Nga Pjetër Logoreci
Vizitori që udhëton me tren nga Vjena në drejtim të Graz-it, mrekullohet nga pamjet e ralla të natyrës malore të zonës të Semmering-ut. Menjëherë të mahnit bukuria e udhës së hekurt që gjarpëron në mes faqeve shkëmbore, që përshkon Ura e Viadukte, e që zhduket vazhdimisht një pas një nëpër 15 Tunelet, duke ofruar pamje të mrekullueshme të vendeve të Semmering-ut të mbuluara nga gjelbërimi i pishave. SEMMERINGBAHN quhet në gjuhën e vendit – hekurudha e Semmering-ut, një mrekulli arkitekturore e përmasave botërore, e cila asht e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me emrin e arkitektit me origjinë shqiptare KARL GHEGA.
Hekurudha e Semmering-ut në kohën e saj u cilësue si “kombinacjon në mes gjenisë së Karl Ghegës, teknologjisë dhe natyrës”. E ndertueme 158 vjet ma parë, kjo hekurudhë, 41 km e gjatë nga Gloggnitz deri në Mürzzuschlag, është e vlerësueme jo vetëm nga vjetërsia e saj, por edhe se: në vitin 1854, kjo vepër ishte hekurudha e parë malore e botës, gjë për të cilën u vendos më vonë në 1998- tën në listën e veprave të TRASHËGIMISË KULTURORE BOTËRORE TË UNESCO-S.
Kush ishte Karl Ghega – i njohtun në arenën ndërkombëtare si CARL RITTER VON GHEGA?
Per ato që mund të vizitojnë Venezian, po të kalosh nga Piazza San Marco nëpërmes nji sheshit të vogël, në shëtitoren Riva degli Schiavoni, përpara Hotel Danieli e statujës të Viktor Emanuelit II, nëpër Via Giuseppe Garibaldi në Fondamenta Sant Anna, gjendet Calle San Giocchino, në një qoshe të së cilës ka lindë personazhi i shkrimit tim Carlo Ghega.
Kjo shtëpi e thjeshtë, e cila në pamje të parë të duket si fasada e pasme e një kishe, ka në murin saj një pllakë përkujtimore mermeri ku shënohet lindja e Cavaliere Carl Ghega-s. Në këtë shtëpi me 10 Janar 1802 lindi mjeshtri me famë botënore i ndërtimit të hekurudhave Austriake, Karl Ghega. Karli ishte djali i vetëm i oficierit të marinës Anton Ghega dhe Anna Pribish të cilët kishin edhe tri vajza. Simbas regjistrit të pagëzimit të famullisë San Pietro,me nr 34, në faqe 183: me 10 Janar të vitit të bekuem prej Zotit 1802, u lajmërue lindja e Karlit, i biri i zotni Anton Ghega djalë i Gasprit (Kaspar), Oficier i marinës dhe zonjës Anna e lindun Pribich e bija e Gjergjit (Georg), grueja e tij e ligjëshme, i cili jeton në Fondamento di San Giocchino.
Kumbara i pagëzimit: zotni Andre Contuzzi i biri i Nikollës – oficiermarinet nga famullia e S. Giuliano. Mamija: Aleksandra Longo. Spigarol di contrada. Prifti: Peter Lanza – Famullitar. Kisha San Pietro di Castello në ishullin Olivolo në Venezia ishte vendi ku u pagëzue me 10 Janar 1802 i porsalinduni Karl Ghega, vend ku gjindej selia e banimit të Ipeshkvit të Venezias. Lidhun me ditën e lindjes të Karl 3 Ghegës nuk ka asnji dyshim në saktësi, por në arkivën e Shtetit Austriak, në kartelën me të dhënat biografike të punës së Karlit shënohet 13 Korriku 1802 si dita e tij e lindjes. Nuk dihet se si mund të jetë ba nji gabim i tillë pa u kuptue nga administrata, por historishkruesi i librit mbi hekurudhat Bruno Enderes hamendëson se dikur në vendet kristiane, festohej dita e emnit më shumë se ditëlindja dhe shpesh fiksohej si ditëlindjeje. Familja e Karlit kishte si traditë që prej disa gjeneracjonesh, marinen. Paraardhësit e tij kishin shërbyer si oficerë të marinës në republikën e Venezias. Baba i Karlit, Antoni ishte i oficier i teknikës në marinë dhe mbante uniformën e k.k. Marinësluftarake. (Kaisertum Österreich und Königreich Ungarn Kriegsmarine). Sipas autorit Alfred Niel i cili ka shkrue biografin e Karl Ghega-s në 1977: prejardhja e familjes Ghega është nga Shqipëria. Kjo shpjegohet edhe me kuptimin e fjalës Ghega në gjuhën shqipe, spjegon Niel. Autori i referohet edhe priftit franceskan shqipëtar Dr. Phil. Paulin Margjokaj, i cili ka jetue në Vjenë e që ndoqi gjurmët e prejardhjes së familjes Ghega. Sipas gjurmimeve historike të tij, mbasi në 1478- tën Turqit pushtuen Shkodrën, Venezianet u larguen nga qyteti i Shkodrës duke marrë me vehte edhe shumë familje qytetare shkodrane që punuen për to. Të gjithë këto shqiptarë kjene vendosun në një zonë të qytetit të Venizias dhe thirreshin nga vendasit Gegët / Ghegët (në italishte Gh mbasi ka një ton ma të fortë artikulimit). Po kështu edhe studiusi dhe autori i librit tjetër për Karl Ghegën – Ëolfgang Straub, si dhe autorë të tjerë e biografë si Gerhard Artl, Günther Dinhobl, Mihaly Kubinnszky, e lidhin prejardhjen e familjes Ghega me Shqiperinë.
