Foto: Roland Tasho
Kate Holman është një “Edith Durham e jona”, ashtu siç ka dëshirë ta quanë komuniteti shqiptar në Belgjikë. Me origjinë irlandeze, ajo është figurë e pashmangshme e botës kulturore dhe shoqërore të komunitetit shqiptar të Belgjikës që prej 15 vitesh. Autore dhe gazetare Kate, vazhdon tani angazhimin e saj në kulturën shqiptare përmes një projekt – video në rrjetet sociale: “Përralla dhe legjenda nga Shqipëria”. Kjo dashuri për Shqipërinë filloi shumë më herët, si një trashigimi familjare.
Të udhëtojmë përmes kësaj interviste me Kate Holman.
Zonja Holman, kushëriri juaj, Sir Patrick Fairweather, ish ambasador britanik në Itali dhe njëkohësisht, ish ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri (1992-1996), ka qenë drejtor i parë i Fondacionit Butrinti, në ruajtjen e monumentit arkeologjik të Butrintit (1997-2004). A mund të na flisni për punën e kushëririt tuaj në Shqipëri dhe marrëdhëniet tuaja me të ?
Kate Holman: Edhe pse Patrick është pak më i vjetër se unë, ne ndajmë shije dhe interesa shumë të ngjashme, për shembull në politikë, udhëtime, ushqim dhe verë! Kur ishim më të rinj, ai dhe familja e tij, jetonin mjaft afër familjes sime në Londrën e Jugut. Më vonë si diplomat britanik, ai shpesh udhëtonte jashtë vendit. Unë pata privilegjin ta vizitoja atë dhe gruan e tij të bukur, Maria, fillimisht në Athinë dhe më pas në Romë. Ai ishte Ambasador në Itali në kohën e rënies së regjimit komunist në Shqipëri në vitet 1990. Në këtë kohë, qeveria britanike e ngarkoi atë të krijonte një ambasadë në Tiranë, për të zhvilluar marrëdhëniet diplomatike me qeverinë e re. Kontakti i tij me Shqipërinë u kthye në një dashuri të thellë dhe të qëndrueshme. Që nga pensionimi, ai vazhdon të bëj vizita të rregullta atje.
Gërmimi i thesareve të veçanta arkeologjike, greko-romake-bizantine të Butrintit, ishte lënë pas dore nga regjimi komunist. Për të ruajtur monumentin, filantropët britanikë, Lord Rothschild dhe Lord Sainsbury, themeluan Fondacionin “Butrint” në vitin 1993. Patrick u emërua drejtori i parë. Ai mori Medaljen “Naim Frashëri” për shërbimin e tij në kulturën shqiptare. Një nga përvojat e mia më të këndshme ishte të ecja përgjatë shëtitores bregdetare të Sarandës dhe më rastis të shoh një video të Butrintit, që fliste për punën e kushëririt tim, Patrick.
Nga buron dashuria juaj për Shqipërinë dhe për sa ju përket, kur e keni vizituar Shqipërinë për herë të parë ?
Kate Holman: Unë dija shumë pak për vendin para se t’i takoja për herë të parë shqiptarët në Bruksel, rreth 20 vjet më parë. Dhe jam mahnitur nga historitë e tyre të arratisjes nga Shqipëria ose ish Jugosllavia, në vitet 1950 dhe 1960 për të ardhur në Belgjikë si refugjatë.
Në atë kohë, Shqipëria dukej si një vend misterioz, ekzotik dhe i largët, por unë shpejt e kuptova – pjesërisht nga biseda me kushëririn tim Patrick, se ajo nuk ishte aspak tokë e pashkelur. Të theksoj se në të kaluarën kam jetuar në Sicili, dhe ende kaloj shumë kohë në Kalabri, në jug të Italisë. Kultura kalabreze dhe shqiptare janë shumë të ngjashme në disa pikëpamje. Arbëreshët kanë jetuar dhe jetojnë atje, duke ruajtur identitetin e tyre, që kur kanë ikur nga pushtimi otoman, pas vdekjes së Skënderbeut, në vitin 1468.
Vizita ime e parë në Shqipëri daton nga viti 2006. Në atë kohë, kishte pak turistë dhe pak infrastrukturë turistike. Udhëtimin e bëra me dy miq kalabrezë dhe ata menjëherë u ndien si në shtëpinë e tyre. Njerëzit flisnin italisht dhe kafeja ishte shume e këndshme! Mbi të gjitha, na bëri përshtypje mirësia dhe bujaria e të gjithëve që takuam. Kjo binte në kontrast me portretizimin negativ të shqiptarëve në shumë vende evropiane në atë kohë.
