Enkeleida Kapia, çmim të parë ndërkombëtar për studimin shkencor ‘Toskërishtja veriore’

Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka përgëzuar gjuhëtaren Enkeleida Kapia, punonjëse shkencore e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë pranë ASHSH, për fitimin e çmimit të parë ndërkombëtar në konkursin e shpallur nga “Journal of International Phonetic Association”.

Prof. asoc. dr. Enkeleida Kapia u vlerësua për studimin shkencor “Toskërishtja veriore: ilustrim sipas parimeve të Alfabetit Fonetik Ndërkombëtar”.

Për këtë studim, Kapia pati si bashkautorë të studimit: Stefano Coretta (Universiteti i Edinburgut), Josiane Riverin-Coutlee (Universiteti “Ludwig Maximillan” i Mynihut) dhe Stephen Nichols (Universiteti i Oksfordit).

Çmimi i parë u jepet autorëve për metodologjinë bashkëkohore të përdorur në studim, në ndërveprim me mënyrat tradicionale të ilustrimit dhe të shpjegimit të detajuar të tingujve dhe të sistemit intonacionor të toskërishtes veriore. Vlerësimi është bërë sipas parimeve “peer review” të anëtarëve të jurisë, e përbërë nga gjuhëtarë dhe foneticienë nga e gjithë bota./atsh / KultPlus.com