Nis puna për restaurimin e kullës-simbol në Kalanë e Krujës

Në Kalanë e Krujës ka nisur puna për restaurimin e kullës simbol, së dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se “pas dëmtimeve të rënda nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, kanë nisur ndërhyrjet emergjente përforcuese në Kullën e Sahatit”.

“Bashkë me Milva Ekonomi inspektuam këtë kantier punimesh, ku do të kryhet një operacion shumë delikat për ruajtjen e këtij monumenti, por edhe për të siguruar jetën e banorëve, që jetojnë pranë saj. Projekti është realizuar nga organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHWB) dhe po zbatohet nga “Leon Construction”, nën mbikëqyrjen e Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Kjo ndërhyrje është mbështetur financiarisht nga “Prince Claus Fund for Culture and Development””, – theksoi Margariti.

Sipas saj, ndërhyrjet përforcuese do të ndahen në tri hapa: përforcimi paraprak i kullës, me fasha poliestri dhe binarë druri; përforcimi i plotë i kullës me elemente çeliku; instalimi i sistemit të monitorimit.

Dikur prej afro 16 shekujsh e identifikuar si edhe qendra e shtetit të Arbrit, kalaja e qytetit të Krujës, është ndërtuar mbi një kodrën shkëmbore të Krujës, me një lartësi prej 557 metra. Flamuri ynë kombëtar u ngrit pikërisht aty për herë të parë në 28 Nëntor 1443 nga Gjergj Kastriot Skënderbeu. / atsh / KultPlus.com

Rilindja e Kalasë së Skënderbeut pas restaurimeve dhe ndriçimit artistik (VIDEO)

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka publikuar një video nga Kalaja e Krujës.

Pas ndërhyrjeve restauruese për shkak të dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, në Kalanë e Krujës ka përfunduar edhe ndriçimi artistik.

Rama shprehet se ky është një tjetër zhvillim pozitiv për Krujën turistike, ndërkohë që pamjet që ofron kjo Kala janë fantastike.

“Rilindja e Kalasë së Skënderbeut pas restaurimeve dhe ndriçimit artistik, një tjetër zhvillim pozitiv për Krujën turistike”, shprehet Rama. / KultPlus.com

Drejt përfundimit projekti për ndriçimin e kalasë së Krujës

Në kalanë e Krujës po shkon drejt përfundimit projekti për ndriçimin e saj, për ta kthyer atë dhe në një destinacion turistik dhe gjatë mbrëmjes.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila thekson se me ndriçimin e kalasë qyteti të ofron një tjetër magji gjatë mbrëmjes.

“Një tjetër magji kishte Kruja natën, nën ndriçimin e ri, që nxjerr në pah edhe më tepër madhështinë dhe elementet e kalasë dhe ndërtesave në të. E kënaqur që projekti i ndriçimit po shkon drejt përfundimit, por edhe më tepër teksa merrja miratimin dhe përshëndetjet nga banorë e turistë, që e shohin Krujën si element të krenarisë identitare”, shprehet Margariti.

Dikur prej afro 16 shekujsh e identifikuar si edhe qendra e shtetit të Arbrit, kalaja e qytetit të Krujës, është ndërtuar mbi një kodrën shkëmbore të Krujës, me një lartësi prej 557 metra. Flamuri ynë kombëtar u ngrit pikërisht aty për herë të parë në 28 Nëntor 1443 nga Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Një sërë kalash të tjetra janë nënshtruar projektit të ndriçimit si ajo e Beratit, e Rozafës në Shkodër, duke i kthyer atyre madhështinë dhe gjatë mbrëmjeve. /atsh / KultPlus.com

Kalaja historike e Krujës merr pamje magjepsëse pas ndriçimit (FOTO)

Vazhdës së monumenteve të trashëgimisë kulturore të ndriçuara nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë iu është shtuar edhe Kalaja e Krujës, shkruan KultPlus.

E njohur për historinë e saj me heroin legjendar, Gjergj Kastriotin, Kalaja ka marrë një pamje tjetër.

“Falë projektit të ndriçimit ajo tashmë ka rifituar madhështinë që i takon”, ka shkruar ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Kruja është një ndër qytetet tjera që po përfshihen në procesin e ndriçimit të monumenteve. / KultPlus.com

Kalaja e Krujës në mesin e 10-të kalave më të bukura në Europë

Kështjellat në përgjithësi bartin histori të ndryshme e të mëdha pas vetes, shkruan KultPlus.

