Këto janë masat që pritet të miratohen: Mbyllen klubet e natës dhe shkurtohet orari i gastronomisë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka takuar krerët e institucioneve shëndetësore dhe personat e angazhuar në mbikëqyrjen dhe zbatimin e masave anti-COVID, me të cilët ka diskutuar rreth masave të reja anti-COVID.

Në takimin e ministrit Vita me hisedarët në zbatimin e masave kundër COVID-19, është diskutuar që të ketë ndryshim të masave anti-COVID, për shkak të rritjes së rasteve pozitive.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, ka deklaruar për Express se nga data 20 gusht, deri më 1 shtator, orari i gastronomisë do të jetë deri në orën 22:30 apo eventualisht deri në orën 23:00, transmeton KultPlus.

“Nga data 20 deri më 1 shtator orari i gastronomisë do të jetë deri në 22:30 ose deri në orën 23:00. Sallat e dasmave, hotelet, restorantet, qendrat tregtare dhe restorantet brenda tyre po ashtu. Maksimumi i personave të lejuar në dasma do të jetë 150”, ka deklaruar Sogojeva.

Sogojeva tha se nga data 20 gusht, klubet e natës do të mbyllen, derisa tha se nuk është ëprmendur kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

“Klubet e natës mbyllen nga data 20. Kufizim të lëvizjes nuk është përmendur.  Ne si Odë duke e parë gjendjen, u pajtuam me këto masa deri më 1 shtator”, ka deklaruar Sogojeva. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Izolimi nga pandemia rriti problemet me gjumin

Izolimi nga COVID-19 shtoi problemet me gjumë, si pasojë e qëndrimit të gjatë para pajisjeve elektronike

Një studim i fundit ka zbuluar se izolimi gjatë pandemisë COVID-19 ndikoi në cilësinë e gjumit tek shumë persona.

Izolimi total rezultoi në rritjen dramatike të përdorimit të internetit dhe pajisjeve elektronike, përcjell KultPlus.

Studiuesit vërejnë se është e mundshme që rritja e përdorimit të tyre ishte për shkak se njerëzit po përpiqeshin të kompensonin ndërveprimin e kufizuar shoqëror dhe të plotësonin kohën e tyre të lirë.

Hulumtimi përfshiu 2123 pjesëmarrës dhe kreu disa sondazhe për të vlerësuar cilësinë e gjumit gjatë javës së tretë dhe të shtatë të bllokimit.

Gjithashtu, në studim u gjet se ka rënie të cilësisë së gjumit për njerëzit që qëndruan më shumë në ekranet e pajisjeve elektronike dy orë para gjumit. Derisa ata që ulën aktivitetin e tyre në ekrane dy orë para se të binin në gjumë raportuan një përmirësim të cilësisë së gjumit. / KultPlus.com

Karantina, historia e gjatë e izolimeve të njeriut për të luftuar me një armik të padukshëm

“Burgosja” e vullnetshme, më shumë se një masë parandaluese e përhapjes së CIVID-19, mbetet një sinjal i fuqishëm alarmi i njeriut për të dëshmuar paaftësinë e tij për tu përballur, jo vetëm me frikën por edhe me rolin inferior ne një botë ballafaqimi aftësishë.

Përkundër gjithë atyre sfidave të paimagjinueshme teknologjike dhe asaj ngrehine të lartë të kapardisjes dhe luksit, parasë dhe fudullëkut, njeriu qëndron kokulur dhe I mundur përballë një armiku naiv, një rreziku, i cili nëse nuk është një produkt i mendjeve të errëta për qëllime po kaq mizore sa edhe vdekja, duhet pranuar si reagim i gjykimit të pamëshirshëm të natyrës, për të na kujtuar se sa të vegjël dhe të dobët jemi.

Sot po luftojmë me të njëjtat mjete, me të cilat zgjodhën të ndesheshin paraardhësit tanë të hershëm, thua se kaq qindravjeçarë të kaluara dhe aq arritje shokuese të kurorëzuara, thjeshtohen në asgjë para një coronavirusi, një armiku që arriti të gjunjëzonte botën dhe së bashku me të, të nënshtrojë madhështinë false të qytetërimit modern.

Cila është kjo mënyrë kacafytjeje me rrezikun, më shumë se sa t’ia mbathësh?

Karantina!

Nga vjen fjala “karantinë” dhe çfarë kuptimi ka?

Fjala “karantinë” vjen nga dialekti venedikas që në italisht nënkupton “quaranta giorni” dhe në shqip 40 ditë. Ky emër iu vendos procesit të izolimit që iu bëhej anijeve dhe njerëzve para se të futeshin në Venedik gjatë periudhës së prekjes së botës nga murtaja apo ashtuquajtura, “Vdekja e Zezë”. Kujtojmë se mes viteve 1348 dhe 1359, “Vdekja e Zezë” shfarosi 30% të popullsisë së Evropës dhe një përqindje të popullsisë së Azisë. Një dokument i arkivave të Dubrovnikut në Raguza, (Kroacia e sotme), që daton në vitin 1377 urdhëronte se para se të lejohej hyrja në qytet, të ardhurit e rinj duhej kalonin 30 ditë (a trentine) në një vend të izoluar, në ishujt aty pranë, për të parë nëse shfaqnin simptomae e sëmundjes.

Në vitin 1448 shteti venedikas e zgjati periudhën e pritjes (izolimit) në 40 ditë duke i dhënë kështu emrin karantinë ose quarantina. Ky afat rezultoi se ishte një formulë e mirë për të frenuar përhapjen e sëmundjes.

Karantina dyzetëditore dëshmoi se ishte një formulë efektive për trajtimin e shpërthimeve të murtajës. Sipas vlerësimeve aktuale, murtaja bubonike kishte një periudhë 37-ditore nga infeksioni deri në vdekje. Prandaj, karantinat evropiane do të kishin qenë shumë të suksesshme në përcaktimin e shëndetit të ekuipazheve nga anijet e mundshme tregtare dhe të furnizimit.

Sëmundjet e tjera i janë nënshtruar praktikës së karantinës para dhe pas shkatërrimit të murtajës. Ata të prekur nga lebra ishin të izoluar afatgjatë nga shoqëria, dhe u bënë përpjekje për të kontrolluar përhapjen e sifilizit në Evropën veriore pas vitit 1492, ardhjen e etheve të verdha në Spanjë në fillim të shekullit të 19-të dhe ardhjen e kolerës aziatike më 1831.

Venecia mori drejtimin në masat për të kontrolluar përhapjen e murtajës, pasi kishte emëruar tre roje të shëndetit publik në vitet e para të “Vdekjes së Zezë” (1348). Regjistrimi tjetër i masave parandaluese vjen në provincën e Modenas në vitin 1374. Venecia themeloi izolimin e parë (në një ishull të vogël ngjitur me qytetin) në vitin 1403. Më 1467 Genova pasoi shembullin e Venecia, në vitin 1476 spitali i vjetër i lebrozëve të Marsejës u shndërrua në një spital të murtajës. Izolimet e madhe e Marsejës, mbase më i plota në llojin e saj, u themelua në vitin 1526 në ishullin Pomègues. Praktika në të gjitha karantinat mesdhetare nuk ndryshonte nga procedura angleze në tregtinë në Levantine dhe Afrikën e Veriut. Me ardhjen e kolerës në vitin 1831 disa karantina të reja u ngritën në portet perëndimore, veçanërisht një institucion shumë i gjerë pranë Bordeaux , më pas ai u kthye në një funksion tjetër.