Qysh në moshën e fëmijnisë Karletto-ja ishte një nxënës që pati rezultate të shkëlqyera dhe tregoj prirje të veçanta në matematike dhe në ndërtimin e objekteve mësimore. Bazat fillestare të mësimit ai i mori në familje ku dhe u edukue nën një disiplinë të rreptë. I jati duke pa talentet e djalit të vetëm në mes të tri motrave, vendosi të vazhdojë traditën familjare dhe ti japë atij drejtimin e oficierit të marinës, por që Karli nuk e dëshironte. Kështu që në moshën 12 vjecare ai u shkëput nga mësimet e marinës e me këshillen e mësuesve, në Kollegjin ushtarak të Sant Annës në Venezia, vazhdoj kursin e matematikës dhe filosofisë të cilat i mbaroj me sukses të vecantë. Qysh në këtë moshë Karli shihej nga të tjerët si “koke e ndritun” dhe zotnonte gjuhën frange e po ashtu gjermanishten të cilën e kishte gjuhën e nanës e cila vinte prej familjes Pribich nga Istrien në gjiun e Triestes. Në moshën 15 vjecare ai mori Diplomen e “ licenziato Ingeniere e architeto a pieni voti”. Për të ndjekun prirjen e tij, në këtë moshë u 4 largu nga Venezia për në Universitetin e Padovë-s ku filloj studimet 3 vjeçare për Matematikë dhe shkenca të natyrës në Janarin e vjetit 1818, direkt në vitin e dytë. Në certifikatën e regjistrimit në Universitetin e Padova-s shkruhet: ka mësue në kolegjin ushtarak të Sant Annës në Venezia këto lëndë: Arithmetikë, Gjeometri, Trigonometri, Algjebër, Fizikë, Hidrologji, Pendëlteorie, Shkenca mekanike. Edhe në vjetin e dytë të Universitetit ai arrinë që për 7 muej të përvetsojë të gjitha leksionet, e në gusht të 1818 të kryej provimet vjetore duke mbyllë krejt vitin universitar. Është gati e pabesueshme të mendosh se qysh në tetor 1817 ai frekuentonte përnjëhrë me Universitetin edhe një shkollë private ” Inspezione centrale d´ Acque e Strade” në Venezia. Ecejaket në mes Padovës dhe Venezias i krijuan mundësinë që teoritë e universitetit ti vente në praktikë në Venezia ku hyri në inspektoriatin e Hidrologjisë dhe të Rrugëve si nxënës praktikant. Ai ishte kërkues ndaj vehtes dhe duke pa rezultatet e larta e të shpejta të tij, në periudhën e pushimeve verore, e pranuen në një kurs arkitekturet në Accademia di Belle Arti te Venecias. Karli pervec se ishte talent i orientuem nga shkencat e matematikës, pat edhe fatin që të merrte mësime nga profesorë me famë botnore në shkencat e natyrës, si matematikani Giuseppe Avanzini i cili ishte specialist në zhvillimin e fushës së Hydro e Aerodynamikës, ose Giovanni Farini profesor i historisë së natyrës dhe mardhanieve në mes Teknikës dhe Filosofisë. Mbas provimeve të 1918-ts ku mori titullin Ingeniere Architetto tashma nën drejtimin e këtyne profesoreve shkencëtare, Karli mbylli provimet e diplomës universtare me 11 qeshor 1819 me titullin Doktor në Matematikë me të gjitha pikët dhe më fletë lavdërimi (a pieni voti e con lode). Në këtë periudhë nevojat për ingjinierë ishin të mëdha e mundësitë për punësim të shumta. Karli nuk vonoj të punësohej në administratën shtetnore, në sektorin e ndërtimit “Inspezione Centrale d´Acaue e Strade” të Venezies si ingjinier, e pak kohë më vonë në Departamentin e Ndërtimit të Rrugëve si vullnetar. Punimet e tij të para i filloj në provinzën e Bellunos, ku po hapej rruga malore nga Pieve di Cadore nëpër Cortina deri në Toblach. Si ingjinier i klasit të I, vazhdoj të