Kalatë e Shkodrës dhe Lezhës me numër rekord vizitorësh përgjatë vitit 2024

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër raportoi për një rritje mbresëlënëse të numrit të vizitorëve në sitet arkeologjike të Shkodrës dhe Lezhës.

Gjatë vitit 2024 Kalaja e Rozafës, një prej atraksioneve kryesore turistike të qytetit, u vizitua nga 157 827 vizitorë. Kjo shifër është 25,5% më e lartë, krahasuar me vizitueshmërinë gjatë vitit 2023.

Ndërsa Kalaja e Lezhës priti 7771 vizitorë gjatë vitit 2024, shifër kjo që sipas statistikave rezulton të jetë 70% më e lartë se një vit më parë.

Të dhënat e ofruara nga DRTK Shkodër tregojnë një interes të madh të vizitorëve vendas dhe të huaj për trashëgiminë kulturore të këtyre trevave. Kalaja e Rozafës dhe Kalaja e Lezhës po bëhen gjithnjë e më të njohura si destinacione turistike të rëndësishme.

Kalaja e Shkodrës, apo siç njihet ndryshe me emrin Kalaja e Rozafës, është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe jo vetëm. Ajo ka një pozicion të fuqishëm strategjik duke kontrolluar një territor të gjerë përreth dhe përbëhet prej tre oborreve kryesore që janë në formë shkallësh, duke u ngritur njëri pas tjetrit e që ndahen me porta mes tyre.

Ndërsa Kalaja e Lezhës ngrihet në majë të një kodre me lartësi 186 metra, në lindje të qytetit. Kalaja ka origjinë ilire. Në vitin 1440 ajo iu nënshtrua një rindërtimi nga venedikasit, ndërsa në vitin 1522 pas pushtimit osman u rindërtua edhe nga ana e tyre. Këtu ende mund të shikohen gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine dhe osmane./atsh/KultPlus.com

Gonxhja: Ndërhyrje restauruese në Kalanë e Lezhës

Vijojnë punimet restauruese në Kalanë e Lezhës.

Lajmin e dha ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.

Gonxhja bëri të ditur se, ekipi i “EU4Culture” po punon për të stabilizuar pjesën veriore të murit të kështjellës, e cila ka pasur dëmtime të rënda.

Pas dekadash përkeqësimi dhe dëmtimeve të tjera nga tërmeti i vitit 2019, kjo ndërhyrje është shumë e rëndësishme për të parandaluar një shembje dhe për të ruajtur strukturën derisa të bëhet restaurimi  i plotë, nënvizoi Gonxhja.

Ministri theksoi se, faza e parë ka filluar me gërmime dhe teste arkeologjike në zonën e ndërhyrjes./atsh/KultPlus.com

Ndërhyrje në murin rrethues të kalasë së Lezhës

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër inspektoi në terren punimet e projektit “Stabilizim emergjent i një pjese të murit verior në kalanë e Lezhës”. Projekti është pjesë e paketës së rindërtimit pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Ky projekt ka si qëllim sigurimin, mbrojtjen dhe konservimin arkitektonik të monumentit.

Aktualisht ka përfunduar faza e gërmimit arkeologjik dhe çlirimi prej dherave të një  segmenti të murit, ku nuk mungojnë artefaktet dhe të dhëna të reja arkeologjike për urbanizimin në qytetin e sipërm të Lisit.

Të dhëna janë dokumentuar tashmë nga subjekti arkeologjik i licensuar IKTK dhe DRTK Shkodër.

Zona e murit perimetral paraqet problemet më të mëdha strukturale, ku vërehet se në anën veriore të tij, pranë kullës rrethore me gurë poligonalë, ka një çarje të thellë në të gjithë lartësinë e murit si dhe inklinim të tij.

Qasja metodologjike e adoptuar për fazën tjetër të projektit, atë të përforcimit arkitektonik dhe restaurues, por dhe për ndërhyrjet të konsolidimit strukturor të monumentit, merr parasysh kriterin e ndërhyrjeve minimale, kryesisht duke përdorur materialet origjinale./atsh/KultPlus.com