Një përmendje e hershme e izolimit ndodh në librin biblik të Levitikut, shkruar në shekullin e shtatë para Krishtit ose mbase më herët, i cili përshkruan procedurën e ndarjes së njerëzve të infektuar për të parandaluar përhapjen e sëmundjes sipas Ligjit të Moisiut: Sipas të cilit: “Nëse pika e ndritshme në lëkurë është e bardhë, por nuk duket se është më shumë se lëkura e thellë dhe qimet në të nuk janë bërë të bardha, prifti do të izolojë personin e prekur për shtatë ditë. Në ditën e shtatë ai duhet të ekzaminoni atë, dhe nëse sheh se lëndimi është i pandryshuar dhe nuk është përhapur në lëkurë, ai do ta izolojë atë për shtatë ditë të tjera “.

Karantina si masë izolimi për të parandaluar rrezikun vjen gjithashtu edhe nga bota islame. Karantina e detyrueshme spitalore e grupeve të veçanta të pacientëve, përfshirë ata me lebër, filloi herët në historinë islame. Midis viteve 706 dhe 707 kalifi Al-Walid I, ndërtoi spitalin e parë në Damask dhe lëshoi një urdhër për të izoluar ata të infektuar me lebër nga pacientët e tjerë në spital. Praktika e karantinës së detyrueshme të lebrës në spitalet e përgjithshme, vazhdoi deri në vitin 1431, kur osmanët ndërtuan një spital lebrozësh në Edirne. Incidentet e karantinës kanë ndodhur në të gjithë botën muslimane, me dëshmi të karantinës vullnetare të komunitetit, në disa nga këto incidente të raportuara. Karantina e parë e dokumentuar e komunitetit të pavullnetshëm u krijua nga reforma e karantinës osmane në vitin 1838.

Praktikat e karantinimit gjejnë zbatim edhe në periudhat e mëvonshme. Epidemitë e etheve të verdha shkatërruan komunitetet urbane në Amerikën e Veriut, përgjatë fundshekullit të tetëmbëdhjetë dhe fillimshekullit të nëntëmbëdhjetë, shembujt më të njohur janë Epidemia e Etheve të Verdha në Filadelfia më 1793 dhe shpërthimet në Gjeorgjia (1856) dhe Florida (1888). Epidemitë e kolerës dhe të vegjëlve vazhduan gjatë gjithë shekullit të nëntëmbëdhjetë, dhe epidemitë e murtajës prekën Honolulu dhe San Francisko nga viti 1899 deri më 1901. Qeveritë e Shtetit në përgjithësi mbështeteshin në shërbimin e kordonit, si një masë gjeografike karantine për të kontrolluar lëvizjen e njerëzit brenda dhe jashtë komuniteteve të prekura. Gjatë pandemisë së gripit të vitit 1918, disa komunitete u aplikua sekuestrimi mbrojtës (nganjëherë referuar si “kundërkarantinë “) për të mbajtur të infektuarit nga futja e gripit në popullatën e shëndetshme.

Në shekullin XXI, personat e dyshuar për bartjen e sëmundjeve infektive janë karantinuar, si në rastet e Andrew Speaker (tuberkulozi rezistent ndaj shumë ilaçeve, 2007) dhe Kaci Hickox (Ebola, 2014). Kalimi i pacientëve të infektuar në repartet e izolimit dhe vetë-karantina, e bazuar në shtëpi e njerëzve të ekspozuar potencialisht, ishte mënyra kryesore që përfundoi epidemia e virusit Ebola të Afrikës Perëndimore më 2016. Ekspertë e shëndetit kritikuan kufizimet ndërkombëtare të udhëtimit, të vendosura gjatë epidemisë si joefektive për shkak të vështirësisë së zbatimit dhe u cilësua si kundërproduktiv pasi ngadalësuan përpjekjet për ndihmë. Dhe vjen përvoja e sotme e betejës me COVID-19 . Pak a shumë kjo është përvoja e historisë njerëzore me karantinimin, me të vetmen mundësi për tu ndeshur “urtësisht” dhe “trimërisht”. /albertvataj/ KultPlus.com

Objektet në kryeqytet që mund të shndërrohen në qendra për trajtimin e pacientëve me COVID-19

Nënkryetar i komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi tha se kjo komunë është e gatshme të shndërrojë Pallatin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve “Adem Jashari” në një qendër për trajtimin e pacientëve me Covid-19 me afër 400 shtretër, nëse eskalon situata me koronavirus.

Madje, ai deklaroi se edhe 13 shtëpiza në parkun e “Gërmisë” i kanë ofruar në shërbim të ministrisë së Shëndetësisë.

Nushi tha se në dy javët në vazhdim do të ketë rritje të rasteve me Covid-19, duke shtuar se një situatë e tillë do t`u krijoj probleme, por thekson se kjo komunë është e përgatitur për  përkeqësim të gjendjes, transmeton Klan Kosova.

“Numri i cili po rritet dita ditës dhe kjo si arsye e fushatës elektorale të cilën e kemi pasur por edhe si arsyetim tjetër është mos respektimi i masave nga ana e IKShPK-së, mos respektimi i masave nga ana e qytetarëve kjo për arsye se nuk po bahen maskat nuk po respektohet distanca sociale dhe po besojmë që në dy javët në vazhdim do të jetë me rritje të vazhdueshme të numrave”, tha ai.

“Kjo do të shkaktojë telashe dhe probleme në kuadër të Komunës së Prishtinës dhe Kosovës në përgjithësi për arsye të pamundësisë së menaxhimit. Komuna e Prishtinës është e përgatitur edhe për eskalim të situatës në kuptimin që i kemi 13 shtëpiza në parkun e Gërmisë dhe të cilat i kemi ofruar në shërbim të ministrisë së Shëndetësisë, por e kemi të përgatitur edhe Pallatin e Kulturës “Adem Jashari”, e cila mund të rregullohet brenda kohës shumë të shkurtër për afër 400 shtretër”, u shpreh ai.

Numri infektimeve me virusin Covid-19, ka shënuar rritje në Kosovë. Nushi thotë se në rast eskalimit duhet të merret parasysh edhe mundësia e shndërrimit të hoteleve në qendra karantinimi.

Tutje, ai u bën apel qytetarëve që të respektojnë masat parandaluese për përhapjen e Coronavirusit.

“Prandaj jemi të gatshëm të ndihmojmë edhe IKSHPK-në në rast të eskalimit të situatës që të merret parasysh edhe mundësia e angazhimit të hoteleve të cilat deri më tash në shumicën e shteteve janë marrë si opsione të karantinimit të qytetarëve”, tha ai.

“Tashmë jemi në valën e tretë dhe lus qytetarët të respektojnë masat në mënyrë që të mos vijmë në situatë të mos menaxhimit të situatës nëse eskalon nuk do të ketë më kapacitete as QKUK-ja, as komuna e Prishtinës që të menaxhon. Nëse vazhdojmë me këta numra atëherë mund të shkaktojë probleme të mëdha në infektimin e personelit shëndetësor. Po shpresoj që nuk do të kthehemi në LockDoën”, përfundoi nënkryetari i Prishtinës. / KultPlus.com

Ekspertët listojnë tetë gjërat me vlerë që i mësuam nga pandemia

Koronavirusi shërbeu si një dritare drejt gjërave ku shoqëria ka dështuar.