punojë në sektorin e ndërtimit të bashkisë së Trevisos e po kështu si ingjinier i deleguem për të gjitha zonat e veriut të Italisë. Ai drejtoj ndërtimin e rrugëve në Conegliano, Ceneda – Seravalle dhe rregullimin e lumit Po. Në të njëjtën kohë ai merrej me planifikimin dhe projektimin e ndërtesave zyrtare shtetnore si godinën e Bashkisë, Burgjet, Gjykatat, në Treviso. Për merita të mëdha e rezultate të larta në punë, në 7 vitet e para të karrierës, ai u nderue me 18 dekrete mirënjohje. Pervec punës së tij në terren, ai merrej me studime teorike, që sollën si rezultat dy zbulime të randësishme për të cilat u dekorue me dy URDHERA NDERI. Zbulimi i parë ishte NIVELLIERLATTE (shtyllën niveluese) në vitin 1831 dhe i dyti në vitin 1833, NONIUS-IN (vegël që përdorej për stakimin e harqeve)
Në tetorin e vitit 1831, në ndarjen e cmimeve e ndërimeve për shpikjet në sektorin e industrisë, ai u nderue për zbulimet e tij me medalien e argjëndit të “Cesareo Imperiale Regio Instituto Lombardo – Veneto per le scienze, Lettere ed Arti”.
Me 1833 përfundoj studimin teorik të Nonius-it dhe e botoj në librin “DELL´OTTANTE A DIOTTRA” që e bani të njohtun edhe si autor librash të specializuem. Këte studim ai e zhvilloj më vonë praktikisht në ndërtimin e hekurudhave. Për të gjithë këto rezultate të shkëlqyera punët, në vjetin 1836 ai mori një propozim nga banka Rothschild në Vjenë, që të punësohej për 4 vjet në ndërtimin e hekurudhës “Kaiser Ferdinand Nordbahn”. Ky projekt i ishte dhanë kesaj Banke nga kryministri i shtetit Metternich dhe ishte projekti i parë hekurudhor në Austri. Kryeqytetit Vjenë i duhej hekurudha që të lidhej me portin e Triestes dhe që të kishte një lidhje me detin Adriatik. Përpara se Karl Ghega të fillonte punën në këtë fushë u dërgue së bashku me një përfaqësues të Bankës Rothschild, të quejtun Goldschmidt në një udhëtim njohjeje e studimi për hekurudhat në Gjermani, Belgjikë, Francë, Angli dhe Amerikë. Gjatë këtij udhëtimi u njoh dhe u miqësue me krijuesin e Lokomotivës, Georges Stephenson në Neëcastle. U kthy në atdhe me shumë njohuni e ide të reja e filloj punën si shefingjinier i segmentit hekurudhor prej Rabensburg deri në Brünn. Sektori që ai drejtonte, kishte 8 ingjiniere specialista, 16 mjeshtra ndërtimit e 16.000 punëtore. Për këtë sipërmarrje nuk kishte pasë një tentative apo përvojë të mëparshme, gjithçka ishte premierë. Për Ghega-n nuk ishte e qartë se me çfarë lokomotive do të përshkohej naltësia e Semmeringut, Seilbahn (Lokomotivë me fije celikut), Lokomitivë me shtytje atmosferike apo një Lokomotivë mbi parimin e forcës të fërkimit? Edhe vetë babai i hekurudhave Stephenson ishte skeptik për realizimin e kësaj hekurudhe malore. Shumë profesionista e quajtën projektin e Karlit si “fantazia e një të çmendurit” e vetë atë një “sharlatan që po shfarosë paret e shtetit”, bile u thirr në parlament një komision hetimit kundër idesë se Karl Ghegës. Shtypi i ditës profetizonte me keqdashje që “ një nder 10 udhëtarë do të shkojë në djallë”. As letra paralajmëruese e shoqatës së arkitektëve nuk e theu kambënguljen e Ghegës për zbatimin e projektit i cili pat mbështetjen e shefave të tij bile edhe të oborrit perandorak në Vjenë. Kështu u vendos në mbledhjen e këshillit të ministrave të datës 1 mars 1849 që drejtohej nga vetë Kaiseri Franz Josef