Brigje me ujëra bruz, natyrë e pasur, ”arratisje” në malet pranë, hotele mbresëlënëse, njerëz mikpritës, vizitorë nga e gjithë bota dhe më e rëndësishmja, në një paketë të përballueshme, shkruan Sophia Chaldaiou për gazetën e njohur greke ”Kathimerini”.
Arsyeja për Shqipërinë tonë fqinje, një destinacion relativisht “i panjohur” për turistin mesatar grek, por jo për pjesën tjetër të botës që tashmë viziton Shqipërinë për pushime.
Kjo mund të shihet nga rritja mbresëlënëse e mbërritjeve të turistëve si në krahasim me vitin e kaluar (+29,3% në tetë muaj), ashtu edhe para pandemisë.
“Kjo është një zonë turistike në zhvillim. Nëse njerëzit e marrin vesh, nuk do të shkojnë në vendet tona”, thotë për “Kathimerini” Eutychis Sargetakis, i cili së bashku me gruan e tij kaluan Shqipërinë me motorin e tyre në fillim të gushtit dhe ndanë përvojën e tyre në YouTube.
Siç shpjegon ai, Sargetakis kërkonte pushime në destinacionet e njohura të Jonit si Parga, Sivota dhe Qefalonia, por nuk gjente dhomë për më pak se 100 euro nata.
Më në fund vendosi të bënte pushime në Shqipëri, ku pa rezervuar fare gjeti një dhomë në Sarandë në një hotel me katër yje me mëngjes për 42 euro dhe një suitë në Tiranë për 32 euro.
Më lirë ishte edhe benzina, rreth 1,60 euro për litër (kur këtu në verë ishte mbi 2 euro).
Me 15 euro deri në 35 euro mund të hahet një vakt i pasur për dy persona me një pije, ndërsa çmimi i kafesë varion nga 0,35 deri në 2 euro.
Përtej bukurive të vendit tonë fqinj, Sargetakis veçon gjendjen e shkëlqyer të rrjetit rrugor të tij dhe në përgjithësi projektet infrastrukturore që janë realizuar, mikpritjen e pabesueshme të shqiptarëve dhe kuzhinën e tyre cilësore.
“Është një destinacion autentik, më i relaksuar në krahasim me Greqinë”, vëren ai.
Sigurisht që “gabimet” e turizmit masiv kanë filluar të prekin edhe Shqipërinë.
“Në plazhe ka pasur edhe “luftë për shezlongë”, ndërkohë që trafiku në rrugën bregdetare ka qenë mjaft intensiv dhe në kufijtë me Greqinë dhe Malin e Zi janë krijuar radhë kilometrike”, shton Sargetakis.
Performanca e dytë më e mirë në botë në ardhjet ndërkombëtare krahasuar me vitin 2019
Kjo sigurisht dëshmon se sa e njohur është bërë Shqipëria si destinacion.
Në total, sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), këtë vit në periudhën janar-gusht kanë vizituar Shqipërinë 347 452 grekë, pra 25,47% krahasuar me të gjithë vitin e kaluar.
Vlerësohet se deri në fund të vitit numri i vizitorëve grekë do të jetë mjaft i afërt me shifrat e vitit 2019, kur 596 844 bashkëqytetarë tanë udhëtuan drejt vendit tonë fqinj.
Të dhënat për ardhjet e turistëve janë mbresëlënëse.
Në total, mbi 5,6 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë në tetë muajt e 2022 – dhe kjo shifër nuk përfshin ardhjet nga Kosova të cilat mesatarisht janë më shumë se 2 milionë çdo vit për të njëjtën periudhë.
Në një raport të fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Turizmit (UNWTO), Shqipëria kishte performancën e dytë më të mirë në botë si destinacion për shtatë muajt e këtij viti (janar-korrik), me 19% më shumë ardhje ndërkombëtare krahasuar me 2019, viti rekord për turizmin.
Rrjedhimisht, ajo kishte performancën e katërt më të mirë për sa i përket të ardhurave, me 32% më shumë të ardhura nga turistët ndërkombëtarë në periudhën janar-korrik 2022 krahasuar me 2019.
Interes i madh për turizmin malor
Por, kush janë ata që udhëtojnë drejt Shqipërisë? Krahasuar me vitin e kaluar, INSTAT ka shënuar një rritje prej 225% të vizitorëve nga Spanja, 60% nga Gjermania, 50% nga Franca dhe BM dhe 3.8% nga Holanda.
Dhe mundet që në verë interesi i turistëve të përqendrohet në zonat e njohura bregdetare (Himara, Durrësi, Vlora, Saranda, Lezha, Borsh), por është interesant fakti se 41% e vizitorëve kanë preferuar veriun e Shqipërisë.
Sidomos gjatë dimrit, kufiri verior i vendit sheh një fluks njerëzish, pasi njerëz nga Evropa Qendrore zbresin me makinë për të shijuar liqenin e Shkodrës ose Alpet Dinarike, të cilat ofrojnë shumë aktivitete për alpinistët dhe jo vetëm.
Tashmë Shqipëria ka nisur përgatitjet për vitin e ardhshëm turistik, ndërkohë që në shumë pjesë të vendit zënia e hoteleve arrin në 100%, me rezervime deri në fund të tetorit. / atsh / KultPlus.com