Pandemia nxorri në pah pika të dobëta, nga mundesa e kujdesit shëndetësor dhe mbrojtja e punëtorëve e deri te mënyrat se si qytetat janë projektuar për makina në vend të këmbësorëve. Pandemia tregoi se njerëzit kanë abuzuar me natyrën. 10 ekspertë në shëndetësi, ushqim, drejtësi sociale, mjedis etj., të kontaktuar nga HuffPost si pjesë e bashkëpunimit me komunitetin “This New World”, ndanë mendimet e tyre, transmeton KultPlus.

1. “Në mënyrën më të dhimbshme, pandemitë na tregojnë se çfarë duhet të rregullojmë në botën tonë.” – Aaron Bernstein, drejtor i përkohshëm në Qendrën për Klimën, Shëndetin dhe Mjedisin Global në Shkollën e Shëndetit Publik Harvard T.H.

Stresi që pandemitë shkaktojnë zbulon të gjitha ato pjesë që kanë më shumë nevojë për riparim. Me Covid, ne kemi parë se si pabarazitë ekonomike, shëndetësore dhe sociale mund të shpërthejnë në fytyrën tonë. Në të njëjtën kohë, tani mund të shohim se veprimet që duhen për të adresuar krizën e klimës mund të parandalojnë pandeminë tjetër dhe të promovojnë një botë më të shëndetshme, më të drejtë dhe të qëndrueshme.

2. “Përgjigja jonë ndaj kësaj krize duhet të jetë transformuese.” – Priya Mulgaonkar, planifikuese e qëndrueshmërisë për Aleancën e Drejtësisë Mjedisore në New York.

Pandemia ka nxjerrë në pah pabarazinë e përhapur dhe të dhunshme me të cilën përballen njerëzit me ngjyrë. Një paralele shqetësuese midis Covid-19 dhe ndryshimit të klimës është se sa të papërgatitur janë qeveritë për t’iu përgjigjur katastrofës dhe se si ata me më shumë burime janë shumë më të aftë të përballojnë stuhinë dhe të rikuperohen ndërsa komunitetet me të ardhura të ulëta mbeten të pambrojtura.

Dështimi në përgjigjen tonë ndaj pandemisë reflekton boshllëqet në reagimin ndaj katastrofave natyrore. 2020 ka treguar që duhet të mendojmë më mirë se si duhet të duket rezistenca qytetare dhe se çështjet e klimës, strehimit, shëndetit dhe drejtësisë ekonomike janë të ndërthurura.

3. “Mësimi më i madh për të nxjerrë nga viti i kaluar është se solidariteti në të vërtetë ka rëndësi.” – Bill McKibben, autor, arsimtar, ambientalist dhe themelues i organizatës jofitimprurëse 350.org.

Pandemia duhet të na kujtojë se realiteti fizik është real – Unë jam përpjekur të them këtë pikë në lidhje me karbonin për vite me radhë, që kimia dhe fizika të mos negociojnë. Mikrobi bën të njëjtën pikë për biologjinë. Dhe si përfundim, veprimi i shpejtë përballë një krize ndihmon: Koreja e Jugut kishte rastin e saj të parë të njëjtën ditë me SH.B.A. – dhe një prej këtyre vendeve veproi me shpejtësi për të përkulur kurbën, ndërsa tjetri nuk e bëri. E njëjta gjë, padyshim, vlen edhe për ngrohjen globale.

Por pika më e madhe për të nxjerrë nga viti i kaluar është se solidariteti në të vërtetë ka rëndësi. Ne kemi jetuar në një epokë anti-solidaritet.

4. “Zgjidhjet reale të klimës duhet të ndërtohen rreth drejtësisë.” – Robert Bullard, profesor i shquar i planifikimit urban dhe politikës mjedisore në South Texas College dhe autor i disa librave.

Covid-19 veproi si një raketë që shënjestroi më të prekshmit në shoqëri duke rezultuar në infeksione joproporcionale, shtrime në spital dhe vdekje të njerëzve me ngjyrë. Pandemia zbuloi defekte të rënda në sistemin politik, ekonomik dhe shëndetësor.

Ashtu si në rastin e Covid-19 dhe ndryshimit të klimës, popullatat më të prekshme në përgjithësi vuajnë pengesat më të hershme dhe më të dëmshme për shkak të vendit ku jetojnë, të ardhurave të tyre të kufizuara dhe mjeteve ekonomike dhe mungesës së qasjes në kujdesin shëndetësor. Zgjidhjet reale të klimës duhet të ndërtohen rreth drejtësisë – drejtësia klimatike, drejtësia mjedisore, drejtësia ekonomike, drejtësia shëndetësore dhe drejtësia racore.

5. “Pandemia Covid-19 na ofron një mundësi për të imagjinusar dhe rikrijuar shëndetin publik.” – Lauren R. Powell, presidente dhe drejtoreshë ekzekutiv i The Equitist dhe nënkryetare e kujdesit shëndetësor në Time’s Up Foundation.

Sistemet e shëndetit publik dhe të kujdesit shëndetësor duhet të përqafojnë dhe të punojnë në mënyrë aktive pa diskriminuar. Të mos e bësh këtë do të thotë të ushqejmë qëllimisht patogjenin e sëmundjeve dhe kushteve për të cilat jemi të ngarkuar t’i çrrënjosim.

Pandemia Covid-19, në të gjithë humbjen dhe tragjedinë e saj, na jep një mundësi për të imagjinuar dhe rikrijuar shëndetin publik dhe sistemet e kujdesit shëndetësor që jo vetëm të mësojnë nga këto mësime jetësore, por të evoluojnë për shkak të tyre.

6. “Ne kurrë nuk duhet të harrojmë se punëtorët thelbësorë janë thelbësorë gjatë gjithë kohës.” – Ai-jen Poo, bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv i Aleancës Kombëtare Amerikane të Punëtorëve të Brendshëm.

Pandemia zbuloi si sa të pasigurt janë kaq shumë punëtorë dhe se shumë prej punëve më të pasigurta, të nënvlerësuara janë thelbësore – thelbësore për shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien tonë. Ne kurrë nuk duhet të harrojmë se punëtorët thelbësorë janë thelbësorë gjatë gjithë kohës dhe punëdhënësit duhet të ofrojë siguri për ta.

7. “Ajo që është e nevojshme është që kombet të ndërmarrin veprime agresive që adresojnë nevojat e lidhura të njerëzve dhe natyrës.” – Kai Chan, profesor në Institutin për Burimet, Mjedisin dhe Qëndrueshmërinë në Universitetin e British Columbia.

Viti 2021 është vendimtar për biodiversitetin. Ndryshimi i klimës paraqet një kërcënim të madh për ekosistemet. Kuptohet që pandemia ndërpreu vrullin e disa projekteve të mëparshme për klimën. Por po bëhet e qartë se Covid-19 nuk është një problem i veçantë, por një i ndërlidhur. Shkaku i shumë sëmundjeve, përfshirë Covid-19, është prishja e ekosistemeve. Këto përfshijnë tregtinë e kafshëve të egra që lejuan Covid-19 të kalojë te njerëzit, si dhe ndryshimin e përdorimit të tokës dhe ndryshimin e klimës që sjellin njerëzit dhe kafshët e egra në kontakt të ngushtë.

