Dua Lipa pjesë e listave “Albumi më i mirë i vitit” dhe “Kënga më e mirë e vitit”, të përpiluara nga BBC.
Mediumi i njohur britanik BBC i ka renditur albumet dhe këngët më të mira të vitit 2020, bazuar në 35 listat e publikuara në fundvit nga disa prej revistave muzikore portaleve, gazetave dhe radiostacioneve më me ndikim në botë.
Këtu përfshihen portal NME, revista “Rolling Stone”, radiot “BBC 6 Music” dhe “Double J” nga Australia, revista “Gaffa” nga Danimarka dhe të tjerë.
Këngëtarja me prejardhje kosovare, Dua Lipa, ka arritur të jetë pjesë e dy kategorive duke u pozicionuar e nënta në listën e këngëve më të mira të vitit me hitin “Physical”, dhe e katërta në listën e albumeve më të mira me albumin e saj të dytë, “Future Nostalgia”.
“I hijshëm, i freskët dhe mjaft bashkëkohor, i mbushur me këngë atraktive të cilat të dërgojnë në kohë të ndryshme, si diskotekat ndërgalaktike me këngën “Levitating”, stërvitjet intensive me plot energji me këngën “Physical, që të gjitha të kompletuara me hitin e padiskutueshëm “Don’s Start Now”, i cili e kaloi një vit të tërë në maje të toplistës së 100 këngëve më të mira në Britani të Madhe”, kështu është përshkruar albumi i Lipës, nga BBC-ja.
Sa i takon pozitave të para të këtyre listave, “Albumi më i mirë i vitit 2020” është emëruar albumi “Fetch The Bolt Cutters” nga Fiona Apple, ndërsa “Kënga më e mirë” është shpallur “WAP” nga dyshja e njohur e muzikës rep, Cardi B dhe Megan Thee Stallion./ Koha.net/ KultPlus.com