Merkel planifikon të botojë librin për jetën e saj personale dhe politike

Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila ishte në pushtet për 16 vjet, ka planifikuar të publikojë kujtimet e saj politike në vjeshtën e vitit 2024, njoftoi sot botuesi i saj.

“Kujtimet, të shkruara së bashku me këshilltaren e saj politike, Beate Baumann, do të ofrojnë një pasqyrë ekskluzive të jetës personale dhe veprës politike të Merkelit”, thanë botuesit e “Kiepenheuer & Witsch”.

Në një deklaratë Merkel shkroi: “Mezi pres të pasqyroj vendimet qendrore dhe pikat kryesore të karrierës sime politike në librin tim, të shkruar së bashku me Beate Baumann, dhe gjithashtu, t’i bëj ato të kuptueshme për një publik të gjerë, duke iu referuar historisë sime personale”.

Merkel, 68 vjeç, nuk kandidoi për rizgjedhje në Bundestag shtatorin e kaluar. Partia e saj konservatore humbi ndaj Social Demokratëve dhe ajo u pasua si kancelare nga Olaf Scholz.

Kerstin Gleba e shtëpisë botuese “Kiepenheuer & Witsch” tha se Merkel e kishte udhëhequr vendin përmes krizave dramatike duke i dhënë formë politikës dhe shoqërisë gjermane dhe ndërkombëtare në një mënyrë unike përmes veprimeve dhe qëndrimeve të saj.

Gleba tha se kujtimet e Merkelit ishin një dokument i rëndësishëm i historisë bashkëkohore ndërkombëtare. / KultPlus.com

Alkent Pozhegu realizon mozaikun artistik, falënderon kancelaren Merkel për mbështetjen e saj ndaj kosovarëve

Artisti kosovar Alkent Pozhegu së fundmi ka shpalosur artin e tij krejtësisht të veçantë në një mënyrë për të falënderuar kancelaren gjermane, Angela Merkel e cila vazhdon të mbetet një shembull për të gjitha gratë e botës e sidomos për mbështetjen që ajo i ka dhënë vendit të saj për plot 16 vjet, përcjell KultPlus.

Një mozaik nga fara të llojllojshme, ka gjetur formën e figurës së Merkel pikërisht në ditën kur Gjermania ka votuar për një kancelar të ri. Pozhegu kësaj radhe, me mënyrën e tij unike falënderon Merkel për kontributin e saj të dhënë për Kosovën.

Sheshi i Gjakovës sot ka ndjerë drithërat e ndryshme si: misri i kuq, i portkollat, orizi i bardhë dhe farat e lulediellit, me ç’rast duket qartë se arti gjithmonë nderon një person, pa marrë parasysh pozitën e tij.

Nëpërmjet artit, artisti Pozhegu ka arritur të identifikohet lehtë nga mediat e ndryshme të huaja e në veçanti nga ato gjermane të cilat kanë kushtuar artikuj të ndryshme për artin e tij.

Pozhegu, mozaikun e kancelares gjermane e ka vendosur në një shesh të Gjakovës duke e shkruar edhe fjalën ‘DANKE’ në gjuhën gjermane.

“Unë besoj që për botën është shumë, sepse një femër ka arritur të jetë më e fuqishme në botë që ka fituar katër mandate dhe ka arritur t’i jap shembull të gjitha femrave në botë. Kurse ne në Kosovë duhet të jemi falënderues gjatë tërë jetës sepse gjatë tërë kohës nuk ka munguar mbështetja e fuqishme që e kemi pasur nga Angela Merkel”, tha Pozhegu.

“Materialet për mozaikun janë, misër i kuq, i portokallt, oriz dhe fara luledielli, përmasat janë përafërsisht 3 me 4, kurse sasia e kokrrave janë shpenzuar afër 1 kilogram prej secilit përbërës”, tregon tutje ai.

Përndryshe, kujtojmë se Alkent Pozhegu mban dy rekorde ‘Guinness’ për mozaikët e tij gjigantë të bërë me fara. / KultPlus.com