Pra, kështjellat janë vendet më joshëse ku ka rrjedhur e gjithë historia njerëzore. Arkitektura mahnitëse e shfaqur në kështjella ndez mistiken dhe legjendaren, në të njëjtën kohë.

Sipas ”Skyscanner”, dhjetë kështellat më të bukura në Europë që patjetër duhet të vizitohen janë:

Kështjella Bran në Rumani është renditur në vendin e parë si më e bukura në Europë.

Në vendin e dytë u rendit Kështjella e Krujës në Shqipëri.

Me vendndodhje në juglindje të Europës, në qytetin e vogël të Krujës, në lartësinë 557 metra, kjo kështjellë reflekton esencën e guximit me të cilin ajo u ndërtua. Pasi u rezistoi tre rrethimeve të mëdhenj të turqve në shekullin 15, kjo kështjellë nën udhëheqjen historike të Gjergj Kastrioti Skënderbeut i rezistoi pushtimit otoman me një guxim të skajshëm.

Skënderbeu është ende një figurë e nderuar në Shqipëri, i njohur për taktikat e tij ushtarake. Në një prej përpjekjeve të pasuksesshme të rrethimit nga turqit, Skënderbeu i ngatërroi turqit duke dërguar një kope dhish me qirinj që digjeshin, të cilët ua kish lidhur tek brirët. Turqit menduan që ishte një sulm. Pas kësaj, Skënderbeu kreu një kundërsulm të fuqishëm dhe i mundi turqit.

Vetëm pas vdekjes së tij, otomanët morën kështjellën dhe e kontrolluan deri në vitin 1912. Kështjella e Krujës ka një muze të mirëmbajtur, i cili ka dokumentuar bëmat dhe mban sende të Skënderbeut.

Duke vazhduar më pas me Kështjellën e Kotorit në San Giovanni, Mali i Zi, Kështjella e Carevetsit, Bullgari, Château de Commarque, Francë, Kështjella e Dunluce, Irlandë, Kështjella e Charleville, Islandë, Kështjella e Edinburgut, Skoci, Kështjella Predjama, Slloveni dhe Kështjella e Chillinghamit, Angli. / KultPlus.com

Rihapen muzetë dhe kalaja e Krujës për vizitorët, dëmtimet nuk rrezikojnë turistët

Kruja i hapi sot muzetë e saj dhe portat e Kalasë, pas tërmetit të 26 nëntorit.

Drini Masha, përgjegjës i turizmit në bashkinë e Krujës, tha për ATSH-në se “Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeu Etnografik Krujë u vizituan nga profesoresha Aya Kubota, nga Departamenti i Zhvillimit Urban në Universitetin e Tokyo-s, Japoni, e cila tha se dëmtimet nuk e rrezikojnë vizitorin që do të shohë Krujën”.

Masha i fton të gjithë vizitorët vendas, por edhe të huaj të vizitojnë Krujën, të bëjnë shëtitije në Kala, të vizitojnë muzetë e këtij qyteti historik, si dhe Pazarin e vjetër.

Sipas tij, turizmi në Krujë, nuk njeh sezon turistik, pasi ka një turizëm gjithëvjetor dhe është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.

Mbi 100 mijë vizitorë kanë zgjedhur të vizitojnë Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti./atsh/ KultPlus.com

Meta i shqetësuar për Kalanë e Krujës

Rreziku që i kanoset fortesës së Skënderbeut nga tërmeti i 26 nëntorit ka shqetësuar presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Ai sot ka vizituar Kalanë e Krujës. Për të parë më nga afër pasojat e dëmeve në Kullën e Këmbanës dhe Teqenë e Dollmës, Meta është kujdesur që t’i shohë këto dy monumente më nga afër, duke kaluar edhe perimetrin e sigurisë.

Kreu i shtetit tha se “duhen marrë masa të menjëhershme për t’u riparuar dhe mbrojtur, për vetë simbolikën e fortë kulturore e kombëtare që përfaqësojnë. Puna e nisur duhet të ndiqet me përgjegjësi maksimale deri në fund”.

Meta i kërkon institucioneve më shumë bashkëpunim për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë mbetur jashtë për shkak të shkatërrimit të banesave të tyre. Gjithashtu presidenti vizitoi edhe shtëpitë e disa familjeve në fshatin Hasanaj të Krujës , të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit. / KultPlus.com

“Tërmeti që s’shemb Kalaja”

Qendrim Badalli

Shqipëria është goditur nga një tërmet i fuqishëm i cili ka lënë 50 persona të vdekur dhe qindra të lënduar. Ky tërmet bëri që të shpallet edhe gjendje e jashtëzakonshme teksa ekipe të ndryshme shpëtimi nga Kosova dhe vendet e rajoni qëndruan në Shqipëri, në përpjekje për ta tejkaluar sa më lehtë këtë sfidë. Në vazhdën e dëmeve të mëdha, janë regjistruar edhe dy monumentet kulturore dhe historike: Kalaja e Durrësit dhe ajo e Krujës.

