Ambasadori i Gjermanisë, Peter Zingrafviziton ish-kampin e internimit në Tepelenë: Kujtimi i krimeve në ketë vend duhet të mbahet i gjallë

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf ka vizituar ish-kampin e internimit në Tepelenë.

Gjatë vizitës në ish-kampin e Tepelenës, ambasadori Peter Zingraf mësoi më shumë rreth krimeve të tmerrshme të regjimit komunist në Shqipëri. “Kujtimi i asaj kohe dhe krimeve që u kryen në këtë vend duhet të mbahet gjallë. Mësimet nga e kaluara janë kujtesë për të tashmen dhe të ardhmen”, tha ai.

Kampi i internimit në Tepelenë, u vendos nga regjimi komunist buzë lumit Vjosa në të hyrë të Tepelenës, në anën perëndimore, rrëzë kodrës së stërmadhe që u zinte diellin kazermave të kampit, ku pak më tutje ndodhej burgu i Bënçës dhe shtatë kilometra më tej një tjetër kamp famëkeq internimi, ai i Turanit.

Ish-kampi i internimit Tepelenë u ndërtua në vitin 1949 dhe funksionoi deri në mars 1954. Në kampin e Tepelenës kishte të internuar nga e gjithë Shqipëria, por kryesisht mbizotëronin të internuar nga veriu dhe Shqipëria e Mesme. Të ardhurit ishin familje me gra dhe fëmijë dhe të përqendruar në grupe në një kazermë ku numri i të internuarve arrinte deri në 300-600 persona. Kazermat ishin vendosur njëra pas tjetrës duke e çuar numri deri në 2300 të internuar gjithsej në të gjithë kampin./ atsh/ KultPlus.com

36-të torturat e komunizmit, nga futja e kripës në mish deri te futja në arkivol për së gjalli

Rrahje me dru, shpim i mishit me tel të djegur, futja e kripës në mish, lënia në ujë të ftohtë, lënia pa bukë deri në vdekje, varje me kokëposhtë, shtrëngimi i gjinjve me pinca, maçoku në tumane, mbushja e gojës me kripë , futja e jashtqitjes në gojë…

Kjo listë e hartuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) në Shqipëri, bazuar në një dokumentacion të gjerë arkivor dhe dëshmi gojore nga ish të persekutuar, cilësohet si lista zyrtare e torturave të përdorura gjatë regjimit komunist nëpër qelitë e hetuesive, zyrat e ish Sigurimit të Shtetit dhe rrethana të tjera represioni, gjatë viteve 1945-1991 në Shqipëri.

Llojet e torturave

1-Rrahje me dru, deri në shkaktimin e plagëve

Është torturë klasike e përgjithshme e bërë në hetuesi nga oficerët e Sigurimit e ndihmësit e tyre. Kjo torturë konsiston në goditjen me dru ose thupra (drunj të vegjël) të të pandehurit në kokë ose pjesë të trupit. Është përdorur masivisht kundër të gjithë të pandehurve apo personave të kapur sekret nga Sigurimi. Kjo lloj torture konsiston në goditjen e drejtpërdrejtë e të menjëhershme me një mjet të fortë. Ka qenë një torturë e “thjeshtë” që nuk kërkonte shumë kushte apo mjete.

2-Kruarje e plagëve të qelbëzuara me dru

Zhvillohej kur kishte avancuar faza e torturës dhe kishin filluar të zinin kore. Nga kjo torturë e rëndë ka vdekur në vitin 1947 Loni Adam, ish funksionar i ambasadës amerikane, ndërsa trupin kishin filluar ta hanin krimbat. Kjo lloj torture mund të kalonte deri në çmendjen e personit nga dhimbja e madhe.

