Nga: Keiko Wells
Përktheu: Arbnora Dushi
Kë takova së pari në Kosovë?
Udhëtova rreth njëzet orë nga Japonia në Utah të Amerikës. Qëndrova atje disa ditë dhe për tridhjetë orë të tjera nga Amerika në Prishtinë, në Kosovë. Po, një udhëtim i gjatë. Ndoshta i udhëtova tri të katërtat e botës. Kur aterrova në aeroportin e Nju Jorkut, Xh.F.Kenedi, pashë shumë japonezë që po prisnin të fluturonin për në Tokio. Në udhëtimin nga Nju Jorku në Stamboll kishte prapë disa prej atyre. Por në fluturimin nga Stambolli në Prishtinë, nuk pashë asnjë japonez. Vetëm të moshuar, studentë dhe biznesmenë kishte në aeroplan. Meqë e dinin ku po shkonin dhe çka po bënin, nuk më dukeshin turistë. Për mua që isha një e huaj ata dukeshin se ishin familjarë në mes vete. Në kontrollën e pasaportave zyrtari i aeroportit më shikoi me vëmendje dhe më pyeti “Pse keni ardhur në Kosovë?” Pse jo? Por nuk i thashë ashtu. “Që të realizoj disa hulumtime mbi folklorin e Kosovës, zotëri. Në Institutin Albanologjik.” E kalova kontrollën. E mora valixhen. Isha tepër e lodhur. E kalova derën. Dhe, çka dëgjova? Emrin tim! Sapo dola nga dera shoqja ime nga Instituti erdhi drejt meje! Kë takova së pari në Kosovë? Shoqen time të dashur N, që do ta quaj motra N.
Çka më befasoi së pari?
Qëndrimi im tre javor në Prishtinë kishte filluar. Dita e parë ishte e këndshme. Kisha arritur në mëngjes dhe motra N po më shoqëronte. Malet ishin të gjelbëra, qyteti i vjetër dukej ekzotik, sheshi kryesor ishte plot njerëz, akullorja me shije të mirë, kafeja ishte e lirë edhepse nuk pagova unë por motra N. Por dita e dytë ishte sfiduese. Dëshirova të shkoj në market që të blej banane dhe molla. Sapo dola në rrugë u frikësova nga dy gjëra: qentë dhe makinat. Nuk kisha parë qenë të jetojnë në rrugë prandaj kisha frikë t’i kaloja. Por u mësova me ta pas ditës së parë se dukeshin të kënaqur me jetën e tyre dhe nuk ngacmonin njeri. Në anën tjetër më mori një javë që të mësohesha me trafikun e rënduar. Në Japoni të gjitha rrugët kanë semaforë. Nuk mund të rrezikoja jetën time duke kaluar rrugën me aq shumë makina që kalonin në mënyrë aq agresive. Po mahnitesha kur po shihja sa të guximshëm ishin kënbësorët dhe vozitësit e makinave në Kosovë. Këmbësorët mund të ndalnin makinat duke dalur vetë në rrugë. Vozitësit i binin borisë për t’u ankuar, për të përshëndetur, apo për të komunikuar diçka që unë kurrë nuk e kuptova. Pavarësisht këtyre, vozitësit lehtësisht parkoheshin vertikalisht (njëri pas tjetrit), duke lënë shumë pak hapësirë para dhe pas. Sidoqoftë, pas një jave e mësova si ta kaloja rrugën. A doni ta dini si? Prisja që dikush të afrohej për të kaluar rrugën dhe e ndiqja atë person nga pas deri në anën tjetër të rrugës. Zgjuarësi! Trafiku pa semafor në fillim më befasoi, por e mbijetova.
Si ishte të jesh një japoneze në Kosovë?
