Katër piktorë të rinj me ekspozitë në pazarin e gurtë të Gjirokastrës

Katër piktorë të rinj nga Gjirokastra hapën një ekspozitë në pazarin e gurtë të qytetit.

Piktorët e rinj Irina Musta, Pandeljo Çekani, Arla Memushi, Elena Rova dhe Ina Diamanti sollën punimet e tyre për artdashësit gjirokastritë, por edhe vizitorët nga qytete të ndryshme të vendit dhe turistët e huaj, të cilët mbushën Gjirokastrën gjatë ditëve të fundjavës.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, i cili vizitoi nga afër ekspozitën vlerësoi talentet e reja të qytetit për veprat e prezantuara në këtë ekspozitë.

“Irina Musta, Pandeljo Çekani, Arla Memushi, Elena Rova dhe Ina Diamanti janë piktorët e rinj plot talent e pasion për artin të qendrës “Fato Berberi”, të cilët kanë çelur së fundi një ekspozitë në Pazarin e Gjirokastrës. I jam shumë falënderues për çfarë kanë bërë dhe për modelin frymëzues që ata japin për të rinj të tjerë”, shprehet Golemi në rrjetet sociale.

Piktorët e rinj u vlerësuan edhe me certifikata për hapjen e kësaj ekspozite që zgjoi interesin e vizitorëve.

Të rinjtë gjirokastritë ndjekin prej disa vitesh rrethin e pikturës në Qendrën Kulturore të Fëmijëve “Fato Berberi”.  Gjirokastra tashmë do të ketë edhe një brez të rinjsh, që do i bashkohen magjisë së pikturës në këtë vend të mahnitshëm piktoresk./atsh/ KultPlus.com

Kalaja e gurtë e Gjirokastrës, monumenti më i preferuar i vizitorëve

Kalaja e gurtë e Gjirokastrës vijon të mbetet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në qytetin e gurtë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, solli në vëmendje ndriçimin e kalasë së Gjirokastrës të kryer në kuadër të projektit të Ministrisë së Kulturës për vendosjen e ndriçimit në kalatë e vendit.

Nxorëm nga errësira Kalanë e Argjirosë, në Gjirokastër, këtë kurorë të qytetit”, – tha Margariti.

Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të rralla të këtij lloji, ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. Pas pushtimit osman, në fund të shekullit XIV, u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II rreth vitit 1490. Nga viti 1811, Ali pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Ai përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg.

Me të hyrë brenda, janë të ekspozuar një numër topash, të cilët janë pjesë e galerisë së topave, artileri këto që kryesisht janë braktisur apo u janë kapur forcave të pushtuesve nazistë nga Lufta e Dytë Botërore. Në fund fare të kësaj galerie gjendet edhe një tank italian, i prodhuar nga “Fiati” në mes viteve 1941-1943.

Muzeu Kombëtar i Armëve, pjesë e së cilës është edhe Galeria e Topave, është një pasuri tjetër kombëtare, i cili në koleksionin e tij përmban armë nga lashtësia dhe deri te lufta e partizanëve.

Në këtë kështjellë, rrënjët e së cilës datojnë që nga shekulli i 4-të para erës sonë, në kohë të Pirros së Epirit, ekziston edhe Muzeu, që njëherësh njihet edhe si Galeria “Gjin Zenebishi”, e në të cilën rrëfehet historia e Gjirokastrës, duke filluar që nga vendbanimet parahistorike dhe deri në periudhën kur qyteti bëhet një qendër e rëndësishme administrative e Perandorisë Osmane dhe më pas vendlindje e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, e diktatorit komunist Enver Hoxha, etj.

Aty gjithashtu tregohet historia e lokaliteteve arkeologjike, që shtrihen në luginën e Drinos. Nga muret e kalasë së Gjirokastrës shpaloset një peizazh mahnitës i të gjithë luginës së lumit Drino dhe maleve përreth. / KultPlus.com