Kalatë e Shkodrës dhe Lezhës me numër rekord vizitorësh përgjatë vitit 2024

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër raportoi për një rritje mbresëlënëse të numrit të vizitorëve në sitet arkeologjike të Shkodrës dhe Lezhës.

Gjatë vitit 2024 Kalaja e Rozafës, një prej atraksioneve kryesore turistike të qytetit, u vizitua nga 157 827 vizitorë. Kjo shifër është 25,5% më e lartë, krahasuar me vizitueshmërinë gjatë vitit 2023.

Ndërsa Kalaja e Lezhës priti 7771 vizitorë gjatë vitit 2024, shifër kjo që sipas statistikave rezulton të jetë 70% më e lartë se një vit më parë.

Të dhënat e ofruara nga DRTK Shkodër tregojnë një interes të madh të vizitorëve vendas dhe të huaj për trashëgiminë kulturore të këtyre trevave. Kalaja e Rozafës dhe Kalaja e Lezhës po bëhen gjithnjë e më të njohura si destinacione turistike të rëndësishme.

Kalaja e Shkodrës, apo siç njihet ndryshe me emrin Kalaja e Rozafës, është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe jo vetëm. Ajo ka një pozicion të fuqishëm strategjik duke kontrolluar një territor të gjerë përreth dhe përbëhet prej tre oborreve kryesore që janë në formë shkallësh, duke u ngritur njëri pas tjetrit e që ndahen me porta mes tyre.

Ndërsa Kalaja e Lezhës ngrihet në majë të një kodre me lartësi 186 metra, në lindje të qytetit. Kalaja ka origjinë ilire. Në vitin 1440 ajo iu nënshtrua një rindërtimi nga venedikasit, ndërsa në vitin 1522 pas pushtimit osman u rindërtua edhe nga ana e tyre. Këtu ende mund të shikohen gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine dhe osmane./atsh/KultPlus.com

‘Arkeologu i vogël’, laboratori edukativ për nxënësit në Kalanë e Shkodrës

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër i është bashkuar këtë vit festimeve në Ditët Evropiane të Trashëgimisë.

Nxënës të shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali”, morën pjesë në punëtorinë “Arkeologu i vogël”, e realizuar në hapësirën e Kalasë së Rozafës.

Kjo punëtori stimuloi emocionet dhe kreativitetin e fëmijëve në gjetjet arkeologjike, duke i afruar ata me historinë.

Në laboratorin edukativ të ngritur në mjediset e Kalasë së Shkodrës, të vegjlit u njohën me sekretet e profesionit të arkeologut, mjetet e punës të rëndësishme për zbulimin e artefakteve nga nëntoka, fazat e punës që kalon artifakti, si pastrimi, larja e qeramikës, sitja e dheut për gjetjet e vogla dhe metodologjinë e dokumentimit të këtyre gjetjeve mbi të cilat u punua në praktikë.

Përmes një sondazhi të improvizuar arkeologjik, të vegjlit përjetuan emocionin e “zbulimit” gjatë gërmimit arkeologjik./atsh/ KultPlus.com

Kalaja e Rozafës është ‘veshur’ me flamurin e Ukrainës në shenjë solidariteti

Kalaja e Shkodrës e njohur ndryshe me emrin Kalaja e Rozafës është solidarizuar me ngjarjet e fundit në Ukrainë, duke ndezur ngjyrat e flamurit të Ukrainë në kala, shkruan KultPlus.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër përmes një postimi në “Facebook” ka shkruar se sot më shumë se kurrë vlen misioni i kulturës dhe trashëgimisë historike për të përçuar tolerancën si një nga vlerat më të mira europiane.

“Sot më shumë se kurrë vlen misioni i kulturës dhe trashëgimisë historike për të përçuar tolerancën si një nga vlerat më të mira europiane. Ngjyrat e flamurit të Ukrainës shkëlqejnë këtë mbrëmje në Kalanë e Shkodrës në solidaritet dhe mbështetje të plotë me Ukrainën dhe popullin e saj”, shkruhet në njoftimin e tyre.

Vende të ndryshme nga e gjithë bota po solidarizohen me viktimat dhe gjithë atë se çfarë është duke ngjarë në Ukrainë. /KultPlus.com

Foto: Eniko Mosi