Laguna e Karavastasë, Rama: Vizitoni një nga veprat më të përkryera të natyrës

 Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta vitet e fundit është kthyer në një destinacion të turizmit të vrojtimit të shpendëve dhe jo vetëm, ku dominojnë më shumë flamingot, zogjtë me qafën e hollë dhe të harkuar dhe me këmbët e hijshme.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje të flamingove mbi lagunën e Karavastasë, që gjithnjë e më shumë prej kur ky park u shpall zonë e mbrojtur, po tërheqin vizitorë të shumtë.

“Fundjava e parë e 2025 me diellin që shkëlqen pavarësisht të ftohtit, është një moment i mirë për të vizituar një nga veprat më të përkryera të natyrës, Lagunën e Karavastasë”, shkruan Rama.

Flamingot janë shpendë që migrojnë në vendet e ngrohta dhe parapëlqejnë ujëra të kripura dhe të cekëta, ku gjejnë ushqimin e tyre të zgjedhur, në vendin tonë habitati i këtij lloji është Laguna e Nartës, Karavastasë, por edhe liqeni i Pogradecit.

Flamingot ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit.

Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit.

Laguna e Karavastasë radhitet në lagunat me rëndësi të madhe si zonë e rëndësishme për llojet shtegtare dhe si habitat i mbi 20,000 shpendëve dimërues.

Gjatë verës, laguna frekuentohet dhe nga shpendë të tjerë. Ajo është e njohur për koloninë e madhe të pelikanit kaçurrel, e vetmja pikë folenizimi bregdetar të Shqipërisë.

Ndalimi i gjuetisë për një periudhë të caktuar ka sjellë shtimin e dukshëm të kolonisë së pelikanëve, madje edhe të flamingove, të cilat ishin tepër të rralla./atsh/ KultPlus.com

Parku Divjakë-Karavasta, mbi 37 mijë vizitorë vetëm në shtator

Parku Divjakë-Karavasta është një prej aseteve më të çmuara të pasurive natyrore, por edhe destinacion ekoturistik, që vetëm në muajin shtator ka pritur mbi 37 mijë vizitorë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro shkroi në rrjetet sociale se, ditëlindja e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, u kremtua me një “tryezë të gjelbër”, mbushur plot me bashkëpunëtorë dhe të rinj, të cilët japin me pasion dhe përkushtim kontributin e tyre të vazhdueshëm për mjedisin dhe zonat e mbrojtura.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, e përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore. Është shpallur edhe si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995. Me vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë 26.1.2022 ky park u zgjerua nga 22 230.2 ha në 22 389.08 ha.

Shtrihet si një hark i gjelbër anës detit Adriatik, gjendet rreth 5 km larg qytetit të Divjakës dhe afro 70 km larg Tiranës. Ai kufizohet nga lumi Shkumbin në veri, nga kodrat e Divjakës në Lindje, nga kanali i Myzeqesë dhe lumi Seman në jug, dhe laget nga deti Adriatik në perëndim.

Zona e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta strehon përqendrimin më të lartë të shpendëve ujore rreth 51 000 individë, dhe rreth 500 çifte folenizues në Shqipëri. 89 specie të ndryshme që përfaqësojnë grupet e molusqeve, insekteve, amfibëve, zvarranikëve, zogjve dhe gjitarëve, të pranishme në zonën e parkut, janë konsideruar si të kërcënuara në Shqipëri. 42 specie i përkasin kategorive shumë të rrezikuara, duke përfshirë rrezik kritik, të rrezikuara dhe vulnerabël. Është, pa dyshim, zona më e rëndësishme e mbrojtur përgjatë hapësirë sonë bregdetare, madje nga më të rëndësishmet në brigjet e Mesdheut. /atsh/ KultPlus.com

Parku Divjakë-Karavasta zgjon interes për biologë dhe botanistë gjermanë

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, gjatë fundjavës që lamë pas, shënoi një një numër të lartë turistësh vendas e të huaj.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Fier ndau në rrjetet sociale momente nga vizita e turistëve në këtë park.

“Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta pati një numër të lartë vizitorësh. Midis vizitorëve të shumtë, binte në sy edhe ky grup i madh nga Gjermania. Midis tyre kishte biologë dhe botanistë të interesuar për faunën dhe florën e parkut”, theksoi AdZM Fier.

Safi i AdZM Fier ishte në krye të detyrës, duke bërë, jo vetëm shoqërimin e këtij grupi, por edhe duke asistuar vizitorët e tjerë.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një nga destinacionet më të preferuara për argëtim, qetësi dhe pushim gjatë fundjavës për qindra qytetarë që e frekuentojnë në çdo stinë.

Përveç natyrës, parku kombëtar u ofron qytetarëve edhe “shoqërinë” e specieve të rralla dhe të veçanta që ndodhen në këtë park si pelikani kaçurrel, apo edhe gjitari globalisht i kërcënuar – lundërza (Lutra lutra), çakalli, dhelpra, baldosa, dallëndyshja e detit, por edhe disa lloje të rralla pishash./atsh/KultPlus.com