I, që punimet e sapo fillueme në Gloggnitz të vazhdonin me përparsi deri në përfundim. Në këte kohë ekonomia ishte në krise dhe papunesia ishte shumë e madhe, prandaj ndërtimi i hekurudhës do të kishte një vështrim pozitiv social në ndryshimin e mirëqënies së familjeve. Në fillim silleshin në Gloggnizt nga Vjena me tren mijra punëtorë, por më vonë u krijuen nga nevoja kampe të 6 qendrueshme banimi për punëtorët. Për punën intensive e të panderprerë në zonën e Semmeringut, nga kurshtarët e shumtë të asaj kohe flitej: “ato po gërmojnë, thyejnë e plasin shkëmbij, rrezojnë diga dhe hapin rrugën e projektueme përgjatë bllokut malor deri mbrapa malit, ku rruga harkohet tuj e përpi gojët shkëmbore të tuneleve në mbrendësi e thellësi, ditë e nate, ditë diele dhe festa, verë e dimën….”
Kështu u ba realitet ndërtimi i hekurudhës malore së Semmeringut nën drejtimin e Dr. Karl Ghegës, një vepër mjeshterore e paparë deri në atë kohë, në lartësinë 437 metra (në Gloggnitz), e cila kalon mbi mure mbrojtëse solide, mbi rreth 100 urave monumentale që përshkojnë luginat, shpesh edhe dy katëshe në mes masivit shkëmbor të maleve e 15 Tuneleve, 16 Viadukte (një ose dykatësh), që ishin kryevepra të artit arkitekturor për nga bukuria. Në 6 vjetet e ndërtimit u lëvizën rreth 700 000 metërkub material shkëbmbore / gurë. Tuneli kryesor i kishte gjatësinë 1430 metër dhe ishte në naltësinë 895 metër mbi nivelin e detit. Por zbatimi i këtij projekti pat edhe veshtirësitë e veta. Mu në mes të prozesit intensiv të punës në 1850- tën në mes të punëtorve u përhap kolera nga ku vdiqën 300 punëtore. Aksidentet në punë nga shkarjet e masivëve shkëmborë apo shembje të galerisë në Veinzettel i kushtoj jetën 13 punëtorëve.
Me gjithë pengesat e mëdha, Karl Ghega arriti që të mbaj nalt ritmin e punës e kështu me datën 25 qershor 1851 ai bani provën e parë të hekurudhës duke përshkue me lokomotivën “Save”, në fillim gjatësinë deri në Payerbadh e mbas pak ditësh deri në Küb. Krenar raporton Karli te ministri i tij Dr. Baumgartner që prova kaloj me sukses dhe jam i lumtur që ma në fund besimi Juej tek unë u vërtetue. Edhe kundërshtarët e Ghegës pranuen dështimin e tyne. Lindi nevoja e konstruktimit të një lokomotive të përshtatëshme për këtë zonë malore e për këtë Karl Ghega me lejen e superiorve shpalli një konkurs nga 13 gushti deri me 16 shtatori 1851, ku morën 7 pjesë firmat më të njohuna të konstruksionit të lokomotivave në botë. Ghega vertetoi që ishte jo vetëm mjeshtër arkitekt, por edhe njohës i mirë i teknikës së lokomotivave. Ai vendosi që për hekurudhën e Semmeringut të përdorej Lokomotiva VINDOBONA.
Kjo është lokomotiva Vindobona që u paraqit në konkurs e ndërtueme nga fabrika e hekurudhave Wien – Gloggnitzer në Vjenë. Këtu u duk se mbaroj rruga e mundimeve për ingjinierin arkitekt Karl Ghega i cili me 12 prill 1854 së bashku me Perandorin Franz Josef I, përshkoj për herë të parë naltësinë e Semmeringut. Disa ditë ma vonë ai shoqëroj edhe Perandoreshën e re Elisabet po në këtë udhëtim.” Për arritje të shkëlqyera, ne punë, Karli u nderue me “ORDEN DER EISERNEN KRONE 3. KLASSE” (urdhëri i kunorës së hekurt i klasë tretë) dhe ju dha titulli RITTER (Kalorës / Cavaliere) e Ritterkreuz des Leopolds Ordens (kryqi i hekurt i urdhërit të Leopoldit). Tashma ai thirrej Carl Ritter von Ghega.
