Të parën këngë dasme arbëreshe e ka dokumentuar Jeronim De Rada, dhe titullohet “Somenat dita m’u di” (Që me natë dita m’u gdhi).
Në videon e mëposhtme të studiuesit Italo Elmo, publikohet regjistrimi i parë i kësaj kënge i bërë në vitin 1952.
Videoja shoqërohet edhe me një vizatim, me pamje të stilit romantik, të momentit kur dhëndri ka marrë nusen dhe po i drejtohen kishës, ku do të marrin bekimet e martesës. Interpretimin e kësaj kënge pritet ta realizojnë edhe kori i grave në ditën e prezantimit të volumit të dytë të librit të Elmos, i titulluar “Kostumet, zbukurimet dhe bukuria e veshjeve festive të grave arbëreshe”.
Aty do të jenë të ftuar edhe vjershëtarët më të mirë arbëreshë dhe do të interpretohen këngë të vjetra dasmash. Këngën e fshatit San Demetrio Corone, “Somenat dita m’u di”, nuses ia këndojnë shoqet e saj, të cilat e rrethojnë pasi është veshur nuse dhe pret e zbukuruar t’i vijë dhëndërri për ta marrë. Më poshtë është edhe teksti i këngës.
“Somenatë dita m’u di
nusja e dhëndri pjot llegrì
me llegrì e meshëndet.
U godhirshit një qind vjet
si unaza çë rri te dora
gjite katundi të bën onor.
Stamattina s’è fatto giorno
sposo e sposa pieni di gioia
di gioia e di salute
Che possiate godere per cento anni
come l’anello che sta nella mano
tutto il paese ti reca onore.”/ KultPlus.com