Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti ka pritë artistin Akil Dashevcin, i cili ka dërguar një pikturë dhuratë për princeshën Kate Middleton, shkruan KultPlus.
“Vetë Akil Dashevci përballet me sfida, pasi i njëjti është i prekur nga disleksia dhe disgrafia, dhe pikturën “Cornwal” ka vendosë që ta bëjë dhuratë për princeshën Kate, pas deklaratës së saj se është prekur nga kanceri, dhe piktura e përzgjedhur nga Akili është e punuar pikërisht me kauzë për personat me nevoja të veçanta”, ka thënë për KultPlus, nëna e Akilit, Safa Boja Dashevci.
Piktura është dhuruar fillimisht në Ambasadën e Kosovës në Londër, ku ishte i pranishëm edhe Akili, me shpresë që kjo vepër artistike të shkojë deri në vendin për ku edhe është dedikuar.
Akil Dashevci është artist autodidakt dhe deri më tash është prezantuar me gjashtë ekspozita personale, duke përfshirë edhe atë të fundit që është mbajtë në KultPlus Caffe Gallery. Deri më tash ka realizuar mbi 40 vepra artistike./ KultPlus.com
Princesha e Uellsit, Kate Middleton ka zbuluar se është diagnostikuar me kancer dhe se është në fazat e hershme të trajtimit. Lajmi vjen dy muaj pasi princesha e Uellsit u largua përkohësisht nga jeta publike pasi iu nënshtrua një operacioni për një gjendje abdominale jo-kancerogjene në muajin Janar.
Nëpërmjet një videoje, Middleton shpjegoi se ka kaluar dy muaj të vështirë dhe se nuk e dinte që ishte prekur nga kanceri kur iu nënshtrua operacionit në Janar. Pallati mbretëror britanik nuk zbuloi më shumë detaje për llojin e kancerit, por tha se kishte besim që princesha do të shërohej plotësisht.
“Në janar, iu nënshtrova një operacioni të madh abdominal në Londër dhe në atë kohë, mendohej se gjendja ime nuk ishte kanceroze. Kirurgjia ishte e suksesshme. Megjithatë, testet pas operacionit zbuluan se kanceri ishte i pranishëm. Prandaj ekipi im mjekësor më këshilloi që duhet t’i nënshtrohej një kursi kimioterapie parandaluese dhe tani jam në fazat e hershme të atij trajtimi. Kjo sigurisht që ishte një tronditje e madhe dhe unë dhe William kemi bërë gjithçka që mundemi për ta menaxhuar këtë privatisht për hir të familjes sonë të re. Jam mirë dhe bëhem më e fortë çdo ditë duke u fokusuar në gjërat që do të më ndihmojnë të shërohem; në mendjen, trupin dhe shpirtin tim. Na është dashur kohë për t’i shpjeguar gjithçka George, Charlotte dhe Louis në një mënyrë që është e përshtatshme për ta dhe për t’i siguruar ata se do të jem mirë.”, tha ajo duke kërkuar hapësirë dhe privatësi në këtë moment të vështirë./KultPlus.com
Duka britanik dhe Dukesha e Kembrixhit shprehën solidaritetin e tyre me popullin ukrainas.
Princi William dhe Kate postuan në Twitter mbështetjen e tyre për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe “të gjithë popullin ukrainas” në një postim të nënshkruar personalisht me inicialet e tyre.
“Në tetor 2020 patëm privilegjin të takoheshim me Presidentin Zelenskyy dhe Zonjën e Parë për të mësuar për shpresën dhe optimizmin e tyre për të ardhmen e Ukrainës.
“Sot ne jemi me presidentin dhe të gjithë popullin ukrainas teksa ata luftojnë me guxim për vendin e tyre” shtuan ata.
Në tetor 2020, William dhe Kate mirëpritën Zelensky dhe gruan e tij Olena në Buckingham Palace për një audiencë në emër të mbretëreshës.
Çifti mbretëror u takua me presidentin dhe bashkëshorten e tij, të cilët ndodheshin në një vizitë dyditore, në dhomën e fronit të pallatit./ KultPlus.com
Mbretërorët gjithashtu kanë sekretet e tyre. Edhe këpucët e tyre të dasmës mund të fshehin surpriza të rëndësishme. Detajet e vogla rreth mbretërve janë kaq interesante për ne dhe ka raste kur ata na bëjnë të ditur sekretet e tyre, siç janë 5 rastet më poshtë.
