Shitet katalogu i këngëve të David Bowie për më shumë se 250 milionë dollarë

Trashëgimtarët e pasurisë së muzikantit ikonik, David Bowie, i kanë shitur të drejtat autoriale të të gjitha këngëve të tij për më shumë se 250 milionë dollarë.

Ylli i ndjerë i hitit “Changes” vdiq në vitin 2016, dy ditë para ditëlindjes së 69-të, pas një beteje private me sëmundjen e kancerit. Më 8 janar të vitit 2022, ai do ta shënonte 75-vjetorin e lindjes. Gjatë karrierës së tij muzikore, Bowie i ka realizuar plot 111 këngë dhe marrëveshja e re me kompaninë incizuese, “Warner Chappell Music”, përfshinë këngë nga 26 albumet e tij të incizuara në studio, albumi i ardhshëm postmortum me titull, “Toy”, dy albumet të cilat këngëtari i kishte lansuar me grupin “Tin Machine” dhe këngët e përfshira në filma dhe projekte tjera.

Bashkëkryetari dhe shefi ekzekutiv i kompanisë “WCM”, Guy Moot, tha se janë krenarë që janë përzgjedhur si kujdestarë të muzikës së jashtëzakonshme të këngëtarit të hitit “Space Oddity”.

Përmes një komunikate për media ai tha: “Të gjithë ne në kompaninë ‘Warner Chappell’ jemi jashtëzakonisht krenarë që trashëgimtarët e pasurisë së David Bowiet, na kane zgjedhur të jemi kujdestarët e një prej katalogëve më novator, më me ndikim dhe më të qëndrueshëm në historinë e muzikës. Këto nuk janë vetëm këngë të jashtëzakonshme, por piketa që kanë ndryshuar përgjithmonë rrjedhën e muzikës moderne. Vizioni dhe gjenialiteti krijues i Bowiet e bënë atë t’i tejkalojë kufijtë në muzikë, duke shkruar këngë që sfiduan traditat dhe janë bërë pjesë e kanunit të kulturës globale”.

Trashëgimtarët e pasurisë së këngëtarit legjendar janë jashtëzakonisht të kënaqur me marrëveshjen e re të arritur. Megjithëse ende nuk është zbuluar shuma e saktë e blerjes së katalogut muzikor të David Bowiet, besohet se ajo e kalon shifrën prej 250 milionë dollarëve. / KultPlus.com

David Bowie, fotografi nga ditët e hershme të karrierës së tij

David Robert Jones, i njohur nga publiku si David Bowie, ishte një këngëtar, kompozitor dhe aktor anglez. Një figurë udhëheqëse në industrinë e muzikës, Bowie konsiderohet si një nga muzikantët më me ndikim të shekullit të 20 -të, transmeton KultPlus.

I lindur në Brixton, Londër, Bowie pati një interes për muzikën qysh në fëmijëri. Ai studioi art, muzikë dhe dizajn para se të niste një karrierë profesionale si muzikant në vitin 1963. “Space Oddity”, publikuar në vitin 1969, ishte hyrja e tij e parë në top listat e Britanisë së Madhe (UK Singles Chart).

Pas një periudhe eksperimentimi, ai u rishfaq në 1972 gjatë epokës së glam rock me ‘Ziggy Stardust’ (‘Ziggy Stardust’ është një personazh imagjinar i krijuar nga muzikanti anglez David Bowie, dhe ishte personazhi skenik i tij gjatë viteve 1972 dhe 1973). Personazhi u drejtua nga suksesi i këngës së Bowie ‘Starman’ dhe albumit ‘The Rise and Fall of Ziggy Stardust and the Spiders from Mars’, i cili i fitoi popullaritet të gjerë. Më 1975, stili i Bowie u zhvendos drejt një tingulli që ai e karakterizoi si “shpirt plastik”, duke i tjetërsuar fillimisht shumë nga fansat e tij në Mbretërinë e Bashkuar, por duke pasur një sukses të madh në Amerikë, me këngën “Fame” dhe albumin ‘Young American’. Në 1976, Bowie luajti në filmin ‘The Man Who Fell to Earth’, i drejtuar nga Nicolas Roeg.

Gjatë jetës së tij ai arriti të shiste mbi 100 milion rekorde në të gjithë botën, duke e bërë atë një nga artistët më të shitur të muzikës të të gjitha kohërave.

David Bowie në vitin 1960. /KultPlus.com

Zbulohen portretet e humbura të David Bowie

Fotografitë e humbura të këngëtarit David Bowie nga albumi i vitit 1969 janë zbuluar. Në fotografitë e siguruara nga “MailOnline”, këngëtari i hitit “Heroes” kishte pozuar për albumin e dytë përpara fotografit Vernon Dewhurst.

Në njërën prej fotografive, Bowie shfaqet gjysmëlakuriq dhe shikon drejt kamerës me një qëndrim stoik, kurse flokët i ka të lëshuara dhe kaçurrela.

Në një tjetër fotografi këngëtari shihet tek pozon nëpërmjet një xhami, me ç’rast pamja përreth është e turbullt.

Fotografia, e cila më pas ishte përdorur për kopertinë, ishte mbivendosur në veprat e artistit hungarez Victor Vasarely.

Albumi i dytë i Bowies është “Space Oddity” dhe përmban po ashtu një këngë me të njëjtin titull, e cila ishte bërë hiti i parë komercial i yllit ikonik të muzikës.

Albumi ishte ripublikuar më 1972 me titullin “Space Oddity”, pas suksesit të atij të pestit “The Rise And Fall Of Ziggy Stardust And The Spiders From Mars”.

Tashmë janë bërë pesë vjet qëkur Bowie ka vdekur në janarin e vitit 2016, në moshën 69-vjeçare. Ai ka vdekur pas një beteje 18-mujore me kancerin.

Ishte i martuar me supermodelen Iman nga viti 1992 deri në ditën e vdekjes. Me të ka vajzën Alexandria Zahra Jones, tani 20-vjeçare, e njohur si Lexi, e cila është artiste në California.

Muzikanti ishte baba edhe i Duncanit 50-vjeçar, të cilin e kishte nga martesa me ish-bashkëshorten Angie. Bowie dhe Iman u martuan në një ceremoni romantike në Luzanë të Zvicër, në prillin e vitit 1992, që më vonë u zyrtarizua me martesë në Florencë.

Në fillim të këtij viti, Iman ka thënë se kurrë nuk do të martohet më pas vdekjes së bashkëshortit dhe ka deklaruar se këngëtari për të ishte “dashuria e vërtetë”.

“David është në zemrat dhe mendjet tona përditë. Ai ishte dashuria ime e vërtetë. Vajza më ka pyetur një ditë nëse do të martohesha përsëri dhe i kam thënë shkurt: ‘Kurrë’”, kishte thënë supermodelja 65-vjeçare gjatë shkurtit. / Koha.net / KultPlus.com