Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” historianin e shquar shqiptar dhe akademikun Marenglen Verli.
“Në vlerësim të veprimtarisë së shquar në studimin dhe promovimin e historisë dhe kulturës sonë kombëtare, veçanërisht asaj të Kosovës dhe të trevave të tjera etnike shqiptare. Me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributet dhe meritat e veçanta shkencore dhe akademike në drejtimin e institucioneve studimore dhe albanologjike të vendit tonë.”
Në fjalën përshëndetëse drejtuar akademikëve, profesorëve dhe personaliteteve të pranishëm, Presidenti Meta e cilësoi një figurë të njohur të fushës së studimeve historike, akademikun e shquar, Marenglen Verli.
Sipas presidentit Meta, vlerësimi i tij, nuk është rastësor, por bëhet në kuadër një momenti të rëndësishme të këtyre ditëve që lidhet me nisjen e edicionit të dymbëdhjetë të ‘Ditëve të Albanologjisë’, organizuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike, institucion ku zoti Verli ka qenë drejtues.
“’Ditët e Albanologjisë’ janë një finalizim dhe promovim i punës së përbashkët të instituteve të Akademisë së Studimeve Albanologjike, në fushat e arkeologjisë, gjuhësisë e letërsisë, historisë, antropologjisë dhe kulturës popullore. Kontributi i tyre merr vlera të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, duke shërbyer si shtyllë referimi për studime të mëtejshme të albanologëve vendas dhe të huaj”, tha Meta.
Verli është një nga studiuesit dhe historianët tanë, më të njohur me një kontribut mbi 4 dekada, në studimin dhe promovimin e historisë dhe të kulturës sonë kombëtare.
Jeta e tij ka qenë e lidhur me studimet shkencore, botimet dhe mësimdhënien, që pas përfundimit të studimeve pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë.
Krijimi i departamentit të ri ‘Sektori i Historisë së Kosovës’, pranë Institutit të Historisë në Akademinë e Shkencave në vitin ’79, solli edhe përfshirjen e Marenglen Verlit në të dhe profilizimin e tij, si specialist i historisë së Kosovës dhe viseve shqiptare në ish-Jugosllavi, kryesisht në periudhën e shekullit të 20-ë, e më tej edhe në historinë e rajonit.
Për katër dekada, akademiku Verli ju përkushtua formimit e kualifikimit të tij si studiues. Pjesëmarrja e tij në dhjetëra konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, ashtu si edhe prania e vazhdueshme në median e shkruar e vizive kanë qenë një pjesë e rëndësishme e punës së tij të madhe.
Meta u ndal edhe në kontributin e Verlit në shumë emisione televizive e radiofonike, veçanërisht për bashkatdhetarët në periudhën e luftës në Kosovë; drejtimin për shumë vite të departamentit të Historisë së Kosovës; drejtimin për 3 vite të Instituti të Historisë dhe, së fundmi, drejtimin për 5 vite të Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Vlen të përmendet gjithashtu, kontributi i Verlit, si një nga nismëtarët e përfshirjes së historisë, gjeografisë, arsimit e kulturës të viseve shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.
Ashtu si vlen të përmendet edhe impenjimi i tij i vazhdueshëm, si titullar lënde, në disa universitete të vendit dhe kontributi i tij, në formimin e brezave më të rinj të historianëve. / KultPlus.com