8. Një gjë që na ka mësuar kjo pandemi është sa shumë i merrnim gjërat si të mirëqena. – Laurie Santos, profesoreshë e psikologjisë në Universitetin Yale.

Unë mendoj se një gjë që na ka mësuar kjo pandemi është se sa i merrnim gjërat si të mirëqena. Unë kurrë nuk kam provuar një ndjenjë frike dhe gëzimi në bërjen e aktiviteteve të zakonshme para Covid, por shpresoj se kur të kthehem tek ata pas pandemisë, do të jetë me më shumë mirënjohje dhe mirëkuptim se sa të dashura janë këto aktivitete që nxisin gëzim. Mendoj se të gjithë ne do të bëhemi pak më vlerësues për gjërat e vogla të cilave nuk u kemi kushtuar vëmendje më parë. / KultPlus.com

Shpend Ahmeti pas takimit me Zemajn: Nuk jemi të interesuar për karantinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka deklaruar sot se nuk do të tolerohet askush që nuk respekton masat anti-COVID. Ai tha se qytetarët duhet të respektojnë masat, në mënyrë që të mos ketë masa shtesë.

Pas takimit me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, Ahmeti në një konferencë për media tha se duhet bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, që të mos merren masa restriktive.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me ministrin Zemaj. Do të punojmë bashkë të mos ketë restrikcione shtesë, po mundohemi mos me pasë, nuk varet nga komuna dhe ministria, por nga qytetarët. Nuk jemi të interesuar të bëjmë karantina, me e reduktua orarin, por kjo ndodh vetëm nëse jemi na bashkëpunim me qytetarët dhe respektohen masat”, ka deklaruar Ahmeti.

“Dje kam ngritur një alarm, sepse para një muaji kemi pasur një krizë më të madhe kur tjerët vende nuk e kanë pasur. Krejt Evropa është duke shku kah mbyllja, kurse ne kemi pasur nën 100 raste në 1 milion banorë”, tha Ahmeti.

Ahmeti tha se numri i rasteve në Prishtinë është më i madh se në qytetet tjera sepse në kryeqytet po bëhen më shumë testime.

“Jemi të brengosur për shtimin e rasteve, ju lusim të punojmë bashkë, të mos na detyrojnë të bëhemi më inspektorë se inspektorët. Nëse kafiteritë duhet të mbyllën në 23:30, do të mbyllen në 23:30. Te kafet e rakisë brenda nuk ka njerëz, por në rrugë rrinë rreth 200 veta. Numri i rasteve në Prishtinë është më i madh, sepse ka më shumë testime”, ka thënë Ahmeti. / Gazeta express/ KultPlus.com

“Nëse e humbim kontrollin”, Zemaj paralajmëron kthimin e izolimit dhe karantinës

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka folur rreth situatës epidemiologjike në vend. Zemaj ka paralajmëruar se mund të ketë izolim sërish dhe rikthim të karantinës, nëse ka rritje të numrit të rasteve me COVID-19, raporton Express.

“Në karantinë mund të na kthejë vetëm nëse ne e humbasin kontrollin e kujdesit. Për këtë arsye secila hapje është bërë me masat e vlerësimit dhe mbikëqyrjes. Ne do t’i shtojmë këto ditë, sepse në lëvizje nëpër komuna të ndryshme e kam parë se nuk po mbahet partneriteti dhe devotshmëria për respektim të masave që janë vendosur nga Qeveria e Kosovës. Këto ditë do ta shtojmë komunikimin me Inspektoratin Sanitar dhe Policisë së Kosovës dhe do të kërkoj zbatim strikt të masave”.

“Çdo rritje e numrit të infeksioneve mund të na kthejë në aspekte restriktive që mund të nënkuptojë diku mbyllje, izolim, apo kufizim të lirisë së lëvizjes. Nuk do të kemi asnjë pardon, sepse për mua primare është ruajtja e shëndetit publik”, ka deklaruar ai.

Sipas Zemajt, ndryshimi i qasjes ka dhënë rezultate produktive në menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19.

“Ishte një qasje tjetër që dha rezultate produktive në vetëdijesimin e opinionit. Për mua kjo u kthye në rezultate pozitive, sepse kaloi niveli i komunikimit nga ‘virusi nuk ekziston’ në ‘virusi ekziston dhe po merr jetë”, ka thënë Zemaj.

Zemaj ka deklaruar edhe se po provojnë që deri në muajin dhjetor të sigurohen 500 mijë vaksina kundër gripit sezonal.

“Kemi siguruar një numër të konsiderueshëm të vaksinave që në krahasim me vitin e kaluar është më i lartë. I posedojmë 160 mijë e 500 vaksina që në fund të këtij muaji do të shpërndahen, derisa pjesa tjetër është në proces të sigurimit. Gjatë dhjetorit presim edhe pjesën tjetër që duhet të arrijë në 500 mijë vaksina kundër gripit sezonal që është bukur e vështirë, sepse mungesa e tyre është evidente në tregun evropian”. / KultPlus.com

Karantina ktheu shikuesit e televizorit

Masat për t’u karantinuar të marra si shkak i pandemisë së COVID-19 sollën një rritje në shikueshmërinë televizive dhe përdorimin e internetit, sipas mbikëqyrësit të mediave Ofcom.

Studimi i përvitshëm në Britani të Madhe rreth mediave paraqiti se të rriturit – shumica të ngujuar në shtëpi – kaluan 40% të kohës, që do ta kalonin duke ecur, para ekranit.

Koha e kaluar para shërbimeve online, gjithashtu, u dyfishua gjatë prillit.

Në kulmin e karantinës, të rriturit kaluan çdo ditë mesatarisht gjashtë orë e 25 minuta para ekraneve.

Njerëzit shikuan shërbime online, të tilla si Netflix, Amazon Prime Video and Disney+, çdo ditë nga një orë e 11 minuta dhe 12 milionë njerëz filluan ta përdorin një shërbim që s’e kishin përdorur më herët, shkruan KOHA.

Shumica e njerëzve u kyçën në Netflix dhe Amazon Prime Video, edhe pse Disney+ mori Now TV si platforma e tretë më e popullarizuara ndër platformat online dhe me pagesë.

Shikuesit e vjetër, të cilët zakonisht shikojnë emisione tradicionale televizive, gjithashtu e shtuan përdorimin e platformave online.

Një e treta e 55-64-vjeçarëve dhe 15% e njerëzve mbi 65 vjeç përdoren shërbime të abonuara në javët e para të karantinës.

Studimi, me titullin Media Nations 2020, pretendoi se kur masat për karantinë u liruan nga fundi i qershorit, ngritja në përdorimin e këtyre shërbimeve ra në – 71% në të njëjtën kohë si vitin e kaluar.

Kjo përfshiu gjithashtu njerëzit që shikonin më shumë përmbajtje jotelevizive në platforma, si “YouTube” dhe faqe lojërash.

