Përveç dëmtimeve të vazhdueshme dhe papastërtisë, kalaja e Tetovës së fundmi ka një armik të ri.
Gërmuesit jolegalë dhe të paidentifikuar në kërkim të arit, përveç që gërmojnë tokën brenda dhe rreth kalasë, kanë shpuar edhe muret e saj.
Kalaja e Tetovës është lënë krejtësisht pasdore nga ana e institucioneve dhe dita ditës po shkatërrohet dhe mbushet me mbeturina. Banorët shprehet të mllefosur ndaj institucioneve që gjithnjë e më tepër po tregohen neglizhentë ndaj këtij monumenti historik.
Edhe përkundër premtimit që muaj më parë bëri drejtori i Muzeut të Tetovës, kalaja për momentin nuk ka as ndriçim, as mirëmbajtje dhe as roje. Drejtori i muzeut sërish premton.
“Do shikojmë që ta zgjidhim këtë problem, por ka territor që është edhe pronë e Kishës ortodokse, por vetë muret dhe objekti janë pasuri e jona dhe ne do mundohemi dhe shpresojmë se në vitin e ardhshëm do të kemi mjete për gjurmime rinovime dhe mirëmbajtje të vet Kalasë”, theksoi për Alsat-M, Miqo Stojçevski, drejtor i Muzeut të Tetovës.
Përgjegjësinë mbi vete nuk e marrin as nga Komuna e Tetovës. Kryetarja Teuta Arifi, shprehet se e vetmja gjë që mund të bëjë është informimi i institucioneve përgjegjëse.
“Paraqitje të kësaj natyre në sistemin tonë po që se ka, normalisht do të drejtohemi tek institucionet përgjegjëse që kanë obligim të bëjnë një gjë të tillë”, tha Arifi./ KultPlus.com