Këtë vura re edhe gjatë një bisede me një të ri nga fshati bregdetar i Jalës. Ai ishte i zemëruar me një artikull mizorisht armiqësor, që ishte shfaqur kohët e fundit në një gazetë britanike. Kështu që unë vendosa të përdor pozicionin tim si gazetare, në përpjekje për të sqaruar gjërat, dhe për të treguar historinë e vërtetë të këtij vendi të vogël, aq të nënçmuar. Që atëherë, unë jam kthyer disa herë në Shqipëri. Dhe kam parë me kënaqësi se si vendi zhvillohet dhe hapet.
Ju jeni me origjinë irlandeze dhe jetoni në Bruksel. Cilat janë arsyet e zhvendosjes suaj në kryeqytetin belg?
Kate Holman: Unë kam lindur në Londër, nga një nënë irlandeze. Shumë vite kam kaluar duke punuar për një gazetë kombëtare irlandeze. Në vitin 1988 partneri im në atë kohë gjeti punë në Bruksel, dhe pasi unë gjithmonë i kam dashur udhëtimet, erdha me të. Pas ndarjes sonë, vendosa të qëndroj këtu. Në Belgjikë ndjehem si në vendin tim!
Si lindi marrëdhënia juaj me komunitetin shqiptar të Belgjikës ?
Kate Holman: Si pjesë e misionit tim për të thënë të vërtetën për Shqipërinë dhe shqiptarët, fillova të hulumtoj për këtë komunitet në Belgjikë. Kjo përkoi me 50 vjetorin e ardhjes së tyre të parë në 1956. Unë kontaktova gjenerata të ndryshme – disa që kishin jetuar në Belgjikë tërë jetën e tyre, të tjerë që kishin ardhur kohët e fundit – dhe pastaj shkrova një artikull të botuar në revistën Bulletin: « Pride and Prejudice: Belgium’s Albanian community » (Krenaria dhe paragjykimi: komuniteti shqiptar i Belgjikës).
Ju jeni nënkryetare e shoqatës kulturore “Konitza” në Bruksel. Cili është angazhimi juaj brenda kësaj shoqate ?
Kate Holman: Një nga personat që intervistova në artikullin tim cekur më lart, ishte Gentian Metaj. Ai më kontaktoi disa kohë më vonë për të më thënë se shpresonte të formonte një shoqatë belgo-shqiptare. Dhe më pyeste – nëse do të isha e interesuar ta mbështesja. I thashë se do ta bëja me kënaqësi. Shoqata kulturore Konitza ekziston për mbi 12 vjet. Ajo ka organizuar një gamë shumë të gjerë aktivitetesh: Debate në Parlamentin Evropian, prezantime librash, ekspozita arti, seminare, teatër dhe shumë më tepër, si dhe krijimin e një këshill – shërbimi për të porsaardhurit në Belgjikë. Të gjitha informatat gjenden në faqen tonë të internetit: www.konitza.eu. Ne bashkëpunojmë ngushtë me misionet diplomatike shqiptare dhe kosovare në Bruksel. Roli im ka qenë kryesisht të ndihmoj në komunikimet dhe ngjarjet në anglisht. Ne, madje e bindëm kushëririn tim Patrick, të vinte në Bruksel si konferencier, në njërin nga aktivitetet tona!
Cilat janë përshtypjet tuaja për komunitetin shqiptar të Belgjikës ?
Kate Holman: Unë e admiroj vendosmërinë për të ruajtur identitetin e diasporës shqiptare në të gjithë botën. Është shumë prekëse të shohësh se si fëmijët e brezave të dytë dhe të tretë inkurajohen të mbajnë gjuhën dhe kulturën e tyre. Në të njëjtën kohë, unë konstatoj se shumica e shqiptarëve janë jashtëzakonisht të adaptueshëm dhe të gatshëm për t’u integruar dhe punuar, dhe janë ambiciozë për familjet e tyre.
Ju keni bashkëpunuar në projektin teatror “Ditari i një gruaje nga Kosova” të Sevdije Ahmetit, dhe aktualisht në projektin “Përralla dhe legjenda nga Shqipëria”. Çfarë mund të na thoni për këto dy projekte ?
Kate Holman: Ishte një privilegj i vërtetë të shoqërohesha me shfaqjen e regjisorit Zenel Laci, “Ditari i një gruaje nga Kosova”. Në Kosovë gjatë luftës, përdhunimi është përdorur si një armë lufte por edhe në shumë konflikte të kohëve të fundit. Përdhunimi është krim i tmerrshëm kundër njerëzimit. Unë admiroj thellësisht guximin e burrave si mjeku kongolez Denis Mukwege, i cili vë jetën e tij në rrezik për të ndihmuar viktimat. Për projektin, unë isha përfshirë si e ngarkuar e shtypit dhe përkthimin e shfaqjes në gjuhën angleze. Udhëtimi në Teatrin Kombëtar si në Prishtinë dhe Tiranë për të interpretuar shfaqjen, ishte i paharrueshëm, si dhe mundësia për të takuar aktivisten e guximshme për të drejtat e njeriut, Sevdije Ahmeti, e cila shkroi ditarin e parë të luftës në Kosovë.