Si Kalaja e Durrësit ashtu edhe ajo e Krujës janë shembur fizikisht dhe vetëm fizikisht, sepse ato përfaqësojnë histori dhe kulturë e cila nuk mund të shembet nga asgjë dhe asnjëherë në kuptime dhe mënyra të tjera. Përpos aspektit kulturor dhe historik, të njëjtat kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë pika shumë të frekuentuara turistike.

Kalaja  e Krujës është kalaja më e vjetër në  gjithë territorin shqiptar. Ajo po ashtu është radhitur si një prej kalave më të mira në gjithë botën. E ndërtuar gjatë vitit 1190, në Krujë qytet ky që ishte bërë më pas kryeqyteti i shtetit të parë autonom shqiptar në mesjetë. Kjo kala me trajtë eliptike dhe me perimetër 804 metra, zë një sipërfaqe prej 2.5 hektarësh tokë dhe është ngritur në një kodër shkëmbore.

Mënyra e furnizimit me ujë është një nga veçantit më të mëdha të kësaj Kalaje, mënyrë kjo e cila e ka bërë këtë Kala të mos vuaj asnjëherë për mungesën e ujit. Brenda territorit të kalasë, në shkëmb rrjedh një burim nëntokësor, i cili del në rrëzë të murit lindor të saj. Ky krua, që përdoret edhe sot në një çezmë, ka qenë rrethuar me një sistem muresh e kullash. Kjo ka qenë njëherit arsyeja e vënies së emrit Krujë këtij qyteti dhe më pas kalasë “Kalaja e Krujës”

Kalaja ka një strukturë arkitektonike teksa materialet të cilat janë përdorur për ndërtimin e kalasë janë kryesisht guri dhe betoni. Kjo edhe për shkak të qëndrueshmërisë të cilën duhet ta kishte kalaja duke pasur parasysh se kohën kur është ndërtuar ka qenë kohë pushtimesh nga armiqtë e Shqipërisë, konkretisht nga Perandoria Osmane.

Kalaja e Durrësit ishte ndërtuar nga perandori i Perandorisë Bizantine, Anastasi, i cili qe origjinën nga Durrësi. Në atë kohë, Anastasius e bëri Durrësin një nga qytetet më të fortifikuara në Adriatik.  Edhe para këtij tërmeti të fundit, Kalaja e Durrësit ka histori tragjike me tërmete që kanë ndodhur në të kaluarën. Kështu, kësaj Kalaje i është dashur t’i riparohen muret meqë kishte pësuar dëmtime të mëdha prej tërmetit shkatërrimtar të vitit 1273.

Kjo Kala, ndër vite ishte përforcuar me disa Kulla të ndryshme, kështu disa kulla roje u ndërtuan nga Republika e Venedikut si dhe gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Kjo Kala, njëjtë si edhe Kalaja e Krujës ka historinë e saj të lidhur me luftë. Kështu, më 7 prill 1939, patriotët shqiptarë luftuan në muret e kalasë fashistët italian që pushtuan Shqipërinë.

Duhet shpresuar që dëmtimi i Kalasë së Krujës dhe i Kalasë së Durrësit nuk ka qenë krejtësisht i madh si dhe në të njëjtën kohë duhet punuar shumë që të ketë një rindërtim të shpejtë të këtyre dy monumenteve kaq të rëndësishme kulturore, historike si dhe turistike për Shqipërinë dhe mbarë kombin shqiptar. / KultPlus.com

Qendrim Badalli

Historia e Krujës e sjellë magjishëm nga 10 blogerë italianë

-Ja pse duhet vizituar qyteti i Skënderbeut:

Kruja është destinacioni kryesor i turizmit kulturor në Shqipëri. Shprehja “Nëse nuk ke vizituar Krujën, nuk ke njohur Shqipërinë” zë vend shumë mirë. E këtë herë, madhështia e historisë 2500 vjeçare e qytetit ka tërhequr vëmendjen e 10 blogerëve italianë.