3-Shpimi i mishit me tel të djegur

Ka qenë torturë barbare e përdorur sidomos vitet e para. Personit i ngulej një tel i nxehur në mish e cila depërton lehtësisht mbi mish e nga kjo kalon drejtpërdrejt në kockë. Prekja e kockës kishte pasoja të rënda sepse kalonte në humbjen e jetës, ose pasoja të rënda në shëndet, por edhe në çmendje. Nga përdorimi i kësaj torture ka vdekur avokat Muzafer Pipa në tetor 1946.

4-Përdorimi i rrymës elektrike në veshë e në trup

Ka qenë teknikë e përdorur nga Sigurimi dhe hetuesia. Përdorimi i madh i kësaj metode ka çuar në çmendje shumë persona. Rryma elektrike kalonte në trupin e personit të marrë të pandehur, në mënyrë që ai të thyhej për të pranuar procesin ose treguar gjëra në kurriz të të tjerëve.

5-Futja e kripës në mish

Përdorej për të acaruar gjendjen e të pandehurit. Kjo lloj torture përdorej në rastin kur plagët kishin përparuar. Përdorimi i kësaj torture kishte efekte psikike të forta, duke kaluar shpesh edhe në çmendje.

6-Lënia në ujë të ftohtë apo në fuçi uji

Ishte koha kur i pandehuri nuk pyetej. Trupi i lihej në një pellg me ujë në dimër në mënyrë që të kishte pasoja në shëndet. Pasojat ishin në dobësim zemre, mushkëri të sëmura, etj. Po ashtu personi vendosej në një fuçi uji. Kjo metodë përdorej kryesisht kur ishte gati ta zinte gjumi si dhe në orën e gjumit.

7-Lënia pa bukë deri në vdekje

Është një torturë e përdorur në hetuesi, por në raste speciale edhe në burgje. Ka ndodhur p.sh. me ish kryeministrin Kostaq Kota që vdiq në burgun e Burrelit në vitin 1948.

8-Lënia pa bukë për disa kohë

Përdorej në hetuesi dhe në izolim në burgje. Përdorimi i kësaj torture synonte thyerjen e të pandehurit në mënyrë që ky të mendonte se jetën e kishte të shkurtër.

9-Lënia zhveshur në të ftohtë

Përdorej në hetuesi dhe pothuaj në burgje si masa disiplinore. Kjo lloj torture kishte edhe efekte psikologjike për nga fotografimi i pamjes kur i dënuari lihej të shikohej nga të burgosur të tjerë.

10-Jeleku

Përdorej si mjet ndihmës për të rritur efektin e torturës. Muço Sali deklaronte: “Janë vënë në jelek dhe me një dru në mes të duarve dhe të këmbëve vareshin në dy stola, gjë që i bënte njerëzit si breshkë, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha”. Jepej ideja sikur njeriu ishte vendosur në hell për t’u pjekur.

11-Dinamit në trup

Vendosja e dinamitit në trup kishte efekt në zemër dhe në tru. I pandehuri kërcënohej se do hidhej në erë. Oficeri i Sigurimit vazhdimisht mbante shkresën në dorë duke dhënë përshtypjen se mund ta ndizte fitilin. Rriste stresin dhe ankthin me shpejtësi të madhe, duke kontribuar në sëmundje të rënda e të pashërueshme.

12-Shtrëngim i gjinjve me pinca

Një torturë e përdorur te meshkujt, linte pasoja në lëkurën e mishit të personit që torturohej. Përdorej sepse gjinjtë si gjëndra lëshonin efekt të fortë dhimbjeje.

13-Futja e të pëgërëve (jashtëqitjes) në gojë

Kryhej shumë vitet e para sidomos ndaj klerikëve që mbanin mjekër. E kanë përdorur ndaj Sheh Ibrahim Karbunarës. Jo vetëm që të shkaktonte dhimbje nga era e keqe, por grumbullonte edhe mizat.

14-Varje me kokë poshtë

Është përdorur rëndom ndaj personave të akuzuar për krime shumë të rënda politike. Ka qenë ndër torturat më rraskapitëse e cila linte pasoja të mëdha mendore.

