Sot bëhen 22 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes ushtarako-teknike të Kumanovës, me të cilën iu dha fund luftës në Kosovë, pas dorëzimit të ish-ushtrisë së Jugosllavisë dhe kapitullimit të kriminelit serb Sllobodan Millosheviq.
Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova. Marrëveshja është arritur pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë, si dhe pas përpjekjeve të ndryshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, gjatë të cilës mbi 10 mijë njerëz janë vrarë, rreth 5 mijë të tjerë të zhdukur dhe mbi 1 milion shqiptarë të zhvendosur. Shkatërrimet materiale po ashtu kanë qenë masive.
Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Havier Solana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, ku u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.
Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian.
Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore. / KultPlus.com