Dasëm te dajtë

Poezi nga Nerimane Kamberi


Shkoi korriku, përvëlues.
Rrugës për te dajtë,
autostradës së fëmijërisë,
lulediellet ishin aty, si dikur.
Shpinë e vjetër e kishin rrëzu,
m’i ndërtu dy të reja, kur ishin nda djemtë.
Oborri ushtonte si kullë babiloni,
ku gjuhët përziheshin me këngët e kurbetit.
Të gjithë vallëzonin,\rreth flamurit të përbashkuar.
“Kam me bujtë te dajtë » thoshte djali i tezës,
burrë gjashtëdhjetëvjeçar, pak i dehur e shumë qejfli.
« kam me bujtë te dajtë », thosha unë.
Mosha është punë matematike, ne prapë ishim të vegjël.
“Mirësevini në dasëm” na shkruante mbi krye,
aty ku dilnim në fotografi.
Dajtë na shtrëngonin duartë,
por jo të gjithë, disa nuk janë më.
As nana nuk është më./KultPlus.com

‘Bonbonat’

Poezi nga Nerimane Kamberi

Shikoj kunatin
duke marrë një bonbon në tavolinë
dhe buzëqeshi.
“Kanë mbet nga festa”, i them.
Nana nuk më priste te oborri,
nana nuk është më.
Pashë bonbonat te xhami,
“për fëmijtë për festë” më tha nusja.
“Bajram, Bajram” thërrisnin ata,
merrnin nga një, dhe shkonin te shpija tjetër.
Fundja mbetet dashuria,  dhe kujtimet,…
të tjerat janë kot, ama bash kot./ KultPlus.com