Kënga arbëreshe “Na martohet Jurendina” e lashtë sa gjuha shqipe (VIDEO)

Këngetari Pino Kakoca (1957), është një arbëresh nga katundi Shënd Dimitër Koroni në Kalabri, prej nga ishte edhe shkrimtari e poeti, Jeronim de Rada. Fakti se kjo pjesë e ka ruajtur më shumë fanatizëm traditën shqiptare dëshmohet edhe përmes kësaj këngë arbëreshe e cila është e lashtë po aq sa gjuha shqipe, shkruan KultPlus.

Kjo këngë flet për martesën e Jurendinës, ndërsa fton burra, gra e vasha të stolisura që të jenë pjesë e këtij ahengu për ta përcjellur martesën e saj me dhurata, valle, daulle, çifteli e dolli.
KultPlus po ju përcjellë këtë këngë arbëreshe të shoqëruar me pamje të jetës dhe kulturës arbëreshe në Itali, atje ku ata ruajtën traditën për 600 vite me radhë.

“Ngini (ngitni, ngani), oj gjindë të mira
Me dhurat’ e me dafina
Se martohet Jurendina
E ju, gra më të mëdha
Vjershëroni ju në dasmë
Lumturinë e Jurendinës
E ju, vashës të stolisur
Dridhni vallet të nisur
Me daull e çifteli
Ngrëni qelqet për dolli
Më fund e helqni këta raki
Për harenë e Jurendinës
Dehëni burra se na ndodhet
Një ditë çë s’mënd harrohet
Na martohet Jurendina
Qesh, oj më’, pa lot ndër sy
Nusja vete në Venetì
E Kostandini është besnik”.

Arbëreshët e Italisë Jugore (pjesa më e madhe) janë me prejardhje nga Shqipëria Jugore nga emigrimet e viteve 1400-1500-ës, si dhe nga viset arvanite të Greqisë jugore të po atyre viteve (pjesa më e madhe e tyre nga Labëria/Viset Çame nën Sarandë (Xarra, Butrinti, Markati apo Konispoli). / KultPlus.com

Këngëtarja turke kopjon këngën e famshme të arbëreshëve “Lule-Lule” (VIDEO)

Këngëtarja e famshme turke Nukhet Duru ka kopjuar këngën simbol të arbëreshëve “Lule Lule Maca Maca”.

Me titullin turk “Kapildin Gitti”, artistja turke ka arritur të marrë më shumë se gjysmë milion klikime në YouTube , por edhe shitje të shumta në i Tunes duke siguruar shuma të mëdha parash nën siglen e shtëpisë diskografike muzikore Sony Music.

Në produksion emri Iiautorit konsiderohet anonim. /Diaspora Shqiptare/ KultPlus.com

Kënga arbëreshe e Kërshëndellës: Nata u shndërrua në ditë, jeta u mbush plot me gëzim

Ninulla vjen e shkëputur nga përmbledhjet “siculo-arbëreshe”, nga Lionardo Vigo (1805-1888)

Ai ishte një poet, filolog e politikan italian që në vitin 1857 botoi “La Raccolta di canti popolari siciliani”, ku përfshiu dhe këngë popullore të arbëreshëve të Siçilisë.

Vigo ishte një dishepull i romantizmit dhe besonte se, këngët popullore dhe motivet folklorike gjithmonë ndjellin dhe shpirtin poetik të së shkuarës, për të krijuar atë që Herderi e quan dhe Volksgeist -“shpirt i kombit”, që u fal njerëzve impulsin krijues përsa i përket përforcimit të nacionalizmit të tyre kulturor.

Ç’mrekulli është vallë kjo?

‘Ç’mrekulli kjo, që na gëzoi
Erdh pranvera, dimri shkoi.
Ljeu Krishti në një skutë,
Ljeu i varfër e i butë.
Ljeu aty, e s’ljeu në Horë,
Në një shpellë e nën dëborë,
Ljeu, e qielli u bë dritë
Nata u shndërrua në ditë.
Jeta u mbush plot me gëzim,
pemët, me fletëza në bulim.
Na pru Zoti në këtë dhe
Gaz të madh, paqe e hare!

Ninulla në arbërishte:

Çë thavmasmë isht kjo?
Çë edhe nata ditë u bë.
të ghzon zemërën
dimri shkoi e s’ ishtë më
gjithë jeta bën hare
ljulje e peme për në dhe
Ljeu jashtë e jo në Horë
në një shpellë, në një gërromim
ljeu në tsin, ljeu në sborë
ljidhur klje te një skutin
mbet në kashtë e në sanùa
si i vapkëth për mua
E si ljeu n’ ata malje
n’ ata malje ashtu tutsè me ghzim
Parraisi u psaljë gazin
m’ i madh njeriut i qièlli
paqe, gaz, haré
yn’ Zot pru në ktë dhe

Këshndellë apo Kërshëndellë

Sipas Profesor Eqrem Çabejt* fjalën Kërshëndellë, Mikloshiçi e Majeri e nxirrnin nga latinishtja: “Christi Natalia”, ndërsa Atë Gjergj Fishta na e shpjegon këtë fjalë me mjetet e shqipes: Krisht – këndellë “Këndellja e Krishtit”- e Atë Bernardin Palaj e quan Sh’ Kndella, që do të thotë këndellje apo përtëritje e çdo gjëje. Gjithsesi ndikimi i emrit Krisht me etimologji popullore nuk mund të mohohet. Për herë të parë fjala përdoret në veprën e Buzukut “mbas Kreshendellsh”; Budi e përdor në trajtën “Natecë Kërshëndellesë”.

Pra, fjala “Kërshëndellë” do të thotë “të lemit e Krishtit”

Në Jug të Shqipërisë, sipas Hahnit, Kërshëndellat janë gjashtë javët e kreshmëve që para Kërshëndellave e deri te Teofania. Fjala Krishtlindje, që përdoret sot rëndom për kremtimin e lindjes së Krishtit, pas gjase është një përkthim, një kalk i ri i fjalës greke.

Tradita e lashtë shqiptare e festës

Kërshëndellat zëvendësuan festën e moçme të Natës së Buzmit, trashëguar që prej kohëve të lashta. Buzmi, simbol i jetës së re, i kthimit të motit kah pranvera, u bë simbol i Hyjnisë që lind, i Krishtit. Krishti vjen për t’i dhënë fund së vjetrës e të gjithë të këqijave të saj. Krishti rrafshon të vjetrën. E nisë jeta me urimin e së resë: me gjeth e me bar, me kingja e me tambël të bardhë, me shpresë për një të ardhme më të mirë. Poeti dom Prenkë Ndrevashaj i këndon kështu në poemthin “Buzmi”**:

Ushton flaka lakmueshëm e i përqafet

Njanit unak herë tjetrit,

Si Foshnja Ejllore;

Rroket me zemra të përgjumshme

e u uron kënaqe e bekim!”

Kështu, festa pagane e buzmit u kristianizua dhe në Shqipëri; që shumë kohë para pushtimit otoman, u kremtua festa e madhe: lindja e Jezu Krishtit që, siç shkruan dom Ndrevashaj, nuk harron me u ndalë çdo vjetë mes rranxave të vetmueme:

“O Natë e bardhë, me shekuj tu bame flí

te këto rranxa të vetmueme, në luftë me jetë,

E me duhma t’ortekut ktu për bri!

Veç ti s’harron me u ndalë te na çdo vjetë!”** ./konica/ KultPlus.com