Kamala Harris: Do të vazhdojmë mbështetjen për Kosovën

Kandidatja demokrate për zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA, Kamala Harris, u është drejtuar me një letër të hapur komunitetit shqiptaro amerikan, ku ndër të tjera ajo vlerëson lidhjet e fuqishme të shqiptarëve me SHBA. Në letër ajo thekson ndihmën amerikane edhe për Pavarësinë e Kosovës dhe mbështetjen që do të vazhdojë ta japë, në qoftë se ajo do të jetë në Shtëpinë e Bardhë, pas zgjedhjeve të 5 nëntorit.

“Amerikanët shqiptarë kanë bërë kontribute të çmuara për kombin tonë për gjenerata të tëra, duke treguar një angazhim të thellë ndaj familjes, komunitetit dhe përpjekjes për liri. Janë qindra mijëra amerikanë shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara dhe qëndresa e komunitetit shqiptar amerikan vazhdon të na frymëzojë të gjithëve”, nis letrën e saj Kamala Harris.

Ajo vlerëson kontributin e vazhdueshëm të shqiptaro amerikanëve, të cilët thotë se tashmë shqiptarët prej punëtorëve, bizneseve të vogla, kanë arritur në profesione të ndryshme, në mjekësi, në drejtësi, e kudo në shërbime publike.

“Amerikanët shqiptarë kanë kontribuar në mënyrë të thellë në strukturën e kombit tonë, duke pasuruar komunitetet me shpirtin e tyre sipërmarrës, vlerat e forta familjare dhe angazhimin e thellë ndaj edukimit dhe angazhimit qytetar. Nga pronarët e bizneseve të vogla deri te profesionistët në mjekësi, ligj dhe shërbimin publik, amerikanët shqiptarë kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin e ekonomive lokale dhe forcimin e strukturës sociale të qyteteve dhe fshatrave në të gjithë vendin.

Që prej më shumë se një shekulli, duke filluar nga Konferenca e Paqes në Paris pas Luftës së Parë Botërore, amerikanët dhe shqiptarët kanë ndarë një lidhje të veçantë. Edhe sot, amerikanët  shqiptarë e kujtojnë se ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që u qëndruan pranë në atë moment të rëndësishëm për pavarësinë e Shqipërisë.

Dua të konfirmoj partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Shqipëria është një aleat i qëndrueshëm i NATO-s, dhe jam mirënjohës për Shqipërinë për promovimin e stabilitetit në rajon, si dhe për udhëheqjen e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjatë muajve pas invazionit të egër të Rusisë në Ukrainë”, ka shkruar Harris.

“Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë udhëhequr aleatët dhe partnerët evropianë për të mbështetur Pavarësinë dhe sovranitetin historik të Republikës së Kosovës dhe vazhdojnë të mbështesin një Kosovë multietnike dhe demokratike, plotësisht të integruar në komunitetin ndërkombëtar.

I kuptoj sfidat unike në vendin tonë, që shumë prej komunitetit shqiptaro amerikan përballen dhe unë angazhohem për politika që e fuqizojnë këtë komunitet, duke përfshirë luftën për një ekonomi me mundësi dhe mbrojtjen e të drejtave civile për të gjithë. Pjesëmarrja e amerikanëve shqiptarë në demokracinë tonë është më e rëndësishme se kurrë. Së bashku mund të formojmë një të ardhme që pasqyron vlerat dhe aspiratat tona të përbashkëta” ka theksuar Kamala Harris.

“Faleminderit për gjithçka që kontribuoni në këtë vend të madh”, përfundon letrën e saj, zëvendëspresidentja amerikane, e cila po pret votën e shtetasve amerikanë për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen të martën, me 5 nëntor.

Kamala Harris nuk humb kohë, nis intervistimin e tre kandidatëve të mundshëm për nënpresident

Kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris do të bëjë intervista të dielën në rezidencën e saj me tre kandidatët kryesorë për nënpresident: guvernatorin e Minesotas, Tim Walz, senatorin Mark Kelly nga Arizona, si dhe guvernatorin e Pensilvanisë, Josh Shapiro.

Zonja Harris pritet ta njoftojë ndoshta që të hënën përzgjedhjen e saj, përpara se të bëjë paraqitjen e parë publike së bashku me kandidatin për nënpresident gjatë një aktiviteti elektoral që pritet të mbahet të martën në Filadelfia. Ekipi i saj elektoral po planifikon gjithashtu një njoftim nëpërmjet mediave sociale, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters zyrtarë në dijeni të çështjes.

