Gili Hoxhaj
Nata e dymbëdhjetë e Kamefestit solli veprat e kompozitorit nga Kosova, Zeqirja Ballata, krejt kjo si shënim i 75-vjetorit të lindjes së kompozitorit. Kur flitet për kompozimin në Kosovë, Zeqirja Ballata është një nga figurat e para që lidhet me këtë fushë. Veprat e tij të shkruara në kohë të ndryshme mbrëmë erdhën përmes instrumentit të klarinetës e pianos, e po ashtu në zërin e baritonit Armand Likaj. Me këtë koncert u dëshmua se gjuha muzikore e Zeqirja Ballatës është bashkëkohore dhe e veçantë. Edhe pse në kompozimet e tij ka elemente të muzikës popullore shqiptare ato nuk vërehen aq lehtë, ngase i përpunon dhe i ndryshon në masë të madhe, shkruan KultPlus.
Ballata i cili përcillte nga rreshti i parë lojën e instrumentistëve, në mes të koncertit do të ngjitej edhe vet që të interpretonte përkrah tyre, duke i dhënë frymë autentike çdo notë që e kishte kompozuar në partiturat që i qëndronin përballë pianos. Loja e mbrëmshme nuk ishte veç lundrim i tingujve e zërit në sallë, loja e mbrëmshme nxjerrte në pah mënyrën e veçantë të kompozimit të Ballatës, ku loja në piano nuk ishte veçse ulur, e këmbët e instrumentistëve ndonjëherë përplaseshin në dysheme. Ky koncert autorial i akademikut e kompozitorit Ballata i dha mundësi publikut të dëgjojë dy vepra premierë, atë “Melismi e danza” për violinë solo e shkruar në vitin 1998 nga Ballata e që mbrëmë erdhi në lojën me plot mjeshtëri e precizitet të Sihana Badivukut, po ashtu premierë erdhi edhe vepra “Hexaphonia” për 2 piano ose 4-duarshe , e kompozuar në vitin 2001, e që mbrëmë në një piano bashkoi lojën e Klevis Gjergjit dhe Zana Badivuku-Bashas.
E gjithë mbrëmja nisi me veprën “Sonatë me dy kohë për piano” (1965-1966), duke hapur kështu mbrëmjen drejt interpretimit të veprave të Ballatës. Kjo vepër e interpretuar nga Klevis Gjergji sjellë ecje elegante nëpër tinguj e herë përplasje të furishme në piano.
Në lojën e klarinistit Astrit Mustafa vjen e fuqizohet prania e tingujve folklorik që zbërthehet në instrumentin frymor të Mustafës. Ai mbrëmë solli veprën
“Multiphonia” për klarinetë solo dhe “Straphes” për klarinetë dhe piano, ku u shoqërua në skenë nga vet Ballata.
Astrit Mustafa tashmë e njeh shumë mirë veprën e Ballatës,madje ai është është mishëruar me veprat e kompozitorit, e kjo u dëshmua edhe mbrëmë. Ai tha se Ballata ka një teknikë të veçantë të kompozimit, ndërsa në muzikën e tij fsheh edhe motive të muzikës popullore me teknika shumë kontoporane. Ai tutje tha për KultPlus se veprat e Ballatës përfaqësojnë shijen e tij, pasi që është një rrymë e re e muzikës, muzikë eksperimentale, rrymë të cilën thotë se profesori Ballata e ka shtjelluar shumë mirë.
“Profesori Zeqirja Ballata është një kompozitor i cili i përket gjeneratës së parë të kompozitorëve kosovar meqë muzika jonë është e re dhe fillimet e saj janë gjatë Luftës së Parë Botërore. Ballata e ka një teknikë të veçantë të kompozimit, po ashtu dhe mënyrën e shkrimit të notave e ka të veçantë dhe mendoj se është shumë unik në stilin e komponimit dhe metodës së shkrimit të veprave. Në veprat e Ballatës fshihen edhe motive të muzikës popullore të cilat me teknika shumë kontoporane në një instrument mund të dëgjohen bulëza motivesh të tilla”, u shpreh Stafaj.
“Mes rrugës rruga” për zë të mesëm dhe piano, e kompozuar qysh në vitin 1978 e “Burokrati” për zë të mesëm dhe piano e kompozuar në 1983 nga Ballata erdhën mbrëmë në zërin e baritonit të njohur shqiptar Armand Likaj i cili përfaqësoi gjithë atmosferën e veprës tek publiku. Me veprat “Luftëtari” dhe “Përurim”, Likaj u përcoll në piano nga vetë Ballata.
