Flonja Haxhaj
Në mbrëmjen e 3 tetorit 2024, Amfiteatri i Bibliotekës Universitare të Prishtinës u mbush me tingujt e që shpërfaqnin emocion e virtuozitet, teksa publiku i koncertit “Future Virtuoso” pati privilegjin të dëgjonte një nga talentet më të reja muzikore, violinisten 12-vjeçare Sibora Resyli, shkruan KultPlus.
Në kuadër të edicionit të sivjetëm të festivalit, ‘KamerFest’, Sibora Resyli shkëlqeu përmes një programi të jashtëzakonshëm, duke interpretuar vepra të kompozitorëve klasikë si Johann Sebastian Bach, Jules Massenet, Felix Mendelssohn dhe Antonio Vivaldi.
Nën shoqërimin e pianistit Melos Buza, Resyli sfidoi kufijtë e moshës së saj, duke përçuar me një qartësi të rrallë ndërlikimet teknike dhe emocionalitetin e veprave të përzgjedhura. Pjesët e luajtura përfshinë momente të forta dinamike dhe të brishta, të cilat u interpretuan me mjeshtëri të jashtëzakonshme, duke mahnitur publikun e pranishëm.
Pas koncertit, Sibora Resyli ka folur për KultPlus duke u shprehur se është e kënaqur me koncertin e sotëm, e për të arritur këtu, ajo thotë se ka punuar me orë të gjata.
“Jam e kënaqur me veten për këtë koncert. Jemi përgatitur për tre muaj dhe kam mbajtur mësime intensive. Pesë orë në ditë kam mbajtur mësime vetëm me mësuesen Shqipe dhe e falënderoj shumë për këtë përkushtim të saj. Ka qenë e vështirë në fillim pasi ka qenë programi i avancuar. Por pastaj fillova të punoj edhe më shumë dhe pastaj u mësova.”, u shpreh Resyli, duke shtuar më tutje se veprat e vështira i i pëlqejnë më shumë dhe se sa më e vështirë që është një vepër, aq edhe më e bukur.
Ndërkaq, për KultPlus foli edhe mësuesja e muzikës, Shqipe Bajraktari, e cila theksoi se ka punuar me Siborën që kur ajo ishte 6-vjeçe, dhe për të është kënaqësi që nxënësja e saj të realizojë koncerte të këtij niveli.
“Sibora më është dukur sot fantastike. Është nxënëse imja, një fëmijë 12-vjeçar që me orë të tëra ushtron, deri në gjashtë orë në ditë. Ky është program që luhet në nivelin master. Sibora për vetëm dy muaj e gjysmë e ka punuar që ndoshta studentët e punojnë për rreth gjashtë muaj”, tha Bajraktari për KultPlus.
Ndërsa tre koncertet e radhës të festivalit Kosova KamerFest do të realizohen në datat: 6, 8 dhe 26 Tetor me artistët: José Gallardo, Xhafer Xhaferi, Altin Tafilaj, Sihana Badivuku, Rron Bakalli, Orkestra harkore KamerFest, WBYO-Western Balkans Orchestra dhe “Les Essences “ ,Desar Sulejmani dhe Önder Baloglu./KultPlus.com