Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Komunën e Kamenicës, ka çelur këndin më të ri arkivor në Kosovë. Pas Prishtinës, Podujevës, Ferizajt, Istogut, Vushtrrisë, Prizrenit, Rahovecit, Suharekës dhe Drenasit, shërbimi arkivor i DPA-së shtrihet edhe në Kamenicë, ku bashkombasit do mund të hulumtojnë dokumentet arkivore me të njëjtën procedurë dhe formë, si të ishin në Sallën e Studimit në Tiranë.
Në përurimin e këtij këndi morën pjesë drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido dhe kryetari i Komunës Kamenicë, Kadri Rahimaj. Në shpjegimin e hapave që duhen ndjekur për regjistrimin e studiuesve dhe për adresimin e kërkesave të tyre, Bido nënvizoi se falë Këndeve Arkivore të stacionuara në dhjetëra qytete, brenda dhe jashtë Shqipërisë, garantohet unifikimi dhe lehtësimi i qasjes ndaj trashëgimisë dokumentare të kombit.
Nëpërmjet këtyre hapësirave studimore të çelura kudo ku frymon shqiptaria, në Kosovë, në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, në Greqi dhe pranë arbëreshëve në jug të Italisë, i është dhënë një hov i mëtejshëm kurbës së dokumenteve të shërbyera.
Prej nisjes së procesit të digjitalizimit në vitin 2019, DPA-ja përfaqëson aktualisht arkivin qendror më digjital në Europë me rreth 19 milionë dokumente të skanuara, të cilat prej shtatorit mund të aksesohen edhe përmes Sallës së Studimit Online nga shtëpia e çdo shqiptari.
Për të përftuar aksesin falas në materialet arkivore, hulumtuesi duhet të regjistrohet më parë në rrugë online në adresën katalogu.arkiva.gov.al, pa qenë e nevojshme të paraqitet në mjediset e Këndit Arkivor. Më pas, kërkesa e depozituar prej tij për hapjen e një llogarie, do të aprovohet brenda harkut kohor të një dite pune.
Ndërkohë, përmes postës elektronike aplikuesi do të pajiset me fjalëkalimin që i mundëson aksesimin e dosjeve të porositura, në ditën e përzgjedhur nga vetë ai. Këto materiale qëndrojnë të qasshme për pesë ditë pune, kohë gjatë të cilës studiuesi mund t’i konsultojë në Këndin Arkivor. /atsh/ KultPlus.com