Shumë burra me mjekra dhe gra të veshura me rroba të modës. Kjo ishte përshtypja ime e parë në këtë qytet. Grupe burrash duke pirë kafe, duke shëtitur në rrugë dhe duke biseduar me njëri tjetrin me zë të lartë. Gratë të veshura me ngjyra të hapura, me pantollona të ngushta, xhaketa të shkurtëra e grim të kujdesshëm. Më vonë vërejtja se kishte edhe burra pa mjekra e gra me veshje të përdishtme, por ajo ishte përshtypja ime e parë. Ndoshta ngaqë u ndjeva e pasigurtë midis këtyre njerëzve që nuk dukeshin si unë apo si babai im. Kur shkoja në ndonje restaurant, kudo, madje edhe në rrugë, grupe të njerëzve më shihnin, ndoshta ngaqë u dukesha ndryshe. Natyrisht ata nuk mund të më dallonin nëse isha japoneze apo kineze. S’ishte me rëndësi. Ndihesha pak e frikësuar të isha e vështruar në çdo moment. Pas dy javësh u mësova me këtë situatë. Ndonjëherë madje edhe e shijoja. Do të dëshiroja t’ju dukesha më e bukur se ndoshta unë isha japonezja e parë që shihnin. E kujtoj kur isha në të njëzetat dhe pata shkuar në Texas. Para disa dekadave, po ju them. Pata shkuar në restaurant. Njerëzit ishin kuriozë, në veçanti fëmijët. Një vajzë e vogël i pati thënë së ëmës diçka në gjuhën e vet dhe ajo u duk e turpëruar. Kur familja e saj po largohej vajza e vogël erdhi te unë dhe më dha një sheqerkë. Unë u lumturova. I thashë “Gracias” – e vetmja fjalë që dija në spanjisht. Oh më lini t’ju them e vetmja fjalë e imja në shqip është “Fermendele” (Faleminderit). Fjalë e mirë, apo jo?
Çka lexova së pari në Kosovë?
Na ishte njëherë një grua e moshuar që e mbante një gjarpën për djalë. Djali-gjarpër donte që të martohej me vajzën e mbretit dhe në fakt ia arrin qëllimin. Përralla “Djali gjarpër dhe vajza e mbretit” (Robert Elsie, “Albanian Folktales and Legends”) ishte pak e vështirë për mua. Në këtë përrallë, para se të rregullohej martesa, gjarpëri e dërgon gruan e moshuar/nënën e tij tek mbreti tri herë që t’ia kërkojë të bijën. Të moshuarën e godasin dhe e përzënë nga pallati duke mos ia respektuar kërkesën, përveç se në herën e fundit. Pse gjarpëri nuk shkon vetë të mbreti? Nëse mund t’i flasë së ëmës/të moshuarës ai mund t’i flasë edhe mbretit. Pasi që martohet me vajzën e mbretit, gjarpëri transformohet në një djalë të ri e të pashëm me fuqi të mbinatyrshme. Gjarpëri, mund të them, ishte një hyjni sikur Erosi në mitologjinë greke. Mirë, por edhepse ai ishte i veçantë dhe në fund i ofron të moshuarës një jetë të rehatshme, nuk m’u duk i drejtë ekspozimi i vazhdueshëm i saj ndaj rrezikut, vetëm për shkak të kërkesave të tij. Bretku-princ në përrallën e vëllezërve Grimm e gjen vetë mënyrën si t’i afrohet princeshës madje edhe me pamjen e tij prej bretku (KHM 1). Kur i mendoj përrallat japoneze në të cilat krijesat jo-njerëzore martohen me ato njerëzore, ka dallime të mëdha. Asnjëherë nuk përfshihen prindërit apo njerkët e tyre, dhe krijesat jo-njerëzore e ruajnë identitetin e tyre duke mbajtur distancë nga njerëzit dhe duke qëndruar në botën e tyre të Natyrës. Me fjalë të tjera Natyra ka dinjitet dhe sillet sipas parimeve të saj. Njerëzit mund të dashurohen në natyrën por ajo asnjëherë nuk na vardiset. Ka faltore për gjarpërin zotin-kami në Japoni. Gjarpëri zoti-kami asnjëherë nuk ëndërron të jetojë si qenie njerëzore. Këtë gjë e lexova vetëm në përrallat shqiptare këtu. Të gjitha përrallat janë të bazuara në sfondin kulturor. Do të jetë një sfidë, si edhe kënaqësi për mua që të zgjidh pyetjet dhe keqkuptimet e mia duke e njohur dhe kuptuar më tepër kulturën shqiptare.
Çka më theu më së shumti zemrën?
