Këshillat e Umberto Eco-s që do t’ju bëjnë të reflektoni për jetën tuaj

Shkrimtari i njohur botëror Umberto Eco i la “amanet” nipit të tij para vdekjes disa letra dhe këshilla të cilat juve do t’ju bëjnë të reflektoni shumë për jetën tuaj.

“I dashur nip, nuk do të dëshiroja që kjo letër krishtlindjesh të tingëllonte shumë e sheqerosur (deamicisiana, term sipas librit të autorit De Amicis “Zemra”) dhe të kujtonte ty këshilla për dashurinë ndaj të afërmve tanë, për atdheun, për botën, apo gjëra të ngjashme. Nuk do t’ua vije veshin dhe në momentin e vënies në praktikë (ti i rritur dhe unë i thyer në moshë), sistemi i vlerave do të jetë kaq shumë i ndryshuar sa mundet që rekomandimet e mia të duken jashtë kohe.

Kështu që do të preferoja të ndalesha në një rekomandim të vetëm, të cilin do jesh në gjendje që ta vësh në zbatim edhe tani, teksa je zhytur në iPad-in tënd; por as nuk do të bëj gabimin që mos të ta këshilloj këtë gjë, jo për faktin se do dukesha një gjysh harraq dhe nopran, por sepse atë e bëj edhe unë.

E shumta mund të të rekomandoj, që nëse rastësisht në internet, kalon nëpër ato qindra faqet porno që tregojnë në mijëra mënyra raportin mes dy qenieve njerëzore, apo mes një qenieje njerëzore dhe një kafshe, përpiqu që të mos besosh se ai është seksi, edhe ashtu i shfaqur shumë monoton; kjo sepse bëhet fjalë për një inskenim, i cili synon të të detyrojë të mos dalësh nga shtëpia dhe të shohësh vajzat e vërteta.

Nisem nga parimi se ti je heteroseksual, përndryshe përshtati rekomandimet e mia me rastin tënd. Por shikoji vajzat, në shkollë apo aty ku shkon për të lozur, sepse janë më të mira ato të vërtetat, sesa ato femrat televizive; dhe një ditë do të të japin kënaqësi shumë më të mëdha sesa ato online.
Besoji atij që ka më shumë eksperiencë sesa ty(dhe nëse do të kisha parë vetëm seksin në kompjuter yt atë nuk do kishte lindur kurrë dhe ti kush e di ku do ishe, përkundrazi nuk do ishe fare). Por nuk është kjo, ajo për të cilin doja të të flisja, më tepër sesa për një sëmundje që ka goditur brezin tënd dhe madje edhe atë të djemve më të rritur sesa ty e që ndoshta shkojnë në universitet.

Kjo është humbja e kujtesës. Është e vërtetë se nëse të shkon në mendje të dish se kush ka qenë Karli i Madh apo ku bie Kuala Lumpuri nuk të duhet veçse të shtypësh ndonjë tast dhe menjëherë interneti do të
ta thotë.

Bëje këtë gjë kur duhet, por pasi ta kesh bërë, mundohu të kujtosh çfarë të është thënë për të mos qenë i detyruar që ta kërkosh për herë të dytë nëse do të jetë e domosdoshme, qoftë edhe për një punim në shkollë. Ka rrezik që ndërkohë që ti mendon se kompjuteri mund të ta thotë në çdo moment, ti humbet shijen e të nxënit vetë.

Do të ishte njësoj sikur, duke ditur se për të shkuar nga një rrugë në tjetrën, ka autobusë apo metro që të mundësojnë të zhvendosesh pa u lodhur(që në vetvete është shumë komode dhe bëje sa herë që nxiton) mendon se kështu nuk ke më nevojë të ecësh. Por nëse nuk ecën mjaftueshëm, bëhesh pastaj “i aftë tjetërsoj”, siç thuhet sot për ata që janë të detyruar të lëvizin me karrocë me rrota.

