorit të Festivalit Folklorik Kombëtar si manifestimi madhështor i trashëgimisë kombëtare. Panteoni ku Artisti i madh Popull shpalosi me tërë pasionin e shpirtit perla nga trashëgima folklorike si pjesë e indentiteti tonë kombëtar.

(Nga Naxhi Kasoruho, “Mjeshtër i Madh”) / KultPlus.com

85 mijë turistë vizituan kalanë e Gjirokastrës nga janari në shtator

Sot vetëm në kalanë e Gjirokastrës numërohen nga janari në shtator 2018, 85 mijë vizitorë.

Në fjalën e tij në ceremoninë e përfundimit të fazës së parë të Pazarit të Gjirokastrës, Kryeministri Edi Rama theksoi se “ky është një ndryshim i shumëfishtë, pasi në 2013 numëroheshin 6900 vizitorë në Gjirokastër, zyrtarisht”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “sikundër në 2013 ishin katër vende ku mund të shkoje të kaloje natën në Gjirokastër, sot nëse i referohemi “booking.com” janë shumë e shumë më tepër se kaq dhe shumë më tepër do të jenë vit pas viti e muaj pas muaji”.

Kryeministri Rama premtoi se qeveria do të vazhdojë investimet në qytetin e gurtë.

“Ne do të vazhdojmë investimet nga njëra anë dhe njerëzit këtu dhe ata që janë në emigracion po e shikojnë konkretisht se hapet një rrugë mundësish për gjithsecilin, për të rijetëzuar shtëpitë e tyre duke e transformuar në një bujtinë, ashtu sikundër për të kthyer sytë në hapësirën rurale të Gjirokastrës, ku ka një trashëgimi kulturore fantastike, natyrë të jashtëzakonshme, tradita dhe histori të lakmueshme dhe ku me kthimin e syve nga agroturizmi mund të kalohet nga një situatë mbijetese në një situatë jetese normale”, theksoi Rama./k.s/KultPlus.com

Kalaja e Gjirokastrës atraksioni i preferuar i turistëve, rreth 50 mijë vizitorë në 7 muaj

Sezoni turistik i këtij viti ka qenë i suksesshëm në Gjirokastër. Të paktën nëse i referohemi vetëm numrit të vizitorëve në kala.

Shifrat e bëra publike nga Drejtoria e Kulturës Kombëtare në Gjirokastër, tregojnë për rritje me mbi 60% të numrit të vizitorëve për 7 muajt e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, njofton ATSH.

Gjatë vitit 2017 për periudhën janar-korrik, numri i vizitorëve është 31,085 ndërsa po për të njëjtën periudhë të vitit 2018 numri i vizitorëve është rritur në mënyrë të ndjeshme me 50,481 turistë vendas dhe të huaj të cilët vendet që mbartin histori i kanë kthyer tashmë në destinacionet më të preferuara gjatë viteve të fundit.

Kalaja është një histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës dhe përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336.

Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.

Duke filluar nga viti 1968 skena e gurtë e Kalasë së Gjirokastrës do të priste me bujari instrumentistët, këngëtarët dhe valltarët e folkut në kuadër të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, shkruan ATSH.

Njëkohësisht gjatë këtyre viteve mjediset e Kalasë kanë shërbyer edhe për organizimin e koncerteve, spektakleve dhe panaireve të ndryshëm kulturorë. Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO.

Falë vlerave historike dhe arkitektonike që mbart kështjella e gurtë e Gjirokastrës, vazhdon të ngelet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.

19th-century traditional Ottoman houses, mosque, from Castle hill in Gjirokastra (Gjirokaster), UNESCO World Heritage Site, Albania

Shkëmbi i Princeshës Argjiro

Kalaja e Gjirokastrës dhe legjenda e princeshës Argjiro që e kujtojmë të gjithë përmes Ismail Kadares.

Princesha Argjiro është sundimtarja e qytetit të Gjirokastrës gjatë shekullit XIV. Pas vdekjes së burrit, Princesha Argjiro lufton me turqit kur ata e rrethojnë kalanë e Gjirokastrës, mirëpo njeri truprojë e tradhton ndaj ata futen në kala. Për të mos rënë e gjallë në duart e turqve, u hodh nga kulla më e lartë e kalasë bashke me djalin e saj foshnje dhe u copëtua mbi një shkëmb. Mirëpo foshnja sipas legjendës mbeti gjallë.

Princesha me djep në krahë
U vërvit nga kulla poshtë…
Dallëndyshet i ke parë
Kur mësojnë vjeshtës zogjtë?
Rrugën e parë në jetë
Me foshnjën bënte princesha.
Në qiell t’atdheut përpjetë
Ajo mbeti, e varur peshë.
Ajo bije e nuk po bije,
Një shami në hapësirë.
Pezull mbi shekujt me hije
Si ëndërr e bardhë ka ngrirë.

(Fragment nga libri Princesha Argjiro-Ismail Kadare)./KultPlus.com