Rreth 51 mijë turistë vendas e të huaj vizituan kalanë Rozafa në Shkodër gjatë periudhës janar -dhjetor 2021.
Kalaja e Rozafës, një vend atraktiv ku historia, arkitektura, peizazhi fantastik ndërthuren në mënyrë të përkryer, po mahnit gjithnjë e më shumë vizitorët.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ka ndarë shifrat në rritje të numrit të turistëve gjatë 2021.
“51.215 vizitorë, vizituan Kalanë Rozafa gjatë periudhës janar -dhjetor 2021, ose 20 mijë vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë të 2020-ës. Faleminderit çdo turisti, vendas dhe të huaj, që zgjodhi Kalanë Rozafa, si një ndër sitet kulturore më të preferuara të itinerarit turistik Shkodër përgjatë vitit 2021, duke shënuar një ecuri pozitive këto 12 muaj, reflektuar në rritje të konsiderueshme të numrit të turistëve krahasuar me vitin pandemik 2020”, thekson DRTK Shkodër.
Shkodra është një nga qytetet me trashëgiminë më të pasur kulturore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon.Rikualifikimi i kalasë së Rozafatit përmes ndriçimit, një investim i Ministrisë së Kulturës e ka kthyer atë në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj edhe në mbrëmje.
Kalaja e Rozafës është monumenti historik më antik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare. /ATA/ KultPlus.com