Dakord, e di që merresh me sport dhe kështu vë në lëvizje trupin tënd, por të kthehemi te mendja jote. Kujtesa është një muskul si ata të këmbëve, të cilën nëse nuk e ushtron rrudhet dhe ti transformohesh (nga këndvështrimi mendor) me një tjetër lloj aftësie, pra, që të flasim qartë, një idiot. Për më tepër, sikurse për të gjithë ekziston rreziku që me plakjen vjen edhe Alzheimeri, një nga mënyrat që të shmanget ky incident i pakëndshëm është të ushtrosh memorien.

Dhe ja cila është dieta ime. Çdo mëngjes mëso ndonjë varg, një poezi të shkurtër. Mirë do ishte të bëje ndonjë garë edhe me miqtë e tu për të parë se kush mban mend më shumë. Nëse nuk e pëlqen poezinë atëherë bëje këtë me formacionet e futbollistëve, por kujdes, sepse nuk duhet vetëm të dish se kush janë futbollistët e Romës sot, por edhe ata të skuadrave të tjera, pse jo edhe të skuadrave të së shkuarës(mendo që unë mbaj mend formacionin e Torinos në kohën kur avioni i tyre, me të gjithë lojtarët në bord, u përplas në Superga: Bacigalupo, Ballarin, Maroso etj..). Bëj gara të kujtesës, ndoshta edhe për librat që ke lexuar(kush ishte në bordin e Hispaniolas në kërkim të ishullit të thesarit> Lord Trealëney, kapiteni Smollet, doktor Levesey, Long John Silver, Jim…).

Provo njëherë nëse miqtë e tu do të kujtojnë dot se kush ishin shërbyesit e tre muskëtjerëve dhe të D’Artgnan(Grimaud, Bazin, Mousqueton dhe Planchet)..Dhe nëse nuk do duash të lexosh “Tre muskëtjerët(dhe nuk e merr me mend se çfarë do kesh humbur) atëhëre bëje, ku di unë, me një nga historitë që ke lexuar. Duket një lojë(dhe është e tillë) por do ta shohësh sesi koka jote do të popullohet nga personazhe, histori, kujtime të çdo lloji. Do ta kesh pyetur veten se përse dikur kompjuterët quheshin tru elektronik.

Ndodhte sepse ata konceptoheshin mbi modelin e trurit (tonë) tënd; por truri ynë kë më shumë lidhje sesa një kompjuter. Është një lloj kompjuteri që e mban me vete, që rritet dhe forcohet përmes ushtrimit, kurse kompjuteri që kë mbi tavolinë, sa më shumë e përdor aq më shumë humbet shpejtësinë e veprimeve dhe pas disa vitesh do ndërruar.

Ndërkohë që truri yt mund të zgjasë deri në 90 vjet dhe në këtë moshë(nëse do ta kesh ushtruar) do të kujtojë më shumë gjera nga ato që kujton tani. Dhe falas. Është pastaj kujtesa historike, ajo që nuk ka të bëjë me faktet e jetës tënde apo me gjërat që ke lexuar, por me ato që kanë ndodhur para se ti të lindje. Sot, nëse shkon në kinema, duhet të hysh në një orë fikse, kur filmi fillon dhe sapo fillon dikush të kap si të thuash nga dora dhe të tregon se çfarë ndodh.

Në kohët e mia mund të hyje në kinema në çdo moment, e kam fjalën edhe në mes të spektaklit, arrije aty ndërkohë që po ndodhnin disa gjëra dhe përpiqeshe të kuptoje se çfarë kishte ndodhur më parë(pastaj, kur filmi fillonte nga fillimi, kuptohej nëse ishte kuptuar çdo gjë si duhet-përveç faktit se nëse filmi na kishte pëlqyer mund të rrije ta rishikoje edhe atë pjesë që ishte parë tashmë). Ja pra, jeta është si një film i kohëve të mia.