Projekti i ri “Përralla dhe Legjenda nga Shqipëria” përfshin një seri videosh, të gjitha të shpërndara në YouTube. (Te gjitha informatat me video për “Përralla dhe legjenda nga Shqipëria” mund t’i gjeni në: Youtube Chanel : Vox Aquilae Bruxelles).
Ato bazohen në përrallat dhe legjendat e mbledhura dhe të botuara për herë të parë në frëngjisht nga Safet Kryemadhi. Realizuar nga Zenel Laci, projekti është një mënyrë e re për të promovuar trashëgiminë e thesarit të kulturës shqiptare siç janë përrallat dhe legjendat nga Shqipëria. Duke kombinuar rrëfimin prekës të Anila Dervishit, me muzikën origjinale dhe aranzhimet e kitaristit të rokut, Afrim Jahja si dhe ikonografinë e Fran Kukaj.
Në shtypin anglez keni botuar disa artikuj në lidhje me Shqipërinë. A mund ta shpjegoni përmbajtjen e tyre?
Kate Holman: Në botimet në gjuhën angleze në Belgjikë dhe Mbretërinë e Bashkuar, artikujt e mi kanë mbuluar një sërë çështjesh. Në fillim doja ta bëja të njohur Shqipërinë dhe historinë e saj. Unë kam shkruar gjithashtu për disa projekte kulturore si dhe kam ekzaminuar portretizimin paragjykues të shqiptarëve në mediat evropiane. Po ashtu kam mbrojtur një proces të drejtë aderimi për të lejuar Shqipërinë të bashkohet me Bashkimin Evropian.
Çfarë e pengon ende sot sipas jush, hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian?
Kate Holman: Fatkeqësisht, mendoj se vonesa është për shkak të politikës së brendshme të disa vendeve të Bashkimit Evropian, dhe ngurrimit të qeverive për të mbajtur premtimet e bëra tashmë për kandidatët e Ballkanit, nga frika e tjetërsimit të disa votuesve. Siç është theksuar shpesh, Shqipëria ka bërë punën e reformimit dhe përgatitjen për anëtarësim, dhe tani i mbetet BE-së që të përmbushë angazhimin e tij. Më vjen keq për keqbesimin aktual, shfaqur nga Këshilli i Bashkimit Evropian, dhe ndjenjat nacionaliste që janë rritur në pjesë të Evropës, në vitet e fundit. Unë sinqerisht shpresoj se kjo s’do të gjenerojë zhgënjim dhe cinizëm nga populli shqiptar.
Cili është autori apo romani juaj shqiptar i preferuar?
Kate Holman: Sigurisht duhet të them, Ismail Kadare. Kam lexuar shumë vepra të tij, e para ishte “Prilli i Thyer”, që më bëri mjaft përshtypje, duke më bindur ta shihja vetë vendin. Kam pasur kënaqësinë te takohem dhe të flas me Ismail Kadarenë dhe me gruan e tij Helena, më tepër se një herë në Bruksel.
Ju pëlqen ndonjë specialitet nga kuzhina shqiptare?
Kate Holman: Në Shqipëri më pëlqente të haja Tavë kosi. Dëshiroj që të kemi më tepër restorante shqiptare në Bruksel, ku do të mund të gjenim kuzhinë të vërtetë shqiptare.
Ju keni mësuar edhe gjuhën shqipe. Në përfundim të intervistës do të donim të na thoni ndonjë fjalë në shqip që e keni më për zemër.
Kate Holman: Ju uroj të gjithëve një të ardhme të qetë, të shëndetshme dhe të prosperuar.
Denoncimi i përdhunimit të përdorur si armë lufte
“Ishte një privilegj i vërtetë të shoqërohesha me shfaqjen e regjisorit Zenel Laci, “Ditari i një gruaje nga Kosova”. Në Kosovë gjatë luftës, përdhunimi është përdorur si një armë lufte por edhe në shumë konflikte të kohëve të fundit. Për projektin, unë isha përfshirë si e ngarkuar e shtypit dhe përkthimin në gjuhën angleze”. Udhëtimi në Teatrin Kombëtar si në Prishtinë dhe Tiranë për të interpretuar shfaqjen, ishte i paharrueshëm, si dhe mundësia për të takuar aktivisten e guximshme për të drejtat e njeriut, Sevdije Ahmeti, e cila shkroi ditarin e parë të luftës në Kosovë”./albinfo/ KultPlus.com