Historia gjithmonë e ka anën e saj të bukur e të pastër.
E kur kjo dokumentohet me fotografi e video, atëherë ne kthehemi e jetojmë në realitete të ndryshme.
Me anë të këtyre kartolinave të vitit 1940 mund të kthehemi në nostalgjinë e kohës së shkuar, e cila herë ishte e mirë e herë jo për shqiptarët e shpërndarë nëpër botë.
Bukuria e gruas dhe magjia e mrekullisë së veshjes karakteristike shqiptare patën kartolinën si përçuesin më origjinal dhe më besnik të asaj vlere unike të përkatësisë sonë identitare, e cila shërbeu si një mundësi komunikimi dhe prezantimi me kulturat dhe traditat.
“Kujtim prei Maleve t’Shqypeniis” është mbishkrimi i kësaj fotoje të “Marubit”, e cila u shumëfishua në funksion të kartolinës. Vendosja e diçiturës në pjesën e poshtë, dhe në të sipërme, ose ndryshimet në këtë komponent, tregojnë për shumësinë e herëve që kjo kartolinë u botua.
Historia e kartolinës shqiptare është mbinjëshekullore. Fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimi i shekullit të njëzetë është koha kur Shqipëria u fut në kartolina, kryesisht përmes një manifestimi të bukurisë karakteristike të gruas shqiptare në veçanti dhe larmisë së veshjeve të saj. Një ndër koleksionet më të bukura të kartolinave shqiptare është ai i një autori austriak realizuar në zonën e Shkodrës, por u dominua nga fotot e Marubit. Por vitet më të mira për kartolinat shqiptare filluan pas viteve 1910-1915 e më vonë, sidomos në vitet tridhjetë, kur pati një kulminacion kartolinash shumë prej të cilave kanë arritur të mbijetojnë deri sot. Madje disa ekzemplarë të rrallë, si fotoja e publikuar, vijojnë të shiten në internet. Këto kartolina shtypeshin jashtë sigurisht, shumica ishin të teknikës bardhë e zi. Kartolinat e para mendoj se janë shtypur në Turqi. Tematika e tyre përqendrohej në kostumografinë shqiptare të kohës dhe ishte kjo veçori që e shtoi vlerën e këtij lloj publikimi.
Më pas kartolinat nisën të shtypeshin në Austri, Itali, në Kostancë të Rumanisë, dhe kudo ku kishte shqiptarë dhe shoqata shqiptare, madje edhe në Amerikë. Autorët ishin shqiptarë ose të huaj. Ishim të panjohur dhe misterioz për një pjesë të vendeve dhe kulturave dhe kartolina u shfaq si një prezantim unik i kësaj kulture dhe tradite, vlerat e së cilës ishin po kaq perëndimore sa e çdo vendi ku ajo u pa dhe u trajtua si një befasi.
Veçantia e kartolina qëndron te pasuria dhe shumëllojshmëria e veshjeve popullore shqiptare që u përfshi në subjekt. Ishin kartolinat nëpërmjet të cilave kaloi në një masë të konsiderueshme njohja, prezantimi dhe manifestimi i vlerave etnografike. Veshjet tradicionale shqiptare, si një prej komponentëve më unik të traditës ushqyen kartolinën shqiptare dhe e pasuruan atë më hir dhe bukuri që përgjithësisht ishte fare e panjohur. Kartolina udhëtoi ndoshta më shumë dhe më shpejt se çdo formë tjetër e prezantimit të këtij thesari të kombit shqiptar.
Duke cituar albanologun kanadezo-gjerman, Robert Elsie, kumtojmë se: Izolimi tradicional i shqiptarëve nga pjesa tjetër e Evropës bënë që veshjet popullore të shfaqnin tipare të veçanta dhe shpesh të rralla, të cilat mahnitën udhëtarët e parë evropianë. Në Malësinë e Veriut çdo fis, bile çdo luginë dhe çdo fshat, kishte veshje të veta, të cilat ishin të dukshme për popullatën në përgjithësi. Veshjet popullore tregonin jo vetëm përkatësinë fisnore dhe fetare, por edhe – për femrat në shumë raste – nëse gruaja në fjalë ishte e martuar apo jo. Veshjet popullore shqiptare ishin në përdorim të përgjithshëm deri në vitet ‘30, dhe në disa treva shqiptare edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Madje edhe në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetenjë nuk është gjë e rrallë të shohësh gra të cilat përdorin veshje popullore përditë, apo të paktën në ditën e pazarit. Kjo vlen në radhë të parë për Veriun e Shqipërisë në rrethet e Shkodrës, të Malësisë së Madhe, të Lezhës dhe të Mirditës, por veshjet shfaqen tek-tuk edhe në zonat e thella të Shqipërisë së Jugut, të Kosovës, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë.