Dhe më shumë se gjysma e të rriturve në Britani (55%), me abonimet e reja online, thanë se ata do të vazhdojnë t’i përdorin dhe të kalojnë një pjesë të kohës së tyre duke i ndjekur ato programe edhe në të ardhmen. / KultPlus.com

Izolimi mund të ketë ndryshuar personalitetin tuaj

Personaliteti njerëzor krijohet prej përvojave dhe marrëdhënieve tona sociale, prandaj edhe izolimi në të cilën gjendemi, për shkak të së cilit ne nuk takohemi me miq, familjarë dhe kolegë do të ketë ndikimin e tij në ne.

Përvoja e izolimit për shkak të pandemisë te secili është përjetuar ndryshe prej personit tjetër, raporton BBC, përcjellë KultPlus.

Disa njerëzve u është dashur të mbyllen në vetmi absolute për javë a muaj të tërë, e të tjerëve u është dashur të mbyllen në një hapësirë me familjarë apo me njerëz me të cilët nuk kanë marrëdhënie të mira. Disa e kanë përdorur izolimin për të u relaksuar dhe për të pushuar prej punës e për të marrë më shumë kohë për veten.

Edhepse është menduar që personaliteti ka një limit deri kur mund të ndryshohet, hulumtimet e fundit kanë treguar që disa tipare personaliteti nuk janë fikse, e se ato do të vazhdojnë evoluimin gjatë gjithë jetës. Sipas këtij këndvështrimi, izolimi mund të ketë lënë gjurmët e veta tek secili prej nesh, natyrisht në mënyra të ndryshme.

Te njerëzit që janë në lidhje të shëndetshme, me partnerë mbështetës, periudha e izolimit mund të ketë qenë një mundësi për tu afruar më shumë me njëri tjetrin, për të u rritur emocionalisht.

Ndërkohë njerëzit në lidhje të vështira, të palumtura, të cilët kanë mbetur të izoluar me partnerin e tyre apo me familjarë toksik, izolimi mund të ketë përfunduar me pasoja traumatike. Shumë persona në lidhje apo martesë kanë përfunduar marrëdhënien e tyre në këtë kohë.

“Ndoshta personat më të prekur prej kësaj gjendje kanë qenë ata me probleme emocionale apo çrregullime të shëndetit mental. Personat që vuajnë nga ankthi, depresioni, çrregullimi bipolar apo OCD kanë qenë prej kategorive të rrezikuara në këtë kohë,” shpjegon Rebecca Shiner, psikologe klinike në Universitetin Colgate. / KultPlus.com

Pasojat e karantinës tek shqiptarët, pse u “çmendëm”?

Në një intervistë, psikologia Redona Dudushi foli për situatën që po kalojnë qytetarët për shkak të përhapjes së Covid-19, transmeton KultPlus.

Dudushi tha se njerëzit u mbyllën menjëherë duke mos iu dhënë shumë opsione, ndërsa tani kërkohet ndryshimi i sjelljes. Por, sipas saj kjo është një ndër gjërat më të vështira.

“Ishte një mbyllje e detyruar që iu bë njerëzve, nuk kishte shumë opsione në mënyrë që mos të kolapsohej sistemi shëndetësor. Ndërsa tani kërkojnë një ndryshim sjellje. Por që të ndryshosh sjellje është një ndër gjërat më të vështira që ne njohim dhe kërkon etapa dhe fatkeqësisht nuk po punohet shumë.

Sjellja nuk ishte më përpara dhe nuk rritet të jetë tani. Kur u bë karantinimi, u bë mbyllja e njerëzve dhe nuk u la shumë opsion nëse do ta ndryshonin. Tani po priten që ata në mënyrë të ndërgjegjshme të ndryshojnë sjellje.

Njerëzit kuptuan një gjë u mbyllën dhe mendonin se hapja do të shoqërohej me rikthimin në jetën e mëparshme. Shumë njerëz e injorojnë faktin që virusi është akoma prezent dhe që është një gjë e gabuar. Shumë të tjerë nuk kanë arsimimin e duhur, të tjerë nuk kanë kushte e duhura për të blerë çdo ditë maska. Është një seri hallkash që duhet të funksionojnë”, u shpreh ajo. / KultPlus.com

Axha Ramadan, 93 vjeçari që u bë frymëzim për banorët e lagjes gjatë kohës së karantinës

Jeta Zymberi
Fotografitë: Nok Selmani

Në rrugën “Nikollë Ivanaj” në Prishtinë, në krye të lagjes gjendet shtëpia dy katëshe e axhës Ramadan (Ramadan Rafuna), 93 vjeçarit që u bë inspirim për banorët e lagjes gjatë kohës së karantinës. Ballkoni i shtëpisë së tij rrallë qëllon i zbrazët, axha Ramadan është figura qendrore e këtij balloni nga ku banorët shpesh i kthejnë sytë për të parë skenat më të mira që mund t’i pikasësh gjatë një kohe të tillë izolimi, shkruan KultPlus.

Në rrethana normale, mëngjesi axhën Ramadan e ka gjetur në Tokbashqe apo Gërmi, ku bashkë me shokët kanë luajtur ndonjë lojë shah apo kanë ecur rreth parkut, por situata e krijuar nga pandemia Covid-19, e ka detyruar atë të izolohet në shtëpi. Por, kjo asnjëherë nuk ja ka zbehur energjinë e vullnetin për të kaluar ditën në mënyrën më të mirë. Në kushtet që ofron shtëpia, ai e ka shfrytëzuar ballkonin e shtëpisë për të bërë ushtrimet e mëngjesit, për të luajtur letra me mbesat e tij, teksa afër e mbante edhe një gotë çaj si shoqëruesin më të mirë në momente të tilla, e besa, ndonëse ju duket e pamundur për shkak të moshës së shtyrë, ai edhe ka lexuar gjatë kësaj kohë. Anekdotat e Anton Çettës, librin “Pa atdhe nuk kam fe” nga Selman Vokshi dhe “999 anekdota” të Salih Zogianit kanë qenë librat që e kanë shoqëruar gjatë kësaj kohe karantine.

“Masi na izoluan ka qenë një periudhë mjaft e vështirë, po masi i kam mbesat prapë mirë, se kemi lujt me letra, shah e domino, kështu që më ka kalu koha mirë, jo keq”, thotë ai për KultPlus.

Në rininë e tij ai ishte polic, por më vonë ai u bë pjesë e Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve. Duke qenë pjesë e kësaj iniciative që ka arritur të pajtonte me mijëra familje të hasmuara dhe dukuria e keqe e gjakmarrjes pothuajse ishte zhdukur krejtësisht deri kah mesi i viteve ’90, ai padyshim ishte edhe afër Anton Çettës, kryetarit të kësaj lëvizje. E si duket “Plaku i urtë”, epitet të cilin Anton Çetta e kishte marrë nga populli i cili e respektonte dhe donte shumë, kishte ndikuar edhe te axha Ramadan. Ndonëse kanë kaluar vite e vite nga ajo kohë, ai e kujton me shumë nostalgji atë moment historik për shqiptarët.

“Ajo ka qenë një periudhë shumë e vështirë. Rinia sot nuk e kuptojnë, ka qenë një fushë që është quajtur ‘Fusha  e Pajtimit të Gjaqeve’, ku janë falë 7 mijë gjaqe. Kur u qojke nana e ja falke gjakun e djalit, ose baba të djalit, apo vllau të vllaut, ka qenë shumë e vështirë, gjithë ai popull që ka qenë prezent nuk kanë mundur t’i mbajnë lotët”, tregon axha Ramadan i cili edhe sot, pas kaq shumë vitesh, teksa rrëfente, nuk mund t’i mbante emocionet, zëri i dridhej e lotët gati e tradhtuan.

