Një bibliotekë e re iu shtua Kamzës falë thirrjes së dytë për infrastrukturë rinore nga Agjencia Kombëtare e Rinisë.
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe kryetari i bashkisë Kamzë, Rakip Suli vizituan ambientet më të reja rinore, të pasuruara me mbi 1000 libra, për të shtuar dijet.
Pjesë e bibliotekës është edhe një sallë rinore bashkëkohore për të zhvilluar aktivitete që rrisin përfshirjen, zhvillimin dhe socializimin e të rinjve.
Kjo bibliotekë u mundësua falë thirrjes së dytë për projektpropozime rinore, të financuar me mbështetjen e qeverisë shqiptare, nëpërmjet AKR-së. Në bashkinë Kamzë përfitojnë nga përdorimi efikas i godinës, 16 379 të rinj.
Këtë vit, thirrja për projektpropozime rinore për njësitë e vetëqeverisjes vendore synoi rikonstruksionin, ndërtimin, rindërtimin dhe funksionin e objekteve publike, pjesë e infrastrukturës rinore si: qendra rinore, biblioteka dhe qendra rekreative për të rinjtë./atsh/KultPlus.com