Në synimin për të promovuar Shqipërinë, “Travel Blog Tour Albania 2019”, nisi rrugëtimin më 15 Prill, duke “ecur” mbi bukuritë e një vendi gjeografikisht shumë pranë Italisë.

E konsideruar si rajoni i 22 i vendit fqinj, italianët po shohin gjithë kureshtje Shqipërinë teksa po rritet edhe në ofertën turistike.

“Nevoja për të promovuar këtë vend të magjishëm është e madhe dhe e menjëhershme” thekson një nga blogerët, i cili shton se “bashkë me familjen dhe miqtë e mi do kthehem sërish këtë verë”.

Në Krujë, panë dhe prekën traditën artizanale mesjetare që ruhet ende në duart dhe mendjen e artizanëve të Krujës.

Në kalldrëmin 500 vjeçar, blogerët u ndalën gjatë, duke fotografuar dhe filmuar çdo pjesë të kësaj pasurie etnografike, ku takuan dhe Ndriçimin, artizanin e kohëve moderne, që ruan dhe trashëgon traditën e punimit të qelesheve.

Kalaja e Krujës, së bashku me dy muzetë e saj, befasojnë blogerët falë historisë së heroit kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” ose “Atletin e Krishtit”, teksa kuptojnë heroizmin e tij dhe popullit shqiptar.

“Shqipëria është vërtetë, rajoni i 22, teksa shikon marrëdhëniet gjer në Mesjetë të Skënderbeut me Venedikun dhe mbretin e Napolit”, – shprehen blogerët.

Ky tur promovues, nuk mund të mbaronte, pa shijuar kulinarinë e Krujës, ku një restorant  i njohur në qytet organizoi një mikpritje të veçantë, në shije tradicionale dhe plot stil.

Aktiviteti u organizua nga agjencia turistike “Brain and Heart”, “Travel Massive Albania” dhe aktorët privatë dhe publikë në qytetin e Krujës./k.s/ KultPlus.com

Kështjella e Skenderbeut në Krujë është radhitur si një prej kalave më të mira në gjithë botën

E ndërtuar gjatë vitit 1190, në Krujë qytet ky që ishte bërë më pas kryeqyteti i shtetit të parë autonom shqiptar në mesjetë. Kalaja e Krujës është kalaja më e vjetër në gjithë territorin shqiptar. Kjo kala me trajtë eliptike dhe me perimetër 804 metra, zë një sipërfaqe prej 2.5 hektarësh tokë dhe është ngritur në një kodër shkëmbore. Ajo po ashtu është radhitur si një prej kalave më të mira në gjithë botën.

Kalaja e Krujës është ndërtuar mbi një kreshtë shkëmbore të shkëputur nga mali Sarisalltëk dhe nga formacionet kodrinore përreth. Ajo lidhet me këto të fundit vetëm nga ana verilindore, ku ndodhet dhe hyrja kryesore për në kala.Anët e tjera janë shkëmbinj të thepisur, praktikisht të pangjitshtëm ose vetë kodra bie me pjerrësi të theksuar. Një nga veçoritë e kalasë së Krujës është mënyra e furnizimit të saj me ujë, gjë që e ka bërë të mos vuajë asnjëherë nga mungesa e ujit. Brenda territorit të kalasë, në shkëmb rrjedh një burim nëntokësor, i cili del në rrëzë të murit lindor të saj.

Ky krua, që përdoret edhe sot në një çezmë, ka qenë rrethuar me një sistem muresh e kullash. Kjo ka qenë njëherit arsyeja e vënies së emrit Krujë këtij qyteti dhe më pas kalasë “Kalaja e Krujës”. Kalaja ka një strukturë arkitektonike e cila është e veçantë dhe e paparë ndonjëherë. Materialet të cilat janë përdorur për ndërtimin e kalasë janë kryesisht guri dhe betoni. Kjo edhe për shkak të qëndrueshmërisë të cilën duhet ta kishte kalaja duke pasur parasysh se kohën kur është ndërtuar ka qenë kohë pushtimesh nga armiqtë e Shqipërisë, konkretisht nga Perandoria Osmane.

Kjo kala ka një projekt interesant të ndërtimit me pjesë të cilat vende janë të ngritura më lartë dhe kanë formën katrore, si dhe pjesë të tjera të kalasë të cilat janë në formë të rrumbullakët dhe gjenden në nivel më të ulët me token.Tashmë ky vend është një prej vendeve më të vizituara nga turistët, dhe njëkohësisht një monument historik me të cilën të gjithë shqiptarët duhet të ndjehen krenarë.