Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrja Daulina Osmani kanë pritur në takim të ngarkuarin me punë pranë Ambasadës së Republikës së Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka.
Ata diskutuan për bashkëpunimin mes dy vendeve, me theks në fushën e sportit.
Ministri e ka informuar diplomatin japonez Yamanaka për punën dhe programet e MKRS-së të fokusuara në fushën e sportit si dhe për bashkëpunimin që ministria ka me organizatat sportive në vend.
Po ashtu ministri foli edhe për bashkëpunimin e mirë që ka Federata e Xhudos e Kosovës me Federatën e Xhudos së Japonisë.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i Japonisë Yamanaka, e falënderoi ministrin për pritjen dhe gatishmërinë e treguar për të bashkëpunuar edhe në të ardhmen në projekte konkrete. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Omani ka pritur në takim të ngarkuarin me punë në ambasadën e Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka.
Në takim është biseduar për marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin në sferën e politikës së jashtme, menaxhimin e pandemisë dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë në fusha të tjera.
Presidentja Osmani ka falënderuar Yamanaka për mbështetjen e deritashme japoneze, duke kërkuar vazhdimin e përkrahjes në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Japonia ka prezencë të vazhdueshme nëpërmjet projekteve në Kosovë, ndaj Presidentja ka kërkuar mbështetje në fushën e arsimit, respektivisht në shtimin e numrit të bursave për studentët kosovarë që duan të studiojnë në Japoni.
Më tej, Presidentja ka potencuar mundësitë që ofron Kosova për investimet japoneze dhe në këtë kontekst ka përmendur moshën e re të popullsisë dhe fuqinë punëtore të kualifikuar. Sipas saj, Kosova ka potencial të zhvillojë bashkëpunim me Japoninë në sferën e ekonomisë, shkëmbimit tregtar, shëndetësisë, arsimit, kulturës, si dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm.
Ndërkaq Yamanaka ka shfaqur gatishmërinë e shtetit të tij për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës dhe ka përmendur organizatën japoneze JICA, e cila sipas tij vazhdon të implementojë projekte në Kosovë.
Teksa është biseduar për menaxhimin e pandemisë, Yamnaka ka bërë të ditur se shteti i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në sferën e shëndetësisë, duke paralajmëruar dhënien e donacioneve për institucionet shëndetësore. /KultPlus.com