Ne vijmë në jetë ndërkohë që shumë gjëra kanë ndodhur tashmë, prej qindra e mijëra vjetësh dhe është e rëndësishme të kuptosh atë që ka ndodhur para se ne të lindnim. Kjo për të kuptuar më mirë se përse sot ndodhin shumë gjëra të reja.

Tani, shkolla(përveç leximeve të tua personale) duhet të të mësonte të memorizoje atë që ka ndodhur përpara se ti të lindje, por shihet se ajo nuk ia arrin siç duhet kësaj gjëje, pasi shumë të hulumtime na thonë se të rinjtë e sotshëm, edhe ata të mëdhenjtë që shkojnë në universitet, nëse ta zënë kanë lindur në 1990-ën nuk e dinë(dhe ndoshta nuk duan ta dinë) se çfarë ka ndodhur në vitin 1980(dhe këtu nuk e kam fjalën për ata që ka ndodhur 500 vjet më parë). Statistikat na tregojnë se nëse i pyet disa se kush ishte Aldo Moro të përgjigjen se ishte kapua i Brigadave të Kuqe-në fakt ai u vra prej Brigadave të Kuqe.

Nuk flasim për këto të fundit, që mbeten misterioze për shumëkënd, e megjithatë ishin prezent diçka më pak sesa 30 vjet më parë. Unë kam lindur më 1932, dhjetë vjet pas ngjitjes në pushtet të fashizmit por e dija deri edhe se kush ishte kryeministri në kohën e Marshimit mbi Romë(po ky çfarë është?) Ndoshta shkolla fashiste më kishte bërë ta mësoja emrin e tij, për të më shpjeguar sesa budalla dhe i keq ishte ai ministër(“Faka zemërpula”) të cilin fashistët e kishin zëvendësuar.

Dakord, por të paktën e dija. Pastaj, të heqim shkollën mënjanë, një i ri i sotshëm nuk e di kush ishin aktorët e kinemasë të 20 vjetëve më parë, ndërkohë që unë dija kush ishte Francesca Bertini që luante në filmat pa zë 20 vjet para se unë të lindja. Ndoshta sepse shfletoja revista të vjetra të ngjeshura në dollapin e shtëpisë sonë, por pikërisht, edhe unë të ftoj të shfletosh edhe revista të vjetra sepse është një mënyrë për të mësuar se çfarë ndodhte para se ti të lindje.

Po pse është kaq e rëndësishme të dish se çfarë ka ndodhur më parë? Sepse në shumë raste, ajo që ka ndodhur të jep një shpjegim se përse disa gjëra ndodhin sot dhe në çdo rast, njësoj si për formacionet e futbollistëve, kjo është një mënyrë për për pasuruar kujtesën tonë.

Ki parasysh se këtë nuk mund ta bësh vetëm mbi librat dhe revistat, mund të bëhet shumë mirë edhe në internet. I cili duhet përdorur jo vetëm për të çatuar me miqtë e tu por edhe për të çatuar (nëse mund të shprehemi kështu) me historinë e botës. Kush ishin hititët? Po kamisardët? Dhe si quheshin tri karavelat e Kolombit? Kur u zhdukën dinosaurët? Po arka e Noes a mund të ketë patur një timon? Si quhet paraardhësi i kaut? A kishte më shumë tigra 100 vjet më parë? Çfarë ishte perandoria e Malit? Dhe kush fliste për Perandorinë e të Keqes? Kush ka qenë Papa i dytë në histori? Kur u shfaq Topolino? Mund të vazhdoja në pafundësi dhe do të ishin të gjitha aventura të bukura kërkimi.