15-Lidhje me lin

Lidhja me fijet e linit shkaktonte vija në trupin e një njeriu. Kjo lloj lidhje shkaktonte deformime, të cilat i shiheshin personit gjatë gjithë jetës.

16-Lënie në diell

Përdorej si torturë për të burgosurit e për të paraburgosurit, në degë të punëve të brendshme ose në kampe pune. Nuk përdorej në burgje. Në kampe, i dënuari lihej në diell, kryesisht muajt e verës, në vendet ku punohej. Kjo jo vetëm për t’i shkaktuar torturë, por edhe për të shërbyer si shembull për të tjerët.

17-Maçoku në tumane

Përdorej kryesisht ndaj femrave. Maçoku futej brenda tumaneve të femrës dhe pastaj goditej me dru nga jashtë. Përpjekja e maçokut me thonjtë e tij për të dalë nga kjo gjendje, shkaktonin dhimbje të mëdha te femra që kishte veshur tumanet.

18-Përgatitje e varrit

Përdorej në dy forma: e para, para një varri të hapur ku bëhej gati improvizimi i vrasjes së të dënuarit dhe e dyta, kur i pandehuri hapte vetë varrin ku mendohej se do varrosej.

19-Arma në gojë

Mjet presion që zhvillohej shpesh gjatë hetuesisë. I pandehuri kërcënohej se do vritej nëse nuk tregonte.

20-Tentativë për çnderim të vajzës

I bëhej drejtpërdrejtë personit të pandehur ose shërbente si mjet presioni ndaj tij, kur i sillnin një femër të familjes si gruan, vajzën, etj.

21-Djegia e organeve seksuale

Përdorej djegia me benzinë, e provuar ndaj Alfred Ashikut nga oficeri Cole Bashari.

22-Rrahja me kamxhik

Përdorej me kamxhikët e kafshëve. Kamxhiku i lëshohej në qafë të pandehurit në formën e një gjarpri që mblidhet shpejt rreth një peme. Por përdorimi i kamxhikut përdorej edhe si rrahje e drejtpërdrejtë në vend të drurit. Pasojat ishin të mëdha si, dëmtim i mishit, i enëve të gjakut, etj.

23-Lëshimi i pikës së ujit në kokë

I pandehuri lidhej në një tavolinë dhe nga tavani i lëshonin periodikisht pika të forta uji që binin rëndë në kokë.

24-Vendosja e mangallit në vapën e gushtit

I futej në qeli të pandehurit në kulmin e vapës, në temperatura të larta të verës (dëshmi e Xhevat Xhafës). Kjo lloj torture i shkaktonte të burgosurit një siklet të madh, djersë pa fund e dobësim të mëtejshëm.

25-Lënia në këmbë

Përdorej për të lodhur e sëmurë të pandehurit. Shkaktonte sëmundjet e kockave, mesit, etj.
26-Lënia për të fjetur mbi çimento
Përdorej në hetuesi dhe në biruca gjatë vuajtjes së masës disiplinore.

27-Shkaktimi i etjes dhe mbushja e gojës me kripë

Përdorur nga hetues Irakli Kocani.

28-Lidhja me hekura në mur e lënia për disa ditë ashtu

Është përdorur nëpër qeli ndaj të paraburgosurve. Ka shkaktuar dhimbje kockash e organesh të brendshme.

29-Detyrimi për të kënduar natën

Vendosej muzika për të zhdukur zhurmat ose shumë të pandehur detyroheshin të këndonin natën.
“Detyroheshin të këndonin si gjela dhe të kakarisnin si pula, siç i është bërë Islam Radovickës, nga Sigurimi i ushtrisë”.

30-Futja në biruca të errëta

Dëshmi: “Futnin nëpër biruca të errëta nga një njeri dhe në mesin e natës një tjetër ishte porositur të bënte si qen, të ulërinte dhe të kafshonte të burgosurin tjetër”.