Armand Likaj i cili jo dhe rrallë herë ka interpretuar vepra të Ballatës mbrëmë tha se u ndje jashtëzakonisht mirë që në përvjetorin e tij të lindjes t’i interpretojë disa vepra të tij dhe po ashtu të luaj për herë të parë përkrahë Ballatës. Edhe pse ka ardhur nga Italia pas shumë angazhimesh, ai thotë se me kënaqësi ka pranuar ftesën pasi që figura si profesori Ballata konsideron se janë të rralla.
“Është hera e parë që vij në këtë festival, u bë shkas edhe 75 vjetori i profesorit të nderuar. Kemi pasur edhe aktivitete të tjera në Akademinë e Shkencave ku kam qenë i ftuar nga profesori por kësaj radhe edhe pse ishte në kuadër të Kamerfest që bëhet për nder të profesorit, ishe Sihana Badivuku ajo që më bëri ftesën. Edhe pse vij nga një periudhë impenjative, pasi që vij nga një shfaqje e sapo bërë në Itali, thashë menjëherë “po” pasi që figurat si profesor Ballata janë të rralla dhe duhet nderuar dhe respektuar në vendin e tyre”, u shpreh Lika për KultPlus.
Ai tutje tha se kompozimin e Ballatës e koncepton si një fragment filmi, një ngjarje të improvizuar aty për aty. Ai tutje tregoi edhe për rëndësinë e veprës “Burokrati”, të cilën edhe e përfaqësoi me përjetim të afërt muzikor e me mimikë që shpreh ironizmin brenda veprës.
“Pata fatin që për herë të parë interpretova me profesorin Zeqirja Ballata, ishin pjesë të ndryshme me një botëkuptim krejtësisht të ndryshëm por ishte ajo muzika e veçantë që krijon një atmosferë. Ajo e “Burokratit” është një vepër me tekst të autorit të njohur Xhevahur Spahiut dhe ajo është shumë ironike e cila duhet luajtur edhe me mimikat e fytyrës dhe vokale, dhe ka pjesë që flet më shumë botëkuptime dhe shumë pjesë që ne i prekim në realitetin tonë shqiptarë”, tregoi tutje Lika.
Sihana Badivuku, drejtoreshë e Festivalit “Kamerfest” mbrëmë u ngjit dy herë në skenë që të luaj veprat e Ballatës, ndërsa për KultPlus u shpreh se manifestime të tilla të një kompozitori siç është Ballata do duhej të shënoheshin zyrtarisht nga institucionet shtetërore dhe jo emri i tyre të përmendet vetëm pasi që ata të mos jenë më.
“Institucionet duhet të bëjnë organizime dhe të dihet ai kalendar i kompozitorëve dhe jo vetëm të përmendet emri i tyre pas vdekjes. Unë jam e privilegjuar që jetësuam idenë e Astritit që në kuadër të Kamerfestit ta shënojmë datëlindjen e Ballatës me koncert autorial. Me të vërtetë është një njeri me hapa përpara në mesin e kompozitorëve shqiptarë”, u shpreh Badivuku për KultPlus, duke thënë se secila vepër që u luajt mbrëmë e kishte mesazhin e vet, ku si fshehurazi veçmas në klarinetë është nxjerrë ajo atmosfera që profesori Ballata e ka dirigjuar me anë të tingujve, me melizmat e këngëve labe ku shihet edhe folklori në mënyrë të veçantë të penës së kompozitorit”, tha krejt në fund Badivuku.
Vet akademiku dhe profesori Ballata tregoi se sonte veprimtaria e tij ishte e shtrirë në 55 vite, kurse veprat që u interpretuan sonte prekin kohën e studimeve të tij e deri në 7-8 vitet e fundit.
“Edhe pse kam vepra shumë, mbi 180 por megjithatë kjo ishte një përzgjedhje që tregon një ecuri timen. Ishte kënaqësi nga ana e kolegëve që interpretuan, ata nga Shqipëria dhe Kosova që më shumë kolegjialitet dhe përpjekje i sollën veprat e mija”, u shpreh Ballata.
Kamerfesti sonte përmbyll rrugëtimin muzikor për këtë vit. Mbrëmja e 13-të koncertale sjellë sonte Lirika Pula-Kasapolli në piano, Nina Shalës në flautë dhe celistin nga Shqipëria, Mario Guralumi. / KultPlus.com