Shpopullohet fshati Kaninë i Vlorës, kosovarët të interesuar për të blerë shtëpitë e braktisura

Kanina ose siç njihet ndryshe ballkoni i Vlorës, një nga fshatrat më të bukur në kurorën e gjelbër të qytetit bregdetar, po shkon drejt shpopullimit . Prej vitesh të rinjtë kanë zgjedhur të emigrojnë duke lënë vetëm të moshuarit.

Banorët e mbetur tregojnë se shkaku kryesor i largimit masiv është bërë gjendja e vështirë ekonomike.

“Nuk dëgjojmë më në fshat një zë fëmije apo të qarë fëmije , pasi nuk ka më fëmijë kanë ikur së bashku me prindërit duke na lënë vetëm në pleqtë.”

“Më ka marrë malli të mbledh njëherë fshatin si dikur , dhe do marr fizarmonikën do dal në sheshin e fshatit dhe do bëjë muzik për të mbledhur ata pak banorë, më shumë se 30 vite asnjë aktivitet kulturor nuk ka parë ky fshat, se nuk ka më rini, dhe qendra kulturore e shkatërruar.”

“Kam ngelur “ qyqar” shprehet një moshatar, asnjë nga fëmijët nuk është këtu kemi ngelur vetëm fare .´

Janë shumë pak të rinj që kanë mbetur, ndërsa edhe shkolla po shkon drejt mbylljes për shkak të numrit të ulët të nxënësve.

Ndërkohë, sipas banorëve shumë të huaj nga Italia, por edhe nga Kosova po kërkojnë të blejnë shtëpi në Kaninë

Në këtë fshat ka pasur më shumë se 2400 banorë, ndërsa sot nuk janë më shumë se 250. Shumica e shtëpive janë bosh ose të rrënuara./vizionplus.tv/KultPlus.com

Kanina, fshati turistik me pamje mahnitëse

Kanina, 3 km larg qytetit bregdetar të Vlorës, është e njohur për bukurinë e saj të rrallë.

Pamja që të ofron ky fshat mbi qytetin e Vlorës është mbresëlënëse për këdo që e viziton këtë fshat turistik, shumë pranë Vlorës.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmengjes me një video, nga ku shfaqet peizazhi mahnitës i Vlorës.

“Mirëmengjes dhe me këto pamje nga Kalaja e Kaninës, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Kalaja e Kaninës shpalos historinë 3000-vjeçare të kësaj qendre të banuar, që është më shumë se një thesar për kombin.

Kalaja dhe fshati, ndodhen në një pikë strategjike me një bukuri të rrallë.
Sot Kanina përmban rreth 253 objekte. Përveç kalasë, ndodhen aty edhe 3 objekte monument kulture të kategorisë së parë: Teqeja e Kaninës, banesa e Shefikat Begajt dhe banesa e Kujtim Hamzait.

Në lagjen e vjetër të Kaninës ka edhe banesa të tjera që spikasin me vlerat e tyre arkitektonike dhe dekorative, të cilat meritojnë të bëhen pjesë e trashëgimisë sonë kulturore./ atsh/ KultPlus.com