31-Lyerja me marmelatë

Dëshmi: “Janë lyer me marmelatë në sy, veshë e hundë dhe kanë vënë një tjetër për t’i lëpirë”.

32-Shurdhimi

Vënia në stres të përgjithshëm, duke shkaktuar zhurma të pandërprera. Kjo torturë është provuar e kryer në burgun e Burrelit.

33-Përdorja e tymit brenda qelive

Shkaktohej nga djegia e materialeve të ndryshme e futja e tymit të tyre nëpër qeli. Provuar e kryer në burgun e Burrelit.

34-Futja në arkivol

Mjet presioni për të pranuar procesverbalin e hetuesisë. I pandehuri mbyllej brenda arkivolit për disa minuta ose orë, duke i krijuar përshtypjen e vdekjes.

35-Goditja me pëllëmbë e me shqelma

Ka qenë tortura më e përhapur dhe fillestare. Ajo ushtrohej nga hetuesit si fazë e parë e torturës psikologjike. Hetuesi e përdorte për të thyer të pandehurit e dobët, në mënyrë që të pranonin sa më shpejt procesin.

36-Hedhja nga lartësia

Torturë e përdorur shpesh në hetuesi, sidomos ndaj moshave të thyera. Shpesh herë prej kësaj torture, të proceduarit kanë vdekur. / KultPlus.com

Foto nga Kampi i Tepelenës

Djaloshi me sytë e trishtuar që u internua në Tepelenë në moshën 13 vjeçare, emri i tij nuk figuron në regjistra internimi

Nga Ardita Repishti

Djaloshi me sytë e trishtuar në foto, është babi kur ishte 13 vjeç, pak javë para se ta internonin në Tepelenë, me motrën 15 vjeçe dhe nanën e shumëmunduar. Vëllai i madh, Samiu, ishte arrestuar që në 1945 dhe vuante dënimin në burgjet kampe të punës së detyruar. Vëllai tjetër, Fahriu, 22 vjeçar, u arratis nga malësia e Mbishkodrës, për t’i dhënë vetes mundësinë e jetës në liri.

Zgjedhja e tij e jo vetëm, ndikoi jetën e familjes së mbetur në shtëpinë qindvjeçare në Shkodër. Babi tregonte se kur u erdhi kamioni te shtëpia dhe u dha një orë kohë për t’u bërë gati se do të internoheshin, në rrëmujën e ngutin me të cilin e ëma dhe e motra merrnin sendet personale e ato të domosdoshme për të jetuar, ai vraponte nëpër shtëpi që të gjente strajcë për të futur librat e dhuruar nga shkolla, si nxënësi më i mirë. Kishte idenë se do t’i duheshin atje ku do të shkonte, pa qenë fare i përgatitur për çfarë e priste.

Familja u largua nga shtëpia qindvjeçare dhe e la derën hapur. U ngushtuan mbi kamion me dajën, kushërinjtë dhe familjarë të tjerë të arratisurish, për ta mbajtur frymën në kalanë e Beratit.

Atje qëndruan disa kohë, në kushte të vështira, të pamundura, me shumë familje të tjera të veriut, që shtoheshin dita-ditës. Në kujtimet e babit kishte beratas fisnikë, që ndihmonin të ardhurit me sa kishin mundësi. Kishte hutim për jetën në mjediset e papërshtatshme të kalasë dhe mirënjohje për moshatarët vendas që i mbajtën afër, të cilët, pas 40 vjetësh, ai shkoi t’i kërkonte e takonte.

Nga Berati, familja e mbetur Repishti u transportua për në Turan të Tepelenës.
Këtu babi nuk donte të fliste më. Kujtimet e tij ishin të copëzuara, të ngarkuara me dhimbje, shumë rrallë i ndau me ne.
Miku i tij në internim që e takova më vonë duke i kërkuar të më fliste për të, më thoshte se ishte e natyrshme. Njeriu s’e ka të lehtë të flasë e tregojë për një kohë kur është gjithnjë i poshtëruar. Pa folur për të tjerat.