“Me Anton Çettën kemi kaluar shumë kohë bashkë. Ka qenë një njeri i urtë, me fjalë të matura e të mira. Anton Çetta e ka hapë një rrugë në shqiptari që asnjëherë më parë, askush nuk ka vepru më mirë. Me u pajtu njerëzit mes vete në atë mënyrë, kjo ka qenë e jashtëzakonshme. Edhe në të ardhmen ka me vazhdu mu shkru për këtë ngjarje historike për vendin tonë”, thotë ai.

Një 93 vjeçar duke lexuar, është një pamje frymëzuese të cilën nuk ka mundur ta neglizhojë as fotografi Nok Selmani i cili qëllon të jetë komshiu i tij i parë. Duke u ndjerë i frymëzuar çdo ditë nga kjo figurë dhe energjia e tij, Noku ka ngrirë disa nga këto momente që për të kanë një domethënie të madhe. E 93 vjeçari shprehet i lumtur që ka frymëzuar banorët.

“Jam i lumtur që i kam frymëzuar banorët e lagjes edhe pse pa vetëdijen time, unë thjesht e kam bërë rutinën time ditore. Me ushtrime merrna gjithmonë kapak, më ka mbet shprehi prej moti. Ushtrimet më kanë ndihmu e më ndihmojnë ende për me qenë ma i shëndetshëm”, thotë axhi Ramadan.

Ndërsa, sot pas më shumë se dy muajve, ai ka dalë për herë të parë në qytet.

“Gjatë kësaj periudhe më ka mungu shumë koha kur dilja. Sot kam dal në mëngjes me ec. Kur dola i gjeta shokët aty, ju thash mos mu afroni, të ruhemi, po jo vallahi than, krejt në n’gryk më kanë marrë”, pohon teksa fytyra i buzëqeshte. Vërehej qartë në fytyrën e tij që dalja nga karantina dhe takimi me shokë e kishin rilindur edhe njëherë.

Krejt për fund të intervistës, ai deshi të ndajë edhe një mesazh me lexuesit e KultPlus.

“Kjo koha e karantinës e ka pasur anën pozitive dhe atë negative. Besoj që ka ndiku për mirë shumë tek njerëzit, që me dashtë më shumë njëri tjetrin. Besoj që e kanë kuptu sa e rëndësishme është me pas shoqëri, dashni e rahati në mes vete, jo mu marrë me ngatërresa. Se kohëve të fundit njerëzit e këqyrshin veç interesin personal, e tash besoj që kjo situatë ka ndiku me pa botën ma ndryshe, me dashni.” / KultPlus.com

Fituesi i Nobelit për kimi: Karantina s’ka shpëtuar asnjë jetë deri më tash

Michael Levitt ka laboratorin e tij të biologjisë strukturore në Stanford University School of Medicine, dhe për shumë vite, ka qenë një referencë në botën e shkencës. Sidomos që nga viti 2013, kur ai fitoi çmimin Nobel në Kimi.

Ekipi i tij, me ndihmën e vullnetarëve nga vende të ndryshme, punon vazhdimisht në analizën e të dhënave në lidhje me virusin, me qëllim të gjurmimit të evolucionit të COVID-19.

Levitt është kritik i ashpër ndaj strategjisë së zgjedhur nga shumica e qeverive të botës për të luftuar pandeminë.

“Unë mendoj se karantinat nuk shpëtuan asnjë jetë”, tha ai në një intervistë për The Telegraph të shtunën. “Ata do të kenë shpëtuar disa jetë në aksidente rrugore dhe të ngjashme, por dëmi social nga abuzimi në familje, divorci, alkoolizmi ka qenë ekstrem. Dhe pastaj ka nga ata që nuk u mjekuan për sëmundje të tjera”, transmeton Telegrafi.

Levitt beson se me disa rekomandime specifike, të tilla si veshja e maskave nga fillimi i shpërthimit dhe miratimi i rregullave të caktuara të distancës sociale, i njëjti rezultat do të ishte marrë në aspektin shëndetësor, por me një kosto shumë më të ulët.

“Unë mendoj se virusi i vërtetë ishte virusi i panikut”, tha ai. “Për arsye që nuk janë të qarta për mua, unë mendoj se udhëheqësit u tërhoqën dhe njerëzit bënë gjithashtu, dhe unë mendoj se kishte një mungesë të madhe diskutimi”. / KultPlus.com

Lego i karantinës: entuziastët që ndërtojnë mini kryevepra

Me mijëra përdorues të Legos kanë shfrytëzuar karantinën dhe kanë përdorur kohën e lirë për të krijuar filma të animuar dhe modele të ndërtesave të vërteta me anë të kësaj lodre, shkruan BBC.

Lodra daneze është kërkuar shumë në internet gjatë karantinës, ndërsa në muajin mars termi “Sfida Lego” e arriti rekordin e kërkimeve.

Pra, pse aq shumë njerëz i janë kthyer këtyre pjesëzave plastike për argëtim gjersa jemi të mbyllur në shtëpi?

James Bond dhe 007

“Nuk kam pritur asnjëherë se puna jonë do të ketë aq shumë ekspozim, më shumë se vetë puna në profesioni tim” ka thënë kompozitori Jon Opstad.

Me ndihmën e fëmijëve kompozitori ka rikrijuar skenat e famshme të filmit James Bond nga episodet Thudnerball dhe The Living Daylights.

Animacioni i tyre me stop motion i skenave nga Thunderball është ndarë më shumë se 400,000 herë nëpër mediat sociale, përfshirë edhe nga vetë Lego, nga faqja zyrtare e James Bondit dhe nga njerëz tjerë të famshëm.

“Çdo gjë është bërë më kamerë të thjeshtë dhe nuk kemi shtuar efekte speciale,” tha fansi 36 vjeçar i 007-shit.

Spitali me të gjitha detajet

Ricky Parkes ka ndihmuar vajzën e tij të rikrijojnë spitalin King’s Mill në Nottinghamshire. Ai tha se vajza e tij tetë vjeçare kishte pasur detyrë shtëpie nga shkolla që të bën modelin e një ndërtese lokale nga çfarëdo materiali

“Kemi përdorur 1,200 pjesë të Legos, madje edhe disa prej tyre që kishin mbetur nga fëmijëria ime,” tha Parkes.

Rikrijimi i festivaleve

Jonathan Oakes dhe bashkëbanuesi i tij Adam Hardman, që të dy adhurues të festivaleve të muzikës, nisën duke bërë një model të skenës Piramidë të festivalit Glastonbury, dhe vazhduan pastaj me krijimin e Creamfields dhe ngjarjes së vitit 1985 Live Aid, të kompletuar me drita, tym dhe muzikë, transmeton KOHA. 

Modeli i tyre i festivalit të Glastonburyt ka pasur rreth 6 milionë shikime nëpër mediat sociale dhe madje iu është ofruar pagesë për modelet e tyre, me kërkesa nga Japonia dhe New Yorku.

Ndërtimi i Pub-it më të dashur

Arkitekti Tim Hatton tha se ndërtimi me Lego kishte qenë gjithmonë inspirim për të, dhe nuk është befasi pse ka studiuar arkitekturën.