Princesha Diana është emëruar pas një zonje tjetër Diana Spencer nga shekulli i tetëmbëdhjetë
Ishte një tjetër Zonja Di e cila jetoi në shekullin e tetëmbëdhjetë dhe që kishte një fat të ngjashëm dhe gjithashtu supozohej të martohej me Princin e Uellsit. Sidoqoftë, ajo u martua me Lordin John Russell, i cili më vonë u bë Duka i katërt i Bedford. Kjo Diana vdiq në moshën 25 vjeç.
Mbretëresha mban gjithmonë të njëjtin manikyr që kushton vetëm 10 euro
Mbretëresha Elizabeth mban manikyrin e thonjve Essie që nga viti 1989. Kushton vetëm 10 euro dhe kënaq plotësisht shijen e saj, sepse “manikyri klasik rozë i lehtë është zbukuruar me një përfundim të hollë dhe transparent”.
Kate Middleton gjithashtu përdor produktet Essie, gjë që tregon se të jesh me stil nuk do të thotë që duhet të blesh vazhdimisht gjëra të shtrenjta.
Emrat alternativë për Princin William dhe Princin Harry ishin Arthur dhe Albert
Sidoqoftë, këto zgjedhje u bënë emra të mesëm. Emri i plotë i djalit të madh është William Arthur Philip Louis dhe i Harry është Henry Charles Albert David. Siç bëjnë shumë prindër, Diana dhe Charles kishin emra alternativë për djemtë e tyre. Arthur dhe Albert ishin disa prej tyre, por Diana nuk donte t’i përdorte ato.
Meghan mbante një unazë me ” H” fillestare para se të fejohej me Princin Harry
Meghan Markle mbante një unazë dhuratë nga Princi Harry, muaj para fejesës së tyre aktuale. Unaza kishte shkronjën “H” dhe ajo e mbante në dorën e djathtë.
Princesha Diana kishte një mesazh të fshehtë për Charles të pikturuar në thembrat e këpucëve të saj të dasmës
Këpucët e nusërisë së Dianës ishin të veçanta në shumë mënyra. Në fillim lartësia e saj ishte 1.78, saktësisht e njëjtë me Charles, kështu që Diana vendosi të vishte këpucë me taka të ulëta në mënyrë që të mos dukej më e gjatë se burri i saj i ardhshëm.
Së dyti, këpucët kishin më shumë se 500 xixa dhe 100 perla, por ato fshehën edhe një mister. Në thembrat e këpucëve, ajo kishte shkronjat C dhe D të pikturuara me një zemër të vogël, që simbolizonte dashurinë e saj për Charles./KultPlus.com
Dukesha britanike e Kembrixhit, Kate Middleton, ka publikuar një koleksion fotografish nga i gjithë vendi për të përfaqësuar një vit bllokimi.
Të ardhurat nga shitjet e librit, të titulluar “Hold Still”, do t’i dhurohen fondacionit bamirës për shëndetin mendor “Mind” dhe Galerisë Kombëtare të Portreteve në Londër.
“Përmes “Hold Still” doja të përdorja fuqinë e fotografisë për të krijuar një rekord të qëndrueshëm të asaj që po përjetonim të gjithë, për të kapur histori individësh dhe për të dokumentuar momente të rëndësishme për familjet dhe komunitetet, ndërsa kemi jetuar nëpër pandemi”, shkruan Kate në hyrje të librit.
Një panel kritikësh, përfshirë Kate, një fotografe amatore, zgjodhi 100 foto nga mbi 31 000 të tilla.
Fotografitë e zgjedhura janë shfaqur tashmë në ekspozitat dixhitale dhe komunitare në të gjithë vendin./atsh/ KultPlus.com
Të jesh nënë në epokën e koronavirusit është rraskapitëse, deklaroi Kate Middleton, Dukesha e Kembrixhit si dhe nëna e tre fëmijëve, George, 7 vjeç, Charlotte 5, dhe Louis 2 vjeç, gjatë një bisede telefonike me disa prindër, për vështirësitë e hasura gjatë bllokimit me fëmijët e tyre, shkruhet në faqen vanityfair.it.