Të gjitha këto duhen kujtuar. Do të vijë dita kur do të jesh plak dhe do të ndihesh sikur ke jetuar 1000 vjet, sepse do të jetë sikur ti të kishe qenë i pranishëm në betejën e Vaterlosë, të kesh asistuar në vrasjen e Jul Çezarit, apo të kesh qenë disa hapa larg nga vendi ku Bertoldi i quajtur i Ziu, teksa përziente substanca për të gjetur mënyrën e prodhimit të arit, gabimisht zbuloi barutin dhe hodhi veten në erë(dhe mirë iu bë). Të tjerë miq të tu, që nuk do të kenë kultivuar memorien e tyre, do të kenë jetuar një jetë të vetme, të tyren, që duhet të ketë qenë kush e di sa melankolike dhe e varfër në emocione”. /KultPlus.com

Këshillat e një gruaje të moshuar: Mos shko atje ku nuk të ftojnë…

Në këtë artikull, kemi vendosur t’ju sjellim në vëmendje disa këshilla, të konsideruara si “rregullat e edukimit të mirë”, të cilat vijnë prej një gruaje të moshuar.

Padyshim që eksperiencat në jetë të shtojnë urtësinë dhe sado intelektualë të jemi, përballë përvojave të jetës së dikujt, ne duhet të heshtim dhe t’i marrim parasysh mesazhet apo këshillat që na jepen.

Më poshtë lista me këshillat e gjyshes.

“Mos shko atje ku nuk të ftojnë. Nëse bëhen plane pa ty, është e kotë të shkosh kur të thonë në momentin e fundit. Dihet që nuk të kanë llogaritur, nuk ke pse shkon dhe u jep rëndësi.

Mos fol për gjëra që nuk i di. Sado të kesh dëgjuar nga të tjerët, nëse nuk e ke parë apo dëgjuar vetë një situatë, nuk ke si flet për të.

Mos u përfshi në gjëra që nuk të përkasin. Nëse diçka nuk ka lidhje me ty, është e mira të mos përfshihesh.

Mos e hap frigoriferin në shtëpinë e të tjerëve. Sido t’i kenë rrethanat të tjerët, nuk ke pse i vendos në siklet. Tek tjetri je mik dhe si i tillë duhet të sillesh.

Mos i telefono të tjerët pas orës 10 të darkës. Një telefonatë e vonë të trembe, ndaj mundohu ta shmangësh.

Mos shko të kërkosh dikë në orarin e drekës. Është e pahijshme, pasi sado i rëndësishëm të jetë problemi, nuk mund ta ngresh dikë nga konsumimi i ushqimit.

Mos hyr në dhomën e gjumit të të tjerëve pa leje. Nuk është etike të shkosh pa trokitur në një vend të panjohur, nuk është etike të hysh pa trokitur në një zyrë dhe aq më tepër në dhomën e gjumit të të tjerëve”.

Këto ishin rregullat e edukimit të mirë dhe vazhdojnë të jenë, sepse edukata nuk del asnjëherë nga moda. / KultPlus.com

“Fukarait askush s’i jep bukë, të gjithë i japin këshilla”

Kolonizatorë dhe sundues të Altlantikut, portugezët kanë trashëguar në breza urtësi që lidhen fuqishëm me tematika si peshkimi, paraja, premtimet, shpenzimet, respekti e këshillat.

Ne jemi të bindur se diçka mund të mësojmë prej tyre, ndaj kemi përzgjedhur perlat e mençurisë portugeze për lexuesit tanë.

Fukarait askush s’i jep bukë. Të gjithë i japin këshilla.

Mos i jep asnjëherë këshilla atij që të kërkon vetëm lekë.

Askush nuk vlen më shumë se tjetri nëse nuk prodhon më shumë se tjetri.

Dembelia nuk ka rritur kurrë fëmijë të mirë.

Ilaçi i nesërm nuk do ta shërojë sëmundjen e sotme.

I sigurti vdiq, i kujdesshmi i shkon në mort.

Kush ka katër dhe shpenzon pesë, nuk ka nevojë për kuletë.