“Kam krijuar Pub-in tim të preferuar, nga pjesë të ndryshme të Legos, ngase nuk mund të shkoj vetë atje”, ka thënë ai.

39 vjeçarit iu deshën katër orë për të ndërtuar këtë mini kryevepër, të cilën pastaj e postoi në mediat sociale.

“Kërkova në Google për fotot e Pubit por vetë kam kaluar shumë kohë atje andaj shumica u krijua nga kujtesa. Është vend me shumë karakter” ka thënë ai.

Ripërdorimi i shumë pjesëve nga e kaluara

Mel Abbott dhe biri i saj Buddy kanë rregulluar dhe rikonstruktuar komplete të vjetra të Legos, duke i shndërruar në kamionë, karvanë dhe vetura.

Por së pari janë dashur të kategorizojnë copëzat sepse 30 komplete ishin përzier gjate shumë viteve.

“Është gjë e mirë të kalojmë kohë së bashku, sjellë kënaqësi dhe është terapeutike”, ka thënë ajo.

Konkurs për “Librin e Karantinës” nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Tiranë

Duke iu referuar të shkuarës ku disa shkrimtarë si Shekspiri, Çehovi, apo Pushkini, në kohë izolimi i dhuruan lexuesit kryevepra të letërsisë botërore, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Tiranë  i fton autorët shqiptarë në një konkurs për krijimtarinë më të mirë nën titullin “Libri i Karantinës”.

Gjinia në konkurrim është në prozë dhe afati i fundit për të dorëzuar dorëshkrimin është 15 maji.

Fituesi do të jetë vetëm një. Do të gjykohet nga një juri me profesionistë të fushës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do t’i mundësojë botimin. Koha.net / KultPlus.com

Vetë-karantinimi, platforma “Audio Book”, mundësi e shkëlqyer lundrimi rreth botimeve

Kufizimi i lëvizjes së njerëzve të ndërmarra nga autoritetet shtetërore, si dhe mbyllja e çerdheve, kopshteve, shkollave dhe e mjaft bizneseve, si masa parandaluese për frenimin e përhapjes së koronavirusit COVID-19, sigurisht që kanë zvogëluar mundësitë e argëtimit, por kanë shtuar edhe dozat e stresit te të gjitha grupmoshat.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehet se në “në këto ditë të vështira, mungesën e lirisë për të lëvizur si do të donim, mund ta kompensojmë me libra. Përmes tyre mund të udhëtojmë në kohë dhe në hapësirë”.

Ajo falënderon SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA, që u vjen në ndihmë qytetarëve përmes platformës “audio book”.

“Lundroni mes qindra titujsh, ardhur përmes zërave të artistëve tanë. Sot sugjerojmë për ju pëmbledhjen e “100 Përralla Klasike”, interpretuar me mjeshtëri nga Teatri jonë i Kukullave”, rekomandon Margariti. ATSh / KultPlus.com

Së shpejti pritet të jetë gati karantina e parë në Prishtinë

Ministri i Shëndetësisë, në një konferencë për media ka bërë të ditur se së shpejti do të jetë gati karantina e parë në Prishtinë.

Kjo do të shfrytëzohet për personat që vijnë nga jashtë dhe paraqesin rrezik potencial për përhapje të virusit.

“Do t’a kemi karantinën e parë gati (në Prishtinë) për personat e ekspozuar ndaj rrezikut në momentin që për një masë të tillë ka nevojë dhe kemi opsione edhe për të tjera jashtë Prishtinës;

Kjo masë vlen për personat që vijnë nga jashtë dhe paraqesin rrezik potencial për përhapje të virusit”, ka thënë ai.

Më poshtë mund të gjeni detaje të shumta që ka dhënë miinistri për ditët e fundit ku numri i të prekurve nga virusi korona është rritur në Kosovë, në 17.

Adresimi i sotëm i Ministrit Arben Vitia në konferencën për media lidhur me situatën epidemiologjike në Kosovë.


Me qëllim të ndarjes më të shpejtë të saj me publikun, po ua përcjellim të plotë.

Ministri Vitia:

Dëshirojmë të ju falënderojmë për angazhimin tuaj të pakursyer për të informuar popullatën lidhur me zbatimin e masave të ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për menaxhimin e rasteve me Koronavirus Covid-19 dhe situatës epidemiologjike në tërësi pas vendimit të Qeverisë për shpalljen e gjendjes emergjente të shëndetësisë publike.

Ashtu siç jeni informuar në vazhdimësi deri më sot, në Kosovë, përmes Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjithsej 271 mostra të dyshimta në Covid-19 dhe gjithsej shtatëmbëdhjetë (17) prej tyre kanë rezultuar pozitive (+).

Informatat nga Klinika Infektive e QKUK-së janë se gjendja e të prekurve që po trajtohen në Klinikë (10 pacientë) është stabile dhe me përjashtim të njërit prej pacientëve, më të moshuarit, që kohë pas kohe, po asistohet me oksigjeno terapi, pacientët e tjerë janë duke marrë një trajtim mjekësor mbështetës dhe janë në gjendje stabile.

Dy (2) prej të hosipitalizuarve më parë janë liruar në shtëpi, në gjendje stabile shëndetësore dhe do të qëndrojnë në vetkarantinë.
Duke shprehur një mirënjohje të veçantë për angazhimin e madh të punonjësve shëndetësore në trajtimin e të prekurve me koronavirus dhe në hulumtimin e rasteve të kontakteve të personave tashmë pozitiv dhe kontakteve të tyre, më lejoni të ju them se brenda mekanizmave për menaxhimin e situatës është një angazhim i madh i të gjitha ministrive, organizatave dhe pushtetit lokal për t’u ballafaquar në mënyrë sa më efikase me situatën.

Në këtë aspekt, ju informoj për disa veprime të menjëhershme të ndërmarra pas shpalljes së gjendjes emergjente të shëndetit publik nga Qeveria:

· Dje ka përfunduar procedura për kontraktimin e mjeteve mbrojtëse mjekësore për personelin shëndetësor si: maska-respirator FFP2, veshje mbrojtëse për trup, mburoja për fytyrë, çarqafë dhe mjete të tjera për personalin mjekësor dhe shërbimet e tjera mbështetëse si Polici, Dogana dhe të tjerët nga mjetet 400 000 euro të ndara më parë nga Qeveria;
· Me këto mjete do të kemi furnizime më të qëndrueshme për të gjitha institucionet e lartpërmendura, sepse siç e dini, rezervat që i kemi gjetur nuk kanë qenë të mjaftushme për një situatë si kjo.