Duke filluar me shkollimin në shtëpi, gjë që e vë Dukeshën e Kembrixhit në krizë sidomos kur bëhet fjalë për detyrat e shtëpisë së matematikës të djalit të saj të madh.
Dukesha zbuloi gjithashtu se gjatë karantinës asaj iu desh të improvizonte jo vetëm si një mësuese, por edhe floktore për fëmijët e saj.
“Fëmijët janë të tmerruar nga prerjet e mia!”, theksoi duke qeshur ajo.
Për të treguar më pas, kësaj here me një ton serioz, se për të “mbështetja më e madhe gjatë pandemisë” ishte bashkëshorti William.
Edhe princi, muajt e fundit, kishte folur për vështirësitë e karantinës me fëmijët, duke rrëfyer se arsimi në shtëpi për fëmijët po i vë nervat në provë.
”Për shkak të shkollimit në shtëpi kam zbuluar se kam shumë më pak durim sesa besoja”, thotë ai. /atsh/ KultPlus.com
Përderisa mbretëresha Elizabeth është ende në izolim në kalanë Windsor, së bashku me bashkëshortin, Kate Middleton dhe William u detyruan të merrnin vendin e saj.
Për shkak të bllokimit, çifti i ri ndodhet ende në rezidencën e tyre Anmer Hall në Norfolk.
Ata nuk janë kthyer në pallatin Kensington siç ishte planifikuar pas pushimeve të Krishtlindjeve.
Por, për të punuar ata huazuan një shtëpi afër Sandringham.
Siç deklaruan burime pranë pallatit, Kate dhe William “kishin qasje në dhomën e miqve të mbretëreshës Elizabeth II në Sandringham House për të vazhduar punën e tyre gjatë bllokimit”.
Nga atje, në fakt, ata u lidhën me video-konferencë me punëtorët e vijës së frontit të angazhuar në programin më të madh të vaksinimit në historinë e Shërbimit Kombëtar Britanik.
Deri më tani 4,6 milionë britanikë kanë marrë dozën e parë të vaksinës, ndërsa 140 persona vaksinohen çdo minutë në Angli.
Kate dhe William falënderuan stafin e kujdesit shëndetësor për misionin.
Mbretëresha, 94 vjeçe, dhe princi Philip, 99, u vaksinuan më 8 janar. / ata/ KultPlus.com
Princi William dhe Kate Middleton kanë thënë “se nuk është e drejtë ” ta urojnë Krishtlindjen këtë vit dhe ” po shpresojnë për një 2021 më të mirë ” përpara se të dërgojnë mendimet dhe dashurinë e tyre tek ata persona që do ta kalojnë vetëm këtë ditë.
Në Twitterin zyrtar të Pallatit Mbretëror, Duka dhe Dukesha, të dy 38 vjeç kanë shkruar:
” Të urojmë gëzuar Krishtlindjen këtë vit nuk është e drejtë, kështu që jemi duke shpresuar për një 2021 më të mirë . Këtë Krishtlindje mendimet tona janë me ata që po e kalojnë ditën vetëm, me ata që po vajtojnë për humbjen e një personi të dashur dhe për të gjithë ju që po shpenzoni energjinë tuaj për të na rikthyer sërish jetën tonë”.
Postimi erdhi një javë pasi Kryeministri britanik lajmëroi se data 25 nuk do të ishte ashtu siç u planifikua, duke bërë që Duka dhe Dukesha të anulonin planet e tyre ashtu si gjithë familjet e tjera të vendit.
Planet e tyre kishin qenë që bashkë me fëmijët , George, Charlotte dhe Louis, të vizitonin shtëpinë e klasës së II të Middletons në Bucklebery, shkruan Emily Andrews për Mail të Dielën.
Motra e Kate, Pippa, burri i saj James dhe djali i tyre Arthur gjithashtu do t’i bashkoheshin familjes në Bucklebury për Krishtlindje.
Do të jetë e trishtueshme për Mike dhe Carole të cilët kishin planifikuar Krishtlindjen e tyre të parë me të katërt nipërit dhe mbesat .
Si një “mbretëreshë e kuzhinës ” Carole bëri të ditur dy vite më parë në një intervistë se gatimet e saj tipike të Krishtlindjes ishin “byrek me mish të grirë dhe verë.”
Sot familja mbretërore do të festojë vetëm. / KultPlus.com