Historitë e babit, hallës e gjyshes në Tepelenë janë të pakta. Me vështirësi i kam mbledhur nga shprehjet e tyre, kujtimet apo bisedat me axhën, i cili më shumë se të gjithë mban mend, i ka jetuar në vetë të parë dhe mund t’i lidhë të gjitha.

Pastaj lirimi, pritja gati njëvjeçare në kamp se nuk kishte makinë për t’i larguar që atje, dhe rikthimi në ahurin e shtëpisë në Shkodër, të banuar e keqpërdorur nga të tjerë, por prapë, shumë e dashur para tmerreve të Turanit e Tepelenës.

Dhe përpjekjet për mbijetesë, përshtatja me realitetin e ri, ku në shtëpinë e vet, në lagjen e vet, në qytetin e vet, ai ishte i mituri i kthyer nga internimi, me vëllanë në burg, vëllanë tjetër të arratisur, largimet e njëpasnjëshme nga shkolla, punët e rëndomta, djegia e shpresës për më mirë…

Këtë fotografi dhe tekstin shpjegues nga pas e gjetëm në shtëpi, në kopje për secilin nga ne, pasi u kthyem nga Tirana, ku babi nuk i mbijetoi sëmundjes. Sirtari i tij me letra, kujtime, shënime, dokumente, ishte sistemuar në përsosuri. Ai kishte riprodhuar foton e dëmtuar të fëmijërisë për ne të gjithë. Pa bujë, në heshtje.

Teksti i shkruar nga pas, i cili nis në vetë të tretë, është dëshmia e vetme me shkrim që më ka lënë babi për Tepelenën.

Vlerën e tij e kuptova kur ai nuk ishte më e nuk mund të përgjigjej. Dhe sa shumë pyetje ka…

Sa shumë nevojë për të ditur, njohur, kuptuar, thelluar, reflektuar, vepruar, ndërmarrë…

Kanë kaluar mbi dhjetë vjet që babi nuk është më. Emri i tij, as i gjyshes sime fisnike nuk figuron në regjistra internimi e dënimi, sikur të mos ishin larguar kurrë nga shtëpia, të mos kishin kaluar mundimet e kalasë së Beratit, tmerret e Turanit e Tepelenës, të mos kishin jetuar përherë në trysni… Ata mbyllën sytë dhe duket sikur nuk kanë qenë kurrë….

Jo vetëm ata. Shumë si ata… Fëmijët që u tretën në Tepelenë e jo vetëm, familjarë të tyre, sa e sa histori të pabesueshme që mbetën pa rrëfyer, që mezi zbulohen në kujtimet e bashkëkohësve që ikin dita-ditës dhe fiken, bashkë me zërat e tyre.

Dëshmitë e të gjithë atyre që i mbijetuan çnjerëzimit, shtypjes e ligësisë, janë të rëndësishme.

Ata i sjellin në të sotmen fatet e njerëzve tanë, i japin ngjyra asaj ane të historisë për të cilën është bërë kujdes të asgjësohen apo tjetërsohen dokumentet, por jeta dhe fryma mbeten, edhe kur nuk duken, edhe e vërteta…

Këtë foto e mbaj pranë vetes.

Babi më sheh i trishtuar, fëmijë, nga një dimension që unë nuk ia njoha kur ishte me ne.

Por babi 13 vjeç, në pritjen e ankthshme të të panjohurës, ka një forcë që nuk mund ta gjej gjithkund.

Babi im fëmijë, i bardhë, i pafaj e fisnik, nuk flet, por thotë shumë; nuk bën, por vepron, nuk ndërmerr, por vendos.

Sa histori mund të lidhen me një foto, ku kohët nuk janë rend kronologjik… / KultPlus.com