Margariti: Kalatë pikat turistike më të vizituara

Kalatë e shumta anembanë Shqipërisë me historinë dhe arkitekturën e tyre po tërheqin një numër përherë e më të madh vizitorësh vendas, por edhe të huaj.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau sot në rrjetet sociale shifrat e vizitorëve të regjistruar në periudhën janar-korrik në kalatë e vendit.

“Kalatë vazhdojnë të jenë pikat më të vizituara nga turistët. Këtë vit numri i vizitorëve është shumë më i lartë se vitet e mëparshme. Në periudhën janar-korrik kalatë u vizituan nga 111 573 vizitorë vendas e të huaj”, theksoi Margariti.

Margariti ndau gjithashtu shifrat e rritjes së ndjeshme të vizitorëve në kalatë historike gjatëtë njëjtës periudhë në vitet e fundit.

“Në janar- korrik 2022 kalatë u vizituan nga 63 731 , në 2021 nga 69 674 vizitorë dhe në 2020 nga 24 015 vizitorë vendas e të huaj”, tha Margariti.

Në Shqipëri ndodhen një sërë kalash si : kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, Kalaja e Petrelës, Tiranë, Kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër etj.

Kalatë më të hershme të Beratit që vizitohen nga turistët e huaj

Veç kalasë që gjendet në qendër të qytetit mbi Mangalem, në rrethin e Beratit janë dhe disa murana të vjetra rreth tij, që dikur kanë qenë kështjella të banuara.

Ndër to mund të veçojmë:

“Kalaja e Tomorrit (DODONA)” Monument Kulture
Gjendet sipër fshatit me emër Tomorr i Madh. Kalaja e banuar që në antikitet ngrihet mbi një platfomrë shkëmbore, të pjerrët rreth 50 m të lartë, në të cilën arrihet përmes një rruge të ngushtë këmbësorësh.
Në krye të këtij masivi shkëmbor dallohen muret e akropolit, të cilat nuk i përkasin vetëm një periudhe.

Akropoli ka një perimetër rreth 210 m, trashësi të mureve 1 -1,3 m dhe ka formën e një trapezi të çrregullt. Muri antik i përket fazës para bizantine.

Kjo qendër kështjellë ka qenë në një pozitë shumë të mirë strategjike për mbrojtje dhe për rrugëkalimet e rëndësishme nga bregu i detit deri në Konstandinopojë.

Kalaja mbizotëron pamje mbi të gjitha kalatë e Beratit, Mbieshovës. Peshtanit, Mbolanit, Vojakut, Gradishtës së Qeresfirfiloit dhe Kalasë së Vokopolës.

Kalaja është shënuar në kronikat e kohës gjatë rrëzimit të Perandorisë Bullgare gjatë vitit 1018, si edhe është përmendur gjatë ngjarjeve të vitit 1336, si vend takimi për një sërë betejash të rëndësishme.

Kalaja është përdorur nga turqit gjatë kohës së sundimit turk.
Në kala gjenden rrënojat e çisternës së ujit me kapacitet rreth 100000 litër ujë.

Prej kohësh janë ndërprerë studimet mbi këtë kështjellë.
Vitet e fundit ky vend është kthyer në një vend mjaft atraktiv per turistët. Disa operatorë turistikë organizojnë ture përreth kësaj zone.

“Kalaja e Krotinës” (Dimali)

Qyteti antik i Dimalit shtrihet në krahun perëndimor të malit të Shpiragut, në krah të majtë të rrugës automobilistike Berat-Fier.

Rrënojat e qytetit antik pozicionohen në vendin e quajtur Kalaja e Krotinës,(toponim i marrë nga lagja me të njëjtin emër në fshatin Allambrez).
Kushtet gjeografike (444 m mbi nivelin e detit) dhe pozita strategjike e kodrës krijonin kushte mjaft të favorshme për zhvillimin e një vendbanimi në kohët antike.
Afërsia e qytetit me vendbanime të tjera të rëndësishme si Apolonia dhe Bylis, i jepnin një rëndësi të veçantë zhvillimit të marrëdhënieve tregtare me këto qendra.

Identifikimin e rrënojave të vendbanimit mbi kodrën e Krotinës për herë të parë e paraqet arkeologu austriak K. Prashniker, në periudhën e Luftës së I-rë Botërore…

“Kalaja e Goricës”
Shtrihet mbi shtëpitë e lagjes Goricë. Teknika e ndërtimit si edhe qeramika i përkasin shek të IV-të para Krishtit. Mbetjet arkeologjike të kalasë tregojnë se ky vendbanim është më i hershëm se shek. Ill-të pkr.

Ndërprerja e jetës në kalanë e Goricës pas shek. të ll-të para lindjes së Krishtit lidhet me pushtimin Romak. Në këtë kala vihet nëpërmjet një rrugice këmbësorësh, që kalon sipër lagjes me të njëjtën emër. Pamja e qytetit që ofrohet nga kalaja e Goricës është mjaft e bukur.

Sot, këto vendbanime të lashta janë objekte të turizmit historik dhe atij kulturor. /konica/ KultPlus.com