Me motrën N dhe kolegët e saj nga Instituti një ditë shkuam në Mitrovicë. Një orë larg nga Prishtina në një udhëtim plot pejsazhe të bukura dhe shtëpi me kulme ngjyrë portokalli. Shihja male me kurora plot borë në jug dhe fusha e kodra të gjelbëruara në lindje. Tokat bujqësore dhe ndonjë lopë aty këtu më bënë të ndihem e përmalluar për Japoninë. Për mua Mitrovica shfaqej më turistike se Prishtina. Njerëzit e veshur me më shumë ngjyra që vozisnin makina më ngadalë. E vizituam Muzeun e qytetit në Mitrovicë. Zonja kuratore na bëri një prezantim të ngjeshur të muzeut në gjuhën angleze. Nga ajo mësova se shumë gjëra ishin shkatërruar dhe shumë humbje kishin pësuar gjatë luftës dhe se ishte “dashuria e madhe” e kuratorëve për punën që po e bënin atë muze të hapur për vizitorët. Ata kishin mbledhur, pastruar dhe rregulluar vetë eksponatet e zhvendosura. E kishin lyer edhe muzeun, gjithashtu. Në fund të këtij udhëtimi nëpër muze, e pashë ekspozitën me fotografitë nga lufta të cilat i kishte bërë një fshatar në mënyrë të fshehtë. Aty pashë shtëpi të djegura dhe fytyra njerëzish të shushatura. Ishte një foto në të cilën shihej trupi i djegur i një njeriu para shtëpisë së tij të shkatërruar. Kjo gjë më theu zemrën më së shumti. Më duhet të them se nuk arrita të flej për disa ditë më pas. Shpirti i tij u prehtë në paqe, jam lutur disa herë. E kaluam edhe urën dhe u kthyem prapa në anën tjetër kosovare të qytetit të ndarë.
Kush më bëri ta dua më së shumti në Kosovë?
Ju thashë që me kohë kisha filluar të mësohem të jem e huaj në këtë qytet. Por, megjithatë njëherë më erdhi keq që isha e huaj. E vizitova një çerdhe të fëmijëve kur shkova bashkë me motrën N të merrnim nipin e saj dy-vjeçar. Ishte çerdhe e pastër dhe mësueset kishin buzëqeshje të këndshme ne fytyrë. Nipi i motrës N erdhi bashkë me mësuesen e tij në dhomën e pritjes dhe ia mori dorën halla e tij/motra N. Edhe ai ia dha dorën asaj. Pastaj, ai e pa një të huaj që po fliste me hallën dhe po i ndihmonte asaj t’ia mbante çantën e tij që kishte një vizatim bretkose. Dy sytë e bretkosës dhe dy sytë e djaloshit nuk po i ndaheshin të huajës. Ai po ndihej mirë derisa nuk arritën te makina dhe ai u vendos në karrigen e pasme. Nuk e pati të lehtë, por kishte ende shpresë. Halla e tij u ul në ulësen e vozitësit dhe çka ndodhi?! E huaja u ul në karrigen djathtas vozitësit. Ai nuk mundi të duronte më. U zhgreh në vaj. Qau e qau pa u ndalur, duke e thirrur të atin. Nuk po mund t’i besonte më as hallës së tij sepse ajo e kishte ftuar të huajën në makinën e saj. Kjo ishte shqetësuese për të. E mbulonte gojën e tij me ato duart e vogla dhe qante pa u ndalur. Madje kjo e huaja i bëri edhe foto, duke thënë se ishte shumë i ëmbël. E pafalshme! Epo, e huaja japoneze u ndje shumë keq që qe e huaj për këtë djalë kaq të dashur nga Kosova!
Çka më bëri të mendohem sa isha në Kosovë?
Një mëngjes po shëtisja përgjatë bulevardit Nënë Tereza në Prishtinë dhe gjeta një rrethojë me shënimin e dyzet e dy emrave në rrugën Fehmi Agani. Pranë emrave ishin edhe vitet e lindjes dhe të vdekjes. U ngurosa kur e pashë se të gjithë kishin vdekur më 1999. 1948-1999, 1956-1999, 1935-1999… Atëherë fillova të mendoj më në detaje për monumentet përkujtuese në qytet. Po, këtu ka disa të tilla, madje edhe në kampusin e Universitetit të Prishtinës. Vërtetë u ndjeva e prekur në zemër dhe u luta për të gjithë. Kemi monumente përkujtimore edhe në Japoni. Veçanërisht nëpër fshatra gjenden monumente nga luftërat e ndryshme, por unë nuk u kam kushtuar vëmendje ndoshta nga ndjenja se luftërat kanë ndodhur në të kaluarën. Tani po mendoja për këtë gjë. E paskam pasur gabim. Babai im ishte fëmija më i vogël nga tetë vëllezërit dhe motrat e tij dhe gjashtë nga ta kishin humbur jetën në luftë, bashkë me nënën e tyre. Babi më kishte treguar si kishte vrapuar nëpër qytetin e djegur të Tokios gjatë bombardimit në fund të Luftës së Dytë Botërore. Ai kishte parë shumë njerëz duke kërcyer në lumë, i cili po vlonte nga zjarri . Rrëfimet e tij m’u kthyen në kujtesë derisa po qëndroja në Prishtinë.
