“Kantina Belba” në Kavajë ofron një shije unike të verës, prodhuar nga varieteti autokton i rrushit në Shqipërinë e Mesme.
Me 11 hektarë parcela të mbjella, përmes programeve të AZHBR-së në mbështetje të agroturizmit, kjo kantinë planifikon të zgjerohet edhe me 8 hektarë të tjerë.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga kjo kantinë, e vlerësuar edhe me disa çmime ndërkombëtare.
“Me moton ‘Save water, drink wine’, ‘Kantina Belba’ është vlerësuar me disa çmime ndërkombëtare për cilësinë dhe shijen e saj unike, ndërsa ofron për turistët edhe shërbimin e restorantit me gatime tradicionale”, shkruan Rama.
Mbështetja për agroturizmin dhe programi i “100 Fshatrave” kanë nxitur investitorët të ngrenë struktura akomoduese për vizitorët, të cilët, bashkë me natyrën tashmë mund të shijojnë edhe ushqimet tradicionale.
Nëpërmjet programit mbështetës të zhvillimit rural synohet evidentimi i produkteve lokale tradicionale të çdo zone, drejt një ekonomie lokale të konsoliduar.
Mbështetja financiare ndihmon prodhuesit e vegjël në rritjen e kapaciteteve prodhuese, plotësimin e standardeve dhe siguruar cilësi, për të mundësuar që këto produkte të gjenden kudo. Në të njëjtën kohë fuqizohen zonat rurale, nëpërmjet orientimit të investimeve në këto zona. / atsh / KultPlus.com