Përkujtohen të rinjtë durrsakë të internuar në kampet e nazizmit

Me rastin e 20 nëntorit 1943, në lapidarin simbol të kësaj dite, bashkia e Durrësit ka organizuar një ceremoni në përkujtim të gjithë atyre të rinjve luftëtarë e patriotë që u internuan në kampet e përqendrimit nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryetari i bashkisë Vangjush Dako, kreu i këshillit të qarkut Alfred Mullaraj, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor e qendror, veteranë të luftës etj.

Të pranishmit bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule në nderim të sakrificave të gjithë atyre të rinjve që u persekutuan dhe u internuan në kampet e shfarosjes masive gjatë pushtimit nazist të vendit.

Në mëngjesin e 20 nëntorit të vitit 1943 qytetarët durrsakë përjetuan një ngjarje tronditëse, bastisjen e shtëpive nga nazistët dhe marrjen me forcë të bijve të tyre. Këta të rinj durrsakë u sollën me dhunë në fushën e Shkozetit, aty ku ndodhet ky lapidar, dhe më pas i hipën nëpër kamionët e ushtrisë gjermane duke i dërguar fillimisht në burgun e Tiranës e po atë ditë në kampet e shfarosjes si në Prishtinë, Mat’hauzen, Dakau etj.

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako pasi kreu homazhet dhe vendosi kurorë me lule në lapidarin që përkujton patriotët durrsakë, deklaroi se sakrificat e këtyre njerëzve dhe të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për lirinë e Durrësit dhe të krejt vendit do të përkujtohen me nderim në çdo kohë.

Në emër të Bashkisë fjalën e rastit e mbajti drejtori i Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Komuniteteve Fetare në Bashkinë e Durrësit Adrian Gurra i cili u shpreh se “në pllakat memorative në varrezat e dëshmorëve të qytetit janë 43 emra të rinjsh që u vranë në kampet e Dakau, Mat’hauzenit etj. Ata të rinj durrsakë me sakrificën e tyre dhanë një mesazh të rëndësishëm, atë të luftës për liri duke sakrifikuar edhe jetën pasi atdheu është më i shtrenjti”.

“Sakrificat e këtyre të rinjve mbeten një mesazh i fuqishëm për të gjithë brezat që e duan Shqipërinë. Ne i kujtojmë me respekt të thellë ngjarjet e protagonistët që e shkruan atë histori të lavdishme në të shkuarën, duke reflektuar për lirinë dhe vlerat e lirisë në jetën që bëjmë, shoqërinë ku jetojmë, botën që ndërtojmë”, nënvizoi Gurra.

Sipas tij, nderimi i veprave të mëdha patriotike e i vetë protagonistëve të lavdishëm të së shkuarës së qytetit tonë duhet të mos mbetet thjesht një nderim ceremonial për të shkuarën, por të jetë njëkohësisht edhe vijimi i atyre veprave, përmes reflektimit në jetën e punën tonë, të vlerave që sot na mblodhën këtu, në emër të lirive e të të drejtave që u mbrojtën me jetë njerëzish.

Gurra tha se ne jemi krenarë teksa kujtojmë të gjithë këta durrsakë dhe shqiptarë, që kanë luftuar e kanë dhënë jetën, për vlera monumentale që sot qëndrojnë në themel të ekzistencës tonë.

“Kjo është një ditë historike, një nga momentet kur secili prej nesh qytetarë, të rinj, të moshuar, të gjithë brezat reflektojnë mbi të shkuarën dhe të ardhmen mbi përpjekjet dhe sakrificat njerëzore deri në humbjen e jetës në emër të një kauze të madhe, në emër të lirisë së Atdheut. Mirënjohje dhe respekt për të ata të rinj që bënë rezistencë antifashiste dhe vuajtën në burgjet dhe kampet e përqendrimit nazist”, theksoi Gurra.

Në këtë ceremoni e kanë marrë fjalën edhe veteranë të luftës të cilën sollën kujtimet e tyre nga lufta antifashiste nacionalçlirimtare dhe nga dita kur të rinjtë patriotë të Durrësit u internuan drejt kampeve të përqendrimit./ KultPlus.com