Personalitetet që janë kthyer në imazhe të parasë shqiptare

Kartëmonedhat e një vendi janë pjesë e identitetit kombëtar të tij.

Në cilësinë e emetueses së vetme të monedhës dhe kartëmonedhës shqiptare, Banka e Shqipërisë ka përzgjedhur të ndjekë konceptin e pasqyrimit të epokave historike nëpërmjet paraqitjes së portreteve të personaliteteve simbol të tyre në serinë aktuale të kartëmonedhave.

Në broshurën e publikuar së fundi nga Banka e Shqipërisë prezantohen gjashtë personalitetet që janë kthyer në imazhe të parasë shqiptare, teksa shpjegohet edhe simbolika që shoqëron secilën prej kartëmonedhave aktualisht në qarkullim.

Seria aktuale e kartëmonedhave përfshin këto periudha:

Kartëmonedha 2000 Lekë përfaqëson periudhën ilire (portreti i Mbretit Ilir Gent)
Kartëmonedha 5000 Lekë përfaqëson periudhën e Skënderbeut (portreti i tij)
Kartëmonedha 1000 Lekë përfaqëson Mesjetën (portreti i Pjetër Bogdanit)
Kartëmonedha 200 Lekë përfaqëson Rilindjen (portreti i Naim Frashërit)
Kartëmonedha 500 Lekë përfaqëson Pavarësinë (portreti i Ismail Qemalit)
Kartëmonedha 10000 Lekë pasqyron simbolet e flamurit kombëtar dhe himnit (portreti i Asdrenit)

Historia e monedhës kombëtare shqiptare nis në një kohë me krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, e konsistuar më 2 shtator të vitit 1925. Banka u krijua me nënshkrimin e konventës përkatëse midis grupit financiar italian, të kryesuar nga Mario Alberti, dhe Qeverisë së Ahmet Zogut.

Ndërsa për herë të parë, Shqipëria pati një institucion të bankës qendrore në vitin 1913, si rezultat i marrëveshjes së Qeverisë së Ismail Qemalit./ KultPlus.com

Hapet ekspozita me kartëmonedha shqiptare e koleksionistit Girando Koti në Gjirokastër

Pjesë e aktiviteteve të “Javës së Flamurit”, në Gjirokastër, ka qenë edhe çelja e ekspozitës me kartëmonedhat shqiptare të emetuara në vite e koleksionistit të apasionuar, Girando Koti.

Ekspozita e çelur me mbështetjen e bashkisë së Gjirokastrës, titullohej “Kartëmonedha shqiptare në 100 vite” dhe përfshinte disa emisione të parasë shqiptare, të emetuara apo të përdorura prej vitit 1926 deri në ditët e sotme.

Ndërsa ka vizituar ekspozitën, kryetari i bashkisë Flamur Golemi u shpreh se “një mesazh të veçantë në përvjetorin e Pavarësisë, përcjell edhe kjo ekspozitë me publikimin e historikut të kartëmonedhës shqiptare”.

Koleksionisti Girandi Koti pohon se, fondi i kartëmonedhave të ekspozuara i përket koleksionit të tij personal.

“Emisioni i parë i kartëmonedhave të publikuara në ekspozitë përfshin periudhën 1926-1939, për të vazhduar me kartëmonedhat e emetuara nga Banka e Shqipërisë apo të përdorura gjatë Luftës së Dytë Botërore, vitet 1945-1990 ndërsa pjesë e emisionit të katërt janë kartëmonedhat e emetuara dhe që janë përdorur këto 30 vitet e fundit në vendin tonë. Historiku i kartëmonedhës shqiptare në 100 vite është pjesë e pandashme e historikut të shtetit shqiptar, fillimet e të cilit janë në qeverinë e Vlorës, të drejtuar nga Ismail Qemali. Çelja e kësaj ekspozite në 109-vjetorin e Pavarësisë është domethënëse”, thotë koleksionisti Girando Koti.

Ekspozita ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve, duke përfshirë edhe turistët, të cilët në këtë atmosferë të Festave të Nëntorit janë të pranishëm në Gjirokastër. / KultPlus.com