Kush nuk ka bukë, të mos mbajë qen.

Ligji punon ashtu siç dëshiron paraja.

Më së shumti premtojnë ata të cilët s’kanë ç’ka të japin.

Mëso duke qarë dhe do të fitosh duke qeshur.

Më shumë të hidhëron premtimi mashtrues, sesa një refuzim mohues.

Mos i zër besë një dere me shumë çelësa.

Ndershmëria dhe interesi i përfitimit nuk hyjnë në një thes.

Fjala e thënë, rasti i humbur dhe koha e ikur në jetë nuk ndodh t’i kthehen pronarit.

Pasurimi i pamerituar sjell djallin në shtëpi.

Qeni leh keq, kur leh nga frika.

Ta kesh mjekun e keq, është më keq se vetë sëmundja.

A do të jetë hija e drejtë në qoftë se druri është i shtrembër?

Ankimi i varfanjakut arrin deri në kupë të qiellit, por jo edhe në veshë të njerëzve.

Ji pluhur aty ku shkel nëna jote, parajsa ndodhet nën këmbët e saj.

Këshilla që jepet para botës është sharje.

Këshilloje të marrin dhe do të të llogarisë si armikun e tij.

Kush s’di dhe nuk e di që s’di, është budalla: mos iu afro; kush nuk di dhe e di që s’di, është i paditur: mësoje; kush di dhe nuk di që di, është i fjetur: zgjoje; kush di dhe e di që di, është i mençur: dëgjoje.

Më parë mendo daljen, pastaj hyrjen.

Në dashuri s’ka këshilltar.

Nëna e një të vrari edhe fle, por nuk fle nëna e vrasësit.

Nëse më mashtron një herë, atëherë ti je fajtor, por nëse më mashtron edhe për herë të dytë, atëherë vetë jam fajtor.

Njeriu i ngjan pemës, njerëzit e rrethojnë sa është e mbuluar me fruta, por, posa t’i bien frutat, njerëzit shpërndahen të gjejnë një pemë më të mirë.

Njeriu që nuk interesohet të mësojë prejardhjen e prindërve dhe të farefisit të vet, i përngjan një majmuni të humbur në xhungël.

Njeriu që nuk ka qenë kurrë i sëmurë, nuk mund të jetë mjek i mirë.

Proverbi për të folurit është si kripa për gjellën.

Pushimin shtyje për nesër, jo punën.

Bëj sikur je i ditur, por mëso edhe si të dukesh injorant.

Kam me tepri mollë e dardha, por zemra më lakmon ftoin.

Ka fjalë të cilat edhe me shumë mjaltë, nuk mund t’i përpish.

Kërkon gomarin dhe është mbi të i hipur.

Më mirë të humbasësh një sy se emrin e mirë.

Pasuria zbulon cilësitë e këqija që fsheh varfëria.

Peshqit zihen me grep, ndërsa njerëzit me fjalë.

Po të ishte dituria në mjekër, të gjithë cjepërit do të ishin profetë.