Zonja Harris u takua të shtunën me grupin e punës që ka marrë në shqyrtim kandidaturat. Ndër anëtarët e grupit të punës është edhe ish-prokurori i përgjithshëm Eric Holder, firma ligjore e të cilit, “Covington & Burling LLP”, analizoi gjendjen financiare dhe historikun e kandidatëve. Zoti Holder dhe kolegët e tij paraqitën një përshkrim të detajuar të secilit prej kandidatëve, thanë persona në dijeni të procesit.

Zonja Harris bëri gjithashtu një takim 90-minutësh të premten me sekretarin e Transporteve, Pete Buttigieg. Kandidatët do të informohen ndoshta të hënën në mbrëmje, ose të martën në mëngjes nëse janë përzgjedhur.

Përzgjedhja e personit që do të kandidojë së bashku me të, është një ndër vendimet më të rëndësishme për karrierën politike të zonjës Harris, ndërsa po përpiqet të ngrejë me shpejtësi një fushatë elektorale për ta sfiduar ish-Presidentin Donald Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit, pasi Presidenti Joe Biden u tërhoq nga kandidimi muajin e kaluar.

Kandidatët në listë janë të gjithë burra të bardhë, të cilët kanë tërhequr historikisht në zgjedhje votuesit në zonat rurale, të bardhët apo të pavarurit.

Vendimi që do të marrë zonja Harris do të ndikojë gjithashtu drejtimin e ardhshëm të Partisë Demokrate, duke fuqizuar edhe për zgjedhjet e tjera në të ardhmen, kandidatin që do të përzgjidhet tani.

Zoti Shapiro, një ndër kandidatët kryesorë, është përballur me kritika të ashpra nga e majta, në veçanti nga grupet progresiste dhe aktivistët pro-palestinezë, për mbështetjen që i jep Izraelit dhe për mënyrën se si menaxhoi protestat që u bënë në universitete për shkak të luftës në Gazë.

“Duhet korrigjuar politika për Gazën dhe duhet një axhendë politikash në favor të klasës punëtore, përfshirë një axhendë pro afrikano-amerikanëve”, tha Nina Turner, e cila ka qenë bashkëkryetare e fushatës elektorale të Bernie Sandersit në vitin 2020 dhe është gjithashtu studiuese në Institutin për Racën, Pushtetin dhe Ekonominë Politike, një organizatë kërkimore progresive. “Përzgjedhja e guvernatorit Shapiro do ta hiqte këtë mundësi”.

Ka patur gjithashtu pikëpyetje rreth mënyrës se si ai pati menaxhuar një ankesë për ngacmim seksual ndaj një ndihmësi të tij të hershëm. Gjithashtu, sindikata e Punëtorëve të Bashkuar të Automobilëve (UAW), e cila dha rishtazi mbështetjen për kandidimin për presidente të zonjës Harris, e ka kritikuar zotin Shapiro për thirrjet për të zgjeruar programet që mundësojnë kanalizimin e më shumë parave të taksapaguesve drejt shkollave private.

Disa organizma të tjera sindikale e kanë akuzuar zotin Kelly se ka kundërshtuar projektligje që ata thonë se do të fuqizonin sindikatat.

Shawn Fain, president i sindikatës UAW, tha se megjithë mbështetjen për kandidimin për presidente të zonjës Harris, sindikata e tij me 370 mijë anëtarë nuk mbështet kandidaturat e zotërinjve Kelly dhe Shapiro.

Zoti Walz është bërë ndër të preferuarit e progresistëve dhe grupeve të të rinjve, të cilëve u pëlqejnë kritikat që ai bën ndaj ish-Presidentit Trump.

Në moshën 60-vjeçare, zoti Walz është vetëm një vit më i moshuar se zonja Harris, por kritikët thonë se ai duket shumë më i moshuar, një disavantazh i mundshëm për fushatën elektorale, që po përpiqet të tejkalojë tërheqjen nga gara të Presidentit Biden për shkak të shqetësimeve për moshën e tij të madhe.

Zoti Walz iu përgjigj këtyre kritikave në rrjetin X, duke thënë se pamja e tij është e atillë për shkak se ka qenë mësues në shkollën e mesme dhe se ka “mbikqyrur mencën për 20 vite. Nuk largohesh nga ajo punë me flokë në kokë. Besomëni”, shkruajti ai./VOA/ KultPlus.com