Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta sot ka vlerësuar me mirënjohje për të gjithë angazhimin dhe përkushtimin e dëshmuar për forcimin e familjes, shoqërisë, por edhe të kombin tonë, Edita Tahirin, me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, përcjell KultPlus.
Edita Tahiri është një personalitet shumë i njohur, që prej dekadash kontribuon për çështjet madhore, siç ka qenë liria dhe e Pavarësisë së Kosovës.
Në kushtet e një represioni dhe një gjenocidi të jashtëzakonshëm dhe jo vetëm kaq, por edhe sot ajo vijon të jetë një zë i fuqishëm, aktiv dhe përfaqësues, me një angazhim të vazhdueshëm edhe si Kryetare e Lobit Rajonal të Grave të Europës Juglindore, duke spikatur në përkrahjen e barazisë gjinore, fuqizimin e grave dhe integrimin e tyre në vendimmarrje.
“Në shembullin e saj të angazhohemi dhe të bashkojmë të gjitha forcat për fuqizimin e mëtejshëm të rolit të vajzave dhe grave, për të ndërtuar një shoqëri sa më përfshirëse, më të drejtë, më humane dhe pa konflikte”, ka shkruar Meta.
Ai është shprehur të jetë i lumtur, që nën moton “Gra që Frymëzojnë” të festohet sot, në Institucionin e Presidentit, Dita Ndërkombëtare e Gruas, së bashku me shumë zonja të nderuara nga të gjitha trevat shqiptare, që kanë spikatur dhe lënë gjurmët e tyre në fusha të ndryshme të jetës, duke u kthyer në shembuj frymëzimi për shumë gra dhe vajza. / KultPlus.com