· Gjithashtu, Qeveria ka alokuar 6.2 milionë euro për shfrytëzim të menjëhershëm prej shumës prej 10 milionë eurove për zbatimin e aktiviteteve të përfshira në Planin e Veprimit kundër Covid 19, për të siguruar mjete mbrojtëse për personalin shëndetësor, furnizimin e QKMF-ve në komuna dhe shërbimeve të tjera mbështetëse dhe siguruar vijimësinë e aktiviteteve kundër Covid-19;
· Javën që vjen në Kosovë do të vjen një kontigjent i mjeteve mbrojtëse dhe pajisjeve mjekësore-donacion nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
· Gjithashtu, OBSH ka ndarë një ndihmë në vlerë prej 7 milionë eurove; që do t’i përforcojnë furnizimet në institucionet shëndetësore;
· Banka Botërore ka ofruar mbështetje financiare për aktivitetet në masat kundër Covid-19 në vlerë prej 7.9 milionë eurove.
· Kanë filluar edhe donacione të ndryshme në materiale dhe mjetë të tjera të distributorëve lokalë, por edhe individëve si shenjë e solidaritetit me përpjekjet e përgjithshme të përbashkëta kundër Koronavirusit;
· SHSKUK ka shndërruar Klinikën Infektive tashmë në klinikë që do të shërbeje vetëm për rastet e Koronavirusit, derisa kapacitetet do të përforcohen edhe përmes lirimit të hapësirave të Klinikës së Pulmologjisë, Dermatovenerologjisë (pacientët e pulmos transferohen ne klinikën e Alergologjisë);
· Objekti i ri i Mjekësisë Sportive është duke u bërë gati gjithashtu për të shtuar kapacitetet edhe me rreth 100 shtretër të tjerë, që në total vetëm brenda këtyre shërbimeve (Infektiva, Pulmo, Derma dhe Mjekësia Spotive) na sigurojnë rreth 500 shtretër për një fluks eventual më të madh të pacientëve me Koronavirus;


· Spitaleve private u është kërkuar të vënë në dispozicion kapacitetet e tyre si: resurset humane, pajisjet dhe infrastrukturën, nëse do të ketë nevojë dhe, qysh sot kemi marrë përgjigjet e para pozitive;


· Do t’a kemi karantinën e parë gati (në Prishtinë) për personat e ekspozuar ndaj rrezikut në momentin që për një masë të tillë ka nevojë dhe kemi opsione edhe për të tjera jashtë Prishtinës;

· Kjo masë vlen për personat që vijnë nga jashtë dhe paraqesin rrezik potencial për përhapje të virusit;


· Kemi regjistruar vetëm dje rreth 150 vullnetarë të profileve të ndryshme mjekësore (shumica) dhe jo-mjekësore, të gatshëm për t’u inkuadruar qysh sot në shërbim, dhe kemi bërë edhe Komisionin në MSh i cili bën distribuimin e vullnetarëve sipas nevojave në terren. Indeksonline / KultPlus.com

Ja si duket bota në karantinë (FOTO)

Në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit të ri, qeveritë në mbarë botën kanë vendosur kufizime të forta për lëvizjen e njerëzve.

Shkollat dhe bizneset janë mbyllur dhe ndalohen grumbullimet publike.

Fjala që dëgjon më shumë këto ditë është distancimi social.

Revista e njohur, “The Atlantic” sjell këtë fotogaleri që tregon se si duket bota në karantinë.

Sabri Hamiti shkruante për karantinën qysh në vitin 1994

Poezi nga Sabri Hamiti

Karantina

Ju flisni hani veten rënkoni
Të ligur nga uria e shpresa
Ju plasni vetë vdekjen shumoni
Në plasa të zemrës ndalesa

Rrethuar me male ku plumbi
Lulëzon me kurtha jetime
Ku qeni të zotin e humbi
Përthurni në këngët vajtime

Kullotni ju fushat e mjera
Buzëlagur në krojet me lot
Lumenjtë që i thau vera
Në prag të shtëpisë pa zot

Ju keni si s’kemi mjerimin
Q’e do këtë botë e lirë
Po patët thersar guximin
Çfajsimi ju bën më mirë

Ju luani me zërin me moshën
Që plaku hapësirën me thija
I gjori përkund lëmoshën
Në djep të ëndërrave të tija

Keni ju ashtin lëkurën
Shpirtin në qiellin lotak
Në syrin e verdhë pëlhurën
Dheun të lyer me gjak

Pajtoni kalimin hyjnor
Me shpellën e zezë në gji
Valoin fjalimi paqtor
Mbi trup çarshafi i zi / KultPlus.com

Petrit Çeku me recital live nga dhoma: Ndjehem sikur ishim bashkë në ato momente

Pothuajse në gjithë botën janë ndalur të gjitha aktivitetet kulturore e artistike për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme që është krijuar me rastin e shpërndarjes së Koronavirusit. Italianët, aty ku virusi u shpërnda në masë të madhe, duke qenë në karantinë, janë munduar të gjejnë mënyra të ndryshme se si të argëtohen dhe ta mposhtin panikun nga ky virus. Duke dalë në ballkone atë bënë muzikë e kënduan, duke i dhënë mesazh gjithë botës se jeta duhet shijuar në çdo mënyrë, shkruan KultPlus.

Por, një veprim të jashtëzakonshëm e ka bërë edhe kitaristi shqiptar Petrit Çeku.

Ai ka zgjedhur një tjetër formë, që përmes artit të tij të jetë më afër njerëzve në këto kohë të vështira.

Duke qenë i izoluar në banesën e tij në Zagreb, ai ka vendosur të mbajë një recital me veprat e Schubertit.

 Në një lidhje Live në Facebook ai ka arritur të mbledhë një numër të madh njerëzish në recitalin e tij më të veçantë ndonjëherë. Për gati gjysmë ore, ai solli gjashtë vepra të kompozitorit austriak Franz Peter Schubert. Nga gjithë sallat e mëdha që ka shkelur Çeku, dhoma e tij dukej sikur ishte një hapësirë ideale për atë recital e sikur atij po i jepte qetësinë e botës.

Ai përmes një statusi në Facebook, falënderoi të gjithë ata që e përcjellën recitalin e tij, duke potencuar faktin se ishin pothuajse 10 mijë njerëz nga e gjithë bota që e shikuan Live recitalin e tij të vogël.

“Ndjehem sikur ishim bashkë në ato momente. Të mos harrojmë se megjithëse jemi të bllokuar në shtëpitë tona, ne jemi bashkë në këtë”, ka shkruar Petriti në Facebook. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/petritcekuguitar/videos/212469509813559/UzpfSTY4MTcwNjA3MTozMDYwNjExMjk0OTk0MTQ6MTA6MDoxNTg1NzI0Mzk5OjY2NzY0OTI3OTI5NDc2NzY0NzE/

Çfarë ju nevojitet për një karantinë 14 ditore

Imagjinoni të keni ngecur në shtëpi në karantinë për shkak të koronavirusit të ri ose ndonjë pandemie tjetër. Mund të ndodhë. A je gati?

Sipas zyrtarëve të shëndetit, ja se çfarë ju nevojitet:

Sanitizues i duarve me bazë alkooli që përmban midis 60 dhe 90 përqind alkool;

Ilaçet për dhimbje koke, kollë dhe ethe;

Termometër;

Ilaçe kundër diarresë;

Pije me elektrolite;

Përtej kësaj, mbani parasysh edhe sa vijon:

Mbani një sasi të ilaçeve me recetë që ju ka rekomanduar mjeku, për të shmangur vonesa të mundshme gjatë një epidemie apo pandemie;

Furnizohuni për JO ME SHUME se NJË JAVË me ushqime që nuk skadojnë, si mish i konservuar, peshk, supë, bizele dhe perime. Mos harroni ujin me shishe.

Mbani një furnizim të mjaftueshme me sende dhe mjete të domosdoshme shtëpiake si sapun, shampo, pastë dhëmbësh, letër tualeti dhe të tjera.

Mbani disa para cash në shtëpi në rast të ndonjë emergjence. / KultPlus.com