Një episod nga jeta dhe shprehje e shpirtit të madh të këngëtares së famshme italiane, Giuditta Pasta

Nga Albert Vataj

Zemra e madhe ishte mësuesi i vërtetë në artin dramatik të këngëtares së famshme italiane, Giuditta Angiola Maria Costanza Pasta (26 Tetor 1797 -1 prill 1865). Pa atë shpirt mëkuar bekimesh mirësie, dhe zërin e saj virtuoz, ajo nuk do të rritej në shtatoren e lavdisë dhe përjetësohej në kujtesën e kohës. Episodet nga jeta e saj tregojnë për bujarinë dhe shpirtin e mirë.

Një pasdite të kthjellët, gjatë një shëtitjeje përgjatë bregut të Triestes, Giuditta Pasta, këngëtarja e madhe e operës, u ndal papritur kur iu afrua një vajzë e vogël, rreth katër a pesë vjeçe. Vajza, e veshur me rroba të grisura, shtriu dorën dhe i foli me një zë të dridhur, por të mbushur me dinjitet:

“Më ndihmoni, zonjë, për nënën time. Ajo është e verbër dhe nuk mund të kujdeset për ne.”

Pasta mbeti e ngrirë për një çast, sikur fjalët e vajzës kishin depërtuar përtej dëgjimit, drejt zemrës së saj. Ajo e vështroi fëmijën dhe, në atë çast, pa më shumë se një vajzë të vogël që kërkonte lëmoshë. Ajo pa një botë të tërë vuajtjesh: nënën e saj të verbër, një dhomë të ftohtë dhe të varfër, netët e gjata pa ngrohje dhe mungesën e ushqimit.

Sytë e Pasta-s u mbushën me lot. Pa thënë asgjë, ajo zgjati duart dhe i dha vajzës gjithçka kishte me vete – monedha, bizhuteri, gjithçka që mund të kishte vlerë.

Shokët e saj, të cilët po e shoqëronin në këtë shëtitje, mbetën të shtangur nga ky gjest i papritur. Njëri prej tyre guxoi të pyeste:

“Giuditta, pse gjithë kjo zemërgjerësi? Vajza ishte vetëm një lypëse.”

Pasta, ende e prekur, iu përgjigj me një ton solemn:

“Fëmija nuk më kërkoi vetëm lëmoshë. Ajo më foli me një madhështi që s’e kam dëgjuar kurrë më parë, as në skenat më dramatike. Në sytë dhe zërin e saj ishte gjithë dhimbja e botës, por edhe një forcë që e bënte të pamundur të mos përgjigjesha. Nëse do të mund të arrija një theks të tillë dramatik, do të isha një artiste edhe më e madhe.”

Ky episod mbeti si një kujtim i përjetshëm i thellësisë së shpirtit të Giuditta Pasta, një grua që jo vetëm e jetonte artin, por e gjente atë edhe në dhimbjen dhe forcën e njerëzve të zakonshëm.

Kjo anekdotë mbeti emblematike për Giuditta Pasta, një nga këngëtaret më të mëdha operistike të shekullit të 19-të, është një episod që shpesh përmendet për të ilustruar ndjeshmërinë dhe humanizmin e saj të thellë. Pasta, e njohur jo vetëm për zërin e saj të jashtëzakonshëm, por edhe për aftësinë e saj dramatike, duket se e ka vlerësuar emocionin dhe shpirtin e pastër të vajzës së vogël, që përmes thjeshtësisë dhe dhimbjes së saj, arriti të shprehë një patos të papërsëritshëm./ KultPlus.com

‘Kapiten i ri m’difto se ka po vjen, ti që ke qenë n’ushtri a ke pa burrin tem’

Këngëtarja e shquar Nexhmije Pagarusha do të kujtohet gjithmonë për zërin e saj të fuqishëm dhe këngët të cilat lanë gjurmë të mëdha në historinë e muzikës shqipe.

Sot, KultPlus ju sjell këngën korçare ‘Kapiten o i ri’, nën interpretimin e jashtëzakonshëm të Nexhmije Pagrushës.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës:

Kapiten i ri
m’difto se ka po vjen?
Ti që ke qenë n’ushtri
a ke pa burrin tem?

Burrin tand unë e kam pa,
bashkë me të kam luftu.
Burri yt ka ndrru jetë
dhe ti ke m’marrë mu.

Kapiten i ri
porsi bora në mal.
Unë dashninë nuk e ndrroj’
as për nji gjeneral.

O moj ti zonjushë
që m’ke dal në ketë fushë.
Të puthsha faqe e gushë
dashnori yt vetë unë jam. / KultPlus.com

10 vite nga vdekja e të papërsëritshmes, Vaçe Zelës

Vaçe Zela (7 prill 1939, Lushnjë – 6 shkurt 2014, Bazel) ishte një këngëtare ikonë e skenës shqiptare.

Ajo e filloi karrierën në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Ajo ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata kanë vajzën Irma. Që nga viti 2002 Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.

Ajo është nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me arsyen: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.“

Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. / KultPlus.com

‘Romantika’, kënga që nuk harrohet nga artistja Violeta Rexhepagiqi (VIDEO)

Kompozitorja, këngëtarja dhe gazetarja e njohur Violeta Rexhepagiqi u largua nga kjo botë më 16 prill të vitit 2020.

Violeta Rexhepagiqi, si spikere e programeve për fëmijë në “Radio Prishtinë” filloi të ndjekë mësimet edhe në shkollën e ulët të muzikës. Si rrjedhë e angazhimit të saj pasojnë edhe mirënjohjet në festivalin e fëmijëve “Akordet e Kosovës”. Njëkohësisht, Violeta interpretoi më se 40 këngë për fëmijë, dhe luajti zërin e personazheve në radio-dramat për fëmijë. Violeta shquhej për avangardë që në vitet e ’80, si në muzikë e poashtu edhe në modë. Në vitin 1984 Violeta për publikun e gjerë shqiptar u bë e njohur me paraqitjet e saja në grupin e muzikës “Vivienne”. Gjatë kësaj kohe, ajo përfaqësoi për dy herë Kosovën në përzgjedhen e përfaqësueses së Jugosllavisë për “Këngën e Eurovizionit”. Ajo ishte e angazhuar në Radio Televizionin e Prishtinës dhe aty punoi deri në uzurpimin e kësaj qendre nga forcat serbe. Pas okupimit të RTP-së punoi si reportere lufte për agjensitë e huaja: “News Network”, “WTN”, “Sky NEWS” etj. Nga viti 2010, Violeta punoi për “RTK”, shkruajti tekste këngësh dhe bëri komponime për këngëtarë të ndryshëm.

Më 16 prill 2020, në orët e hershme Violeta Rexhepagiqi u gjet e vdekur në banesën e saj. Në pamundësi për të organizuar mbledhje komemorative dhe pjesëmarrje në varrim për shkak të gjendjes së karantinës nga virusi COVID 19, kryetari i qytetit të Prishtinës, Shpend Ahmeti njoftoi publikun se në shenjë respekti për kontributin e saj për kulturën shqiptare, në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet do të lëshohen këngët e saj.

KultPlus ju sjell sot një ndër këngët më të mira të Violetës, “Romantika”, këngë kjo që nuk harrohet lehtë. / KultPlus.com