Në të gjithë karrierën e tij ai u nderue me këto tituj e medalje:
Këshilltar Ministror e Perandorak (1844)
Qytetar nderi i Triestes dhe Brünn-it
Kommendador i urdherit të Franz Josefit
Kavalier (Ritter) i urdhërit të kunorës së hekurt të klasës së III (1849)
Kavalier (Ritter) i urdhërit të Leopoldit
Kommendador i urdhërit të Josefit në Toskanë
U vendos në altarin e burrave të mëdhej të kombit
Përveç karrierës të pakrahasueshme si inxhinier dhe arkitekt, Karli pat edhe anën tjetër të jetës, atë private, për të cilën nuk ka shumë të dhëna. Ai ishte në përgjithësi njëri i vetmuar, kalonte një jetë të 8 thjeshtë e pa pretendime. Ai banonte i vetëm në qendër të Vjenës, në Bashkinë e parë dhe i pamartuar. Respekti që patën kolegët e punës për të shprehet me fjalët:ishte i dashtun me të gjithë, plot me humor, si në ditët e vështira ashtu dhe në të mira, ishte ai që dinte gjithmonë të kapërcente situatat e vështira me humorin e tij shumë njerëzor që paqësonte e freskonte këdo…Kjo ishte bota e brendshme e një njeriut me pikesyme të qarta në jetë e më besim të plotë në aftësitë e veta. Me gjithë nderimet që ju banë atij, në shkrimet e ndryshme për te nënvizohet me forcë fakti që mbas mbarimit të hekurudhës, ai u keqtrajtua e u la në harresë nga institucionet qendrore të shtetit, gja që solli deziluzion në personalitetin e tij e si rezultat sëmundje e depresion. Atij ju rishfaq sëmundja e vjetër e mushknive që i kushtoj edhe jetën. Në këtë kohë të papërshtatshme për te e “transferuen për punë” në një zonë të largët siç ishte Siebenbürgu (vënd afër Detit të Zi). Ai vdiq në moshën 58 vjeçare, i lënë në harresë dhe i anashkaluem nga opinioni.
Me vdekjen e tij qarkulluan shumë fjalë për një vetëvrasje. Edhe në librat e shkollave deri në vitet 60, fundi i jetës se tij shihej si suizid (vetëvrasje). Pat edhe autor si Richard Mauterer që në librin e tij mbi historinë e hekurudhës së Semmeringut (Richard Mauterer: Semmeringbahn – Daten, Fakten, Propaganda. Signale-Verl., Wien, 1990), në faqen 157 pohon vetëvrasjen e Ghegës. Kësisoj supozimesh pat edhe në Itali. Në të vertetë egziston në arkivën e famullisë së Shën Stefanit, në rrugën ku ai banoj, skeda e vdekjes së tij. Aty pershkruhet qartë nga famullitari i Katedrales, i cili i dha 9 shërbimet e fundit fetare, që ai vdiq me 14 mars 1860, në orën 1 pasdreke, në apartamentin e tij në Rotenturmstrasse 6 mbasi mori të gjithë sakramentet. Shkaku i vdekjes: Tubërkulozi i mushkënive.
Skeda e vdekjes e Karl Ghegës e nxjerrë nga arkiva e Katedrales Shën Stefanit në Vjenë. Dy ditë ma vonë kufoma e tij u dërgue nga Katedralja e Vjenës ku ju ba shërbesa fetare, në varrezat popullore të Ëahringer-it ku ishin edhe Beethoven e Shubert të varrosur. Varrimi u ba në prani të tri motrave të tij (Theresia Centinari, Angela von Salviolo e Josefine Ghega) dhe të shumë miqve e bashkëpunëtorve të tij. Në vitin 1887, me krijimin e varrezës qëndrore të Vjenës, eshtrat e tij u transferuen në një varrezë nderi në parcelen e figurave ma të nderueme të kombit.
Pllaka monumentale në nderim të veprës gjeniale të Karl Ghegës ne Semmer.
(Shkrimi nga Pjetër Logoroci, vjen pa ndërhyrje në KultPlus)./ KultPlus.com
Semmering, në sfond veprat monumentale të arkitektit Karl Ghega (Foto: P. Logoreci)