Kalaja është atraksioni kryesor i qytetit të Shkodrës që tërheq mijëra vizitorë çdo vit, ndërsa ngrihet në një zonë tërheqëse dhe me trashëgimi të pasur.
Kryeministri Edi Rama përcolli sot pamje nga kalaja e Rozafës dhe muzeu të mbushura me vizitorë.
“Kalaja e Rozafës bashkë me muzeun, një pikëtakim i turizmit historik dhe mitologjik që po mbledh vizitorë nga të gjitha bota, të cilët veç po shtohen në Shkodrën që po rilind”, u shpreh Rama.
Sot në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, kalaja e Rozafës në Shkodër ka mirëpritur vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj dhe të moshave të ndryshme, ndërsa janë organizuar një sërë aktivitetesh për përjetimin e trashëgimisë historike.
Vitet e fundit kalaja e Rozafës bashkë me muzeun, po tërheqin interesin e vizitorëve të shumtë, vendas dhe të huaj por edhe të apasionuarive të kulturës që vizitojnë këtë sit me vlera të veçanta.
Rikualifikimi i kalasë së Rozafatit përmes ndriçimit, një investim i Ministrisë së Kulturës, e ka kthyer atë në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj edhe në mbrëmje.
Vitin e kaluar, Rozafati u vizitua nga 125737 turistë vendas e të huaj nga 94260 vizitorë në vitin 2022.
Kalaja e Rozafës ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drinit, Bunës dhe Kirit. E ndërtuar gjatë mbretërisë ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare./ata/KultPlus.com