Jeta Zymberi
Një pamje goditëse qysh në shikim të parë, mori vëmendjen e publikut sot në ekspozitën që u hap në KultPlus Caffe Gallery. Ishte instalacioni “Në fije të penit” që ishte vendosur në qendër të kësaj ekspozite e që vinte si thirrje për solidarizim me refugjatët, shkruan KultPlus.
Dy fustane të bardhë, tek të cilët ishin formuar “goditjet” që i përjetojnë refugjatët e në veçanti gratë dhe vajzat, ishte varur në mes të hapësirë ekspozuese dhe poshtë secilit fustan ishin vendosur nga një palë këpucë
Fustanet përkonin me atë të një nënë dhe të bijës së vogël, dhe kjo vinte me qëllimin që të përcillet mesazhi te masa se dhuna dhe traumat përcillen nga gjenerata në gjeneratë dhe janë pikërisht gratë dhe vajzat ato të cilat e përjetojnë më shumë. Ndërsa këpucët simbolizonin rrugën e gjatë nëpër të cilën refugjatët ecin deri te sigurimi i një shtëpie të sigurtë.
Përderisa instalacioni kishte marrë jetë dhe publiku po ballafaqohej me këtë pamje, në të njëjtën kohë nuk duhet harruar se anë e mbanë botës ka shumë azilkërkues dhe refugjatë, e në veçanti shumë gra dhe vajza të cilat të detyruara të lënë familjen, shtëpitë dhe vendin e tyre, janë duke u përballur me pasojat e traumave të përjetuara në vendin e origjinës, pasoja të cilat vetëm sa përkeqësohen nga vështirësitë e hasura gjatë rrugëtimit të tyre për të gjetur një vend të sigurtë.
“Në fije të penit” i cili synon të rrisë vetëdijen dhe empatinë për refugjatët të cilët kalojnë nëpër forma të ndryshme të dhunës përgjatë udhëtimeve të tyre të rrezikshme duke ikur nga lufta e shkatërrimi, u shoqërua edhe me një poemë e cila ishte vendosur afër instalacionit e që ishte shkruar nga një poete refugjate që shpaloste përmes vargjeve dhimbjen dhe traumat që refugjatët i përjetojnë gjatë jetës së tyre.
Në hapje të këtij aktiviteti që u organizua me rastin e 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës Gjinore, fillimisht fjalën e mori, Nazmie Abdullahu, menaxherë e projekteve në KCRT, e cila u shpreh se përmes këtij aktiviteti Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT) synon të ngrit vetëdijesimin për mirëqenien shëndetësore, parandalimin por edhe reagimin ndaj dhunës me bazë gjinore në kontekstin e migrimit të përzier, në veçanti grave, burrave, djemve dhe vajzave azilkërkues dhe refugjatë të cilët janë nën përkujdesjen e UNHCR.
“KRCT është falënderuese që ndër vite në Kosovë është ndërtuar një bashkëpunim, në mes institucioneve dhe organizatave, përmes të cilit bashkëpunim, të gjithë, të bashkuar iu dalim në ndihmë këtyre personave dhe njëkohësisht synojmë të japim kontributin tinë në parandalimin ndaj dhunës së bazuar në gjini në kontekstin e migracionit të përzier”, u shpreh Abdullahu e cila tutje fjalën ja dha Arjun Shrestha, shefit të misionit të UNHCR në Kosovë.
“Faleminderit që keni gjetur kohë të merrni pjesë në këtë aktivitet. Një prej prioriteteve që i ka UNHCR është edhe dhuna në gjini. Në Kosovë ne çdo ditë shohim pabarazi gjinore, kjo është sidomos ndër personat që UNHCR përkujdeset për ta. Sipas disa statistikave që i kemi, shumë vajza braktisin shkollën dhe është një numër shumë më i madh në krahasim me djemtë. Niveli i njëjtë shkon edhe për vazhdimin e shkollimit të mesëm apo të lartë”, tha Shrestha i cili tutje potencoi se kriza ekonomike këtë vit, pas asaj të pandemisë vitin e kaluar, ka ndikuar shumë në rritjen e problemeve psikologjike në botë.
Ndërsa Artane Makolli – psikologe, njëherit artistja e këtij instalacioni u shpreh për KultPlus se instalacioni ka për qëllim ngritjen e ndërgjegjësimit të dhunës që shpesh herë janë të padukshme për disa kategori të shoqërisë siç janë personat me lëvizje.
“Kjo din me qenë dy herë më vështirë për gratë dhe vajzat të cilat janë më shumë të ekspozuara ndaj dhunës dhe mbrojtjen e qasjen në drejtësi e kanë më të vështirë. Qëllimi kryesor i këtij instalacioni është të ngrijë empatinë, që kur audienca të përballet me këtë instalacion, me e ndje se si është të jesh i shkelur nga disa anë”, u shpreh Makolli.
Eventi vazhdoi me një diskutim të hapur për këtë çështje të ndjeshme ku të pranishmit patën mundësi të parashtronin edhe pyetje.
Ky event u organizua nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës në partneritet me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, UNHCR – Zyra e Shefit të Misionit në Prishtinë. / KultPlus.com