S’fillohet agjërimi me bakllava në dorë. / KultPlus.com

Këshilla për një poet të ri: Si të përdoret ironia

Përktheu Rrona Jaka

Viarexho afër Pisës (Itali), 05 prill 1903

Duhet të më falësh, i nderuar zotëri, që veç sot gjeta kohë t’i përgjigjem letres tënde të 24 shkurtit: nuk kam qenë mirë nga shëndeti, jo saktësisht i sëmurë, por më ka kapur një plogështi, një si grip dhe më ka lënë të paaftë për të bërë ndonjë gjë. Dhe në fund, kur gjithçka dështoi, m’u desht të udhëtoja në portin jugor, efektet benificiale të të cilit më kanë ndihmuar ta kaloj kohën. Por ende nuk jam krejt mirë, e shkruara është e vështirë, prandaj duhet t’i marrësh këto pak fjali sikur të kishte më shumë prej tyre.  Fillimisht dua ta dish se çdo letër nga ti, gjithmonë është kënaqësi, ti vetëm duhet të kuptosh sa u përket përgjigjeve, të cilat mbase, do të të lënë me duar të boshatisura; se fundi fundit, dhe sidomos në gjërat më të rëndësishme e më të thella, jemi tmerrsisht të vetmuar, dhe për një person të jetë në gjendje ta këshillojë, lëre më ta ndihmojë një tjetër, duhet të ndodhë një marrëveshje e madhe, një marrëveshje e madhe dhe e përbashkët, një konstalacion i tërë duhet të bijnë në ujdi që ajo të mund të realizohet sado pak. Ka veç dy çështje për të cilat doja të flisja me ty:

Ironia: mos e ler të të kontrollojë, veçanërisht në momentet jokreative. Në rastet kreative provo ta fusësh në përdorim si një mjet tjetër për ta kuptuar jetën. E përdorur me vend, e pastër siç është, nuk ka nevojë t’i turpërohesh pranisë së saj; dhe nëse ndjehesh shumë i afërt me të, nëse ke frikë që po të rritet intimiteti me të, atëherë kthehu te temat e mëdha dhe serioze, në raport me të cilat ironia bëhet e vogël dhe e padobishme. Kërkoje thelbin e gjërave: ironia kurrë s’mbërrin deri aty – e nëse rastësisht gjatë kësaj përballeni me diçka të jashtëzakonshme, zbuloni nëse kjo mënyrë e lidhjes me gjëra buron nga pjesa e domosdoshme e qenies njerëzore. Ngaqë nën peshën e temave serioze, ironia, ose zhduket (nëse është diçka e rastësishme) ose në të kundërtën (nesë vërtet të përket ty në formen amtare) merr forcë dhe kështu bëhet një mjet serioz duke zënë vendin e saj mes elementeve me të cilat je i detyruar ta krijosh artin tënd.

Dhe gjëja tjetër për të cilën doja të të flisja sot, është kjo: Mes gjithë librave që zotëroj, ka vetëm disa pa të cilët nuk mund të funksionoj, dy prej tyre i kam gjithmonë me vete, kudo që jam. I kam marrë me vete edhe tash: Biblën dhe librin e jashtëzakonshëm të shkrimtarit danez Jens Peter Jacobsen. Pyes veten nëse e njeh punën e tij. Janë të lehta për t’u gjetuar, sepse një numër i madh janë në dispozicion e të përkthyera mirë në Biblioteken Universale të Reclam-it. Mundohu të gjesh volumin e vogël “Gjashtë novelat” nga J.P. Jacobsen, dhe novelën e tij “Niels Lyhne” e filloje me tregimin e parë të këtij volumi i cili titullohet “Mogens”.  Do pushtohesh nga një botë e tërë gëzimi, nga madhështia e pakuptueshme e një bote të re. Jeto për një kohë me këto libra, mëso nga ta ato që vlen të mësohen, por mbi të gjitha duaji. Kjo dashuri do të të rikthehet mijëra e mijëra herë, dhe pavarësisht se ku të çon jeta, kjo dashuri, jam shumë i sigurtë, do të lundrojë përmes thurjeve të qenësisë tënde si një nga temat më të rëndësishme e gjithë përvojës, zhgënjimeve dhe gëzimeve tua.  

Nëse më duhet ta them se nga kush kam mësuar ndonjë gjë mbi natyrën e krijimit artistik, mbi thellësinë dhe përjetësinë e saj, ka vetëm dy emra që mund t’i jap: të J. P. Jacobsen-it, poetit të madh, dhe të Auguste Rodin-it, skulptorit që nuk i afrohet askush nga artistët e gjallë sot.

Gjitha sukseset në rrugën tënde!

Juaji,

Rainer Maria Rilke

Rrona Jaka/ KultