Këngëtarja e njohur dhe shumë e talentuar është angazhuar ta prezantojë ceremoninë e famshme të ndarjes së shpërblimeve muzikore, për të tretin vit me radhë, kjo pasi duket që në vitet paraprake, ylli i hitit “Since U Been Gone” e ka bërë një punë të mrekullueshme si prezantuese.
Ceremonia e “Billboard Music Awards” mbahet më 29 prill, në arenën “MGM Grand Garden” në Las Vegas, transmeton Koha.net.
“Jam tejet e emocionuar që do të ribashkohem me familjen time në ‘Billboard’. Më pëlqen shumë të jem pjesë e një ngjarjeje e cila i feston artistët tanë më të mirë, dhe në të njëjtën kohë sjellë shumë argëtim për adhuruesit. Kjo do të jetë një natë për muzikën të cilën nuk duhet ta humbisni,” ka deklaruar Clarkson përmes një mesazhi të postuar në rrjetet sociale.
Në vitin 2019, këngëtarja 37-vjeçare e filloi ceremoninë me një kolazh muzikor të hiteve më të mëdha të atij viti. Ajo e mahniti publikun në sallë dhe atë që po e ndiqte nga shtëpia, me një performancë të këngëve të huaja të cilat i përvetësoi sikur të ishin të sajat.
Ylli i hitit “Behind These Hazel Eyes”, përveç si këngëtare ka filluar të njihet edhe si prezantuese televizive, pasi kohë më parë e lansoi emisionin “The Kelly Clarkson Show” ku realizon intervista të ndryshme me të ftuar të famshëm, por edhe njerëz të zakonshëm. Po ashtu, Clarksonin mund ta shohim edhe si anëtare të suksesshme të talent shout amerikan, “The Voice”. /KultPlus.com