Sot ka filluar testimi për shndërrimin e gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet. Ky testim ka shkaktuar kaos pasi rrugët kryesore të Prishtinës janë bllokuar nga kolonat, njofton KultPlus.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar për këtë testim qysh para dy dite, duke njoftuar gjithashtu se testimi do të zgjatë deri ditën e diele.
“Qarkorja njëkahëshe gjatë këtyre ditëve do të jetë funksionale në drejtim të rrugëve: – Rruga “Agim Ramadani”që nga semaforët pranë ish-menzës së Studentëve e deri te rreth-rrotullimi prapa ndërtesës së Komunë – Rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia. – Rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE, Rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore, Rruga “Ukshin Hoti” dhe Rruga “Robert Doll””, kishte njoftuar Komuna.
Komuna kishte thënë se i gjithë procesi do të bëhej në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, derisa u kishte bërë thirrje qytetarëve për durim.
“Ju bëjmë thirrje qytetarëve të Kryeqytetit të kenë durim përgjatë kësaj periudhe provuese të ndryshimit të qarkullimit me automjete, meqenëse qëllimi kryesor i gjithë procesit është zgjidhja afatgjate e lirimit të hapësirave të lëvizjes për këmbësorë sipas rekomandimeve të task forcës rrugore, si dhe lirimi i mbingarkesës së trafikut rrugor”, thuhej në postim./ KultPlus.com