Fëmijët e mi nuk dijnë për përvojat egjyshit të tyre në luftë. Ne duhet të ruajmë kujtimet nga e kaluara e vështirë për gjeneratat e ardhshme, se kështu ata pastaj do të bëjnë përpjekje për të ruajtur paqen në botë. Më duhet të shtoj këtu se kjo lidhje e Kosovës me Japoninë nëpërmjet kujtimeve të luftës nuk është e kufizuar vetëm tek kujtimet tragjike. Në fakt është më pozitive. Derisa po qëndroja në Prishtinë, po e kujtoja hap pas hapi se si dëshironin njerëzit në Japoni ta rindërtonin shtetin e tyre pas shkatërrimeve të Luftës së Dytë Botërore. Kishte shumë ndërtime dhe jeta po ndryshonte me të shpejtë me rritje të numrit të makinave nga viti në vit, të kompeticionit nëpër shkolla dhe kishte shumë shpresë për të ardhme më të mirë në vitet ’50 e ’60. Në Kosovë një “dashuri e madhe” si ajo e kuratorëve në muzeun e Mitrovicës e paraqiste më së miri këtë ndjenjë pozitive për përmirësim të jetës. Në të vërtetë secili ishte shumë entuziast për të më treguar çka kishin në këtë vend. Jam shumë e falënderuar.
Cila ishte gjëja e mirë në Kosovë?
“Pse keni ardhur në Kosovë?” “Çka do të bëni këtu?” ishin pyetjet më të shpeshta që më bëheshin gjatë qëndrimit tim. Njerëzit ishin shumë kureshtarë. Çdo kjo e huaj këtu? Çka pret të gjejë në vendin tonë? Interesoheshin. Tani po e dini çka gjeta: zbulime të çmuara. Po në fakt, pse unë erdha në Kosovë? Motivimin e parë ma ka dhënë motra N me rrëfimet për vendin e saj që më joshte ta vizitoja. Kështu fillova pak të interesohem për historinë e komplikuar të Ballkanit dhe kulturën e pasur shqiptare. E lexova Edward Lear-in dhe Edith Durham-in. E lexova edhe romanin How to be a Kosovan Bride [Si të bëhesh nuse Kosove] dhe u ndjeva e lehtësuar që nuk isha e vetmja. Shëtita shumë nëpër Prishtinë, bëra shëtitje vetëm nëpër qytet. Të gjitha këto ishin gjëra shumë të bukura. Më e mira ishte, në njërën anë, koha e lirë që kalova me njerëzit: miqtë e mi nga Instituti, kuratorët e muzeve dhe veçanërisht motrën N dhe familjen e saj. Nga të gjithë mësova shumë për këtë vend dhe këtë kulturë, nga rrëfimet e tyre personale, arritjet akademike dhe më së shumti bisedat e përgjithshme dhe humorin. Secili moment me të gjithë ishte i veçantë; dhe mbi të gjitha që nuk u ndjeva e huaj për ta. Faleminderit! Shpresoj se do të vij përsëri.
Për autoren:
Keiko Wells është profesoreshë e Letërsisë dhe kulturës amerikane dhe asaj krahasimtare në Universitetin Ritsumeikan në Kyoto të Japonisë. Ajo e vizitoi Prishtinën gjatë vitit të saj sabatik në maj 2019 për të realizuar një hulumtim në letërsinë gojore. Libri i saj më i shitur është Singin and Talking to Survive:
African American Songs and Tales (Tokyo: Iwanamishoten, 2014) Është nënë e një vajze dhe një djali. I pëlqejnë akulloret e Prishtinës. / KultPlus.com