Sot këto kartolina mund të jenë; grishje në nostalgji, magjepsje prej së bukurës origjinale, sikurse objekt studimi ose lakmi e koleksionistëve. Duke i rikthyer në trajtim dhe kujtesë, rrekemi të forcojmë lidhjet me të shkuarën dhe vlerat që ata përfaqësuan. Përmes këtyre fotove vjen e shkuara dhe i pëshpërit në vesh të sotmes, ndoshta duke i lënë ndonjë amanet apo përmbushur ndonjë premtim, por edhe për t’uy mburruar për atë çfarë ajo ishte dhe misionin që ju besua.
Kartolina të ndryshme të publikuara në kohë dhe nga botues të ndryshëm i gjeni te linku i poshtëshënuar.
Kartolinat i përkasin një tradite të shkuar nga një kohë kur festat nuk kishin kuptim pa to në një tjetër kur urimet shkëmbehen virtualisht.
Ndryshimet në formën e urimit e kuptojmë nga Arkiva e Shtetit që ruan në fond qindra të tilla, edhe një vendim të qeverisë që udhëzon Ministrin e Kulturës atë kohë të realizojë për fundvit 500 kartolina.
“Kemi vitet ’20-’30 ku popullarizohet më pas dhe përdorimi i kartolinave. Në bazë të kontekstit politik të kohës ka kartolina që sekuestrohen. Kishte një prodhimtari goxha të madhe të kartolinave që vinin nga kancelaritë apo shtypshkronjat”, tha studiuesi Myrteza Sharra.
Rëndësia dhe përdorimi i tyre ishte aq i madh, saqë edhe urimet për festat fetare bëheshin me to, madje kartolinat përdoreshin herë-herë edhe si letërnjoftime për çështje të caktuara.
“Janë përdorur për shumë urime siç janë Krishtlindjet, Pashkët, Viti i Ri apo ditëlindjet. Janë përdorur edhe për falenderuar dhe përshëndetur miqtë”.
Studiuesi Myrteza Sharra, nuk i uron miqtë dhe të afërmit me kartolina, madje ka kohë pa marrë një të tillë.
“Kam hequr dorë para shumë kohësh nga kartolinat. Ato që kam mundur i kam ruajtur”.
Kartolinat më të vjetra në Arkiv janë mbi 100-vjeçare. Edhe pse është më e thjeshtë që t’i ruash urimet më mirë me to, prapë se prapë kjo është një traditë e zbehur tashmë./KultPlus.com
Kartolina e një studenti britanik nga SHBA-të më në fund është dorëzuar 32 vjet pasi ishte dërguar.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Andrew Leslie, i cili ishte 25 vjeç në atë kohë, ia postoi kartelën babait të tij, John, më 30 gusht të vitit 1989 ndërsa studionte në Universitetin e Miçiganit, transmeton KultPlus.
Nëna e tij Anne Leslie tha se ajo ishte lënë “e mistifikuar” kur një kartolinë mbërriti në Grimsby të Anglisë të martën dhe ishte e etur të mësonte se çfarë kishte ndodhur.
Siç supozojnë mediat, ajo mund të jetë futur përsëri në sistemin postar kohët e fundit.
Zonja Leslie tha se kartolina mbërriti një ditë para ditëlindjes së burrit të saj.
Ai jeton në një shtëpi kujdesi për ndihmë me demencën, por zonja Leslie mbetet në të njëjtën adresë.
“Ishte ora e drekës dhe unë shkova të marr postën dhe pashë këtë kartolinë midis disa katalogëve”, ka rrëfyer ajo. / KultPlus.com
Me rastin e festave të 28-29 Nëntorit dhe të fundvitit, shoqata “Swiss Albanian Event” – “SAE”, ndërmerr një iniciativë motivimi dhe promovimi kulturor, ku prezantohet një kartolinë e veçantë urimi me tri simbolet e kombit tonë: Flamurin, Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe Nënë Terezën.
Kjo iniciativë mbështetet edhe nga Ambasada e Shqipërisë në Bern.
Nismës ” Nisma e Luleve ” në Shqipëri do t’i bashkëngjiten të ardhurat nga blerjet e këtyre kartolinave. Piktura origjinale, e realizuar nga piktorja dhe fotografja Ermira Kaso, do të prezantohet në ankand në janar të vitit 2021.
Të ardhurat e përfituara nga ankandi do t’i dhurohen Fondacionit “DSA” – ” Down Syndrome Albania “, në ndihmë të nevojave për fëmijët me sindromën Down.
Kartolinat mund të porositen deri në datën 15 nëntor. / KultPlus.com