Këtë vjeshtë, të gjithë ata që jetojnë jashtë vendit, kryesisht në New York apo gjenden atje për vizitë, kanë një arsye më shumë për të shkuar në koncerte. Artistët më të njohur shqiptar në Amerikë janë në turne dhe këto janë datat kur ata do të mbajnë koncert në New York, një vend ku komuniteti shqiptar është mjaft i madh.
Më 20 shtator, reperi i njohur G4SHI ka mbajtur koncert në Brooklyn të NY, në eventin “The Genius of Rap Caviar”. Ndërsa atë e pret edhe një koncert tjetër më 21 tetor në “Shoreline Amphitheatre”, në Kaliforni në kuadër të “Rolling Loud Festival”, një festival i cili i kushtohet muzikës Hip Hop, pra një zhanër që G4shi e kultivon, madje shquhet si një nga hip hop artistët më të mirë.
Siç dihet, G4shi, së fundmi ka nënshkruar kontratë me labelin e njohur “Roc Nation”, pas shumë ofertave që kishte nga kompani të ndryshme muzikore dhe tashmë ka zgjedhur shtëpinë e njohur të udhëhequr nga Jay Z. Këngëtari është duke punuar edhe në projekte të reja muzikore, të cilat pritet t’i publikon gjatë muajve të ardhshëm, raporton Express i KTV-së.
Më 12 tetor, Njomëza mban koncert në Brooklyn tek “Baby’s All Right”, një bar mjaft i njohur atje. Njomëza këngëtarja me prejardhje shqiptare, tash e tre vjet po ndërton karrierë muzikore në Amerikë dhe është pjesë e kompanisë muzikore, “REMember Music”. Njomëza ka lindur në Chicago të Amerikës, nga prindër shqiptarë.
Ajo ka nisur të këndojë në moshën pesë vjeçare ndërsa në moshën 14 vjeçare ajo e formoi bendin muzikor “Scarlett”. Ajo gjithashtu njihet për bashkëpunim me Scrillex. Ka vetëm dy ditë që këngëtarja e ka publikuar videon e këngës, “Sad For you”, një këngë prej EP me të njëjtin titull. Me këtë video po tregon se nuk vjen me si “e re” në tregun muzikor, por si një artiste e kompletuar.
Me 6 nëntor, Bebe Rexha mban koncert në Manahttan, tek Terminal 5. Në këtë koncert shiten dhe bileta VIP ku keni mundësi ta takoni dhe të bëni foto me Beben. Këngëtarja do të performojë edhe në Las Vegas në një koncert ku do të interpretojnë edhe yjet të tjerë si, Coldplay, The Weeknd, Lorde, Kings of Leon, Pink, Miley Cyrus dhe Big Sean, David Guetta etj.
Më 24 nëntor, Dua Lipa, mban koncert po ashtu në Manhattan. Këngëtarja po vazhdon të qëndrojë në maje të toplistës Billboard. Ajo e kryeson grafikun e artistëve në zhvillim për të dytën javë rresht. E lumtur nga ky fakt, Dua ka shpërndarë këtë status me një falënderim të veçantë. Kujtojmë që këngëtarja shqiptare, ka arritur ti kryesojë top listat në Britani të Madhe me këngën e saj të fundit “New Rules”.
Dua Lipa, ylli i ri në botën e muzikës, së fundi është bërë edhe imazh ekskluziv i fushatës reklamuese të koleksionit vjeshtë/dimër 2017-2018 të markës së njohur “Patrizia Pepe”. Përmes një video të publikuar mbrëmë, Dua shfaqet mjaft joshëse dhe me shumë stil, e veshur nga brendi Patrizia Pepe.
Po në këtë video reklamuese Dua e këndon edhe këngën “Bang Bang”, këngë kjo e krijuar nga Dua ekskluzivisht për brendin e njohur amerikan. / KultPlus.com