Blake Lively shënon debutimin regjisorial me videoklipin e ri të Taylor Swiftit

Aktorja e njohur amerikane, Blake Lively, do ta shënojë debutimin regjisorial me videoklipin e ri të këngëtares, Taylor Swift.

Kantautorja 31-vjeçare, Swift, e bëri të ditur lajmin se mikesha e saj e mirë e ka marrë përsipër rolin e regjisores së videoprojektit të ardhshëm me titull, “I Bet You Think About Me”. Kjo është kënga e re e cila i është shtuar albumit “Red (Taylor’s Version)”, të cilin e lansoi të premten e kaluar.

Ylli i hitit “Shake it Off” në një postim të fundit në Instagram shkroi: “BEFASI! Videoklipi i ri muzikor lansohet nesër në ora 16:00. Më në fund më erdhi rasti të punojë me të mrekullueshmen, të guximshmen dhe personin me një sens fantastik të humorit, Blake Lively, në atë që do të jetë debutimi i saj regjisorial”.

Dy mikeshat u fotografuan bashkë me burrin e Livelyt, Ryan Reynolds, pas emisionit të fundit “Saturday Night Live” ku Taylor e interpretoi versionin dhjetë minutash të këngës së preferuar të fansave nga ky album, “All Too Well”, për të cilën spekulohet se flet për romancën vitit 2011 të këngëtares me aktorin, Jake Gyllenhaal.

Gjatë kësaj performance live në skenën e shout “SNL”, në sfond shfaqej filmi i shkurtër i drejtuar nga Swifti dhe në të cilin luajnë aktorët, Sadie Sink dhe Dylan O’Brien.

Videoprojekti “I Bet You Think About Me” e përfshinë edhe kantautorin 43-vjeçar, Chris Stapleton, dhe është njëra nga nëntë këngët që i janë shtuar versionit të ri të albumit të lansuar në vitin 2012.

Këngëtarja e shpërblyer me “Grammy” është duke i riincizuar albumet e fillimeve të karrierës kjo pasi menaxheri i njohur i artistëve, Scooter Braun, e bleu ish-labelin e saj diskografik, “Big Machine Label Group”, për 300 milionë dollarë dhe me të i fitoi të drejtat për katalogun e saj të kaluar muzikor.

Albumi i parë “Red” ishte publikuar në vitin 2012 dhe i përfshinte 16 këngë, kurse albumi i ri “Red (Taylor’s Version)” i përmban gjithsej 30 këngë.

Në një intervistë të fundit, Swift deklaroi se rimarrja në pronësi e punës së vjetër, ka qenë një eksperiencë shumë e mirë dhe fuqizuese për të. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=J2uxc01fUXU&feature=emb_title

Taylor Swift sjell remixin e këngës kryesore në albumin më të ri

Pas lansimit të albumit të saj më të ri, Taylor Swift ka gëzuar artdashësit e saj nëpërmjet një interpretimi ndryshe të këngës së saj, shkruan KultPlus.

Në datëlindjen e 31-të të Swift, ka publikuar remixin e këngës “Willow” e cila është kënga kryesore në albumin “Evermore”.

Taylor lajmin e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në facebook, teksa ka njoftuar se remixi është realizuar nga Elvira. / KultPlus.com

Taylor Swift jep donacion për regjistrimin e studentes në universitet

Këngëtarja Taylor Swift ka bërë një donacion prej 23.000 sterlinave (25.700 euro) për studenten nga Londra në mënyrë që të ketë mundësinë e regjistrimit ne Universitetin Warwick, në degën e matematikës.

Studentja Vitoria Mario ka hapur një faqe të mbledhjes së fondeve në internet, ku edhe shkruan se si ka jetuar në Britani për katër vite, pasi që ishte shpërngulur nga Portugalia.

Por ajo nuk ka të drejtë për grante ne Britani.

Vitoria, për donacionin e Taylor Swift, tha: “Kisha brenga se ku do t’i gjeja paratë, çka duhet të bëj dhe çfarë pune të bëj. Ajo në fakt bëri që ëndrra ime të bëhet realitet”, shkruan BBC-ja të premten.

Këngëtarja amerikane, e cila ka shumë kënge të njohura nëpër top listat botërore, shkroi një mesazh në faqen e mbledhjes së fondeve të Vitorias.

Deri në paraqitjen e Swiftit, Vitoria kishte mbledhur afro gjysmën e 40.000 sterlinave të nevojshme për regjistrimin më fakultet.

“Vitoria, arrita deri tek tregimi yt online dhe jam aq e frymëzuar me vullnetin tënd për t’i bërë ëndrrat tua realitet”, i shkroi Swift Vitorias. “Dëshiroj që të dhuroj pjesën tjetër që ka mbetur. Shumë fat me çdo gjë që bën! Me dashuri, Taylor”.

Swift edhe më parë u kishte bërë donacione të ngjashme adhuruesve të saj për të cilët kishte lexuar online. / KultPlus.com

Taylor Swift publikon këngën ‘Look What You Made Me Do’ (VIDEO)

Këngëtarja e famshme Taylor Swift ka publikuar këngën “Look What You Made Me Do”, këngë kjo e cila i paraprinë albumit të saj të ri të quajtur “Reputation”, shkruan KultPlus.

Kjo këngë vjen vetëm më tekst, ndërsa pritet t’i realizohet edhe videoklipi.

Javën e kaluar, Taylor Swift fshiu gjithçka nga llogaritë e saj në mediat sociale, duke nxitur spekulimet se po përgatitej publikimi i një albumi të ri.

Me albumin e fundit, “1989”, Swift fitoi çmimin ‘Grammy’ në 2015-ën dhe arriti të shesë mbi 6 milionë kopje.

Taylor Swift është 27 vjeçe dhe nga viti 2006 e deri në 2014-ën, ka publikuar pesë albume, një në çdo dy vite, ndërsa i gjashti është vonuar tre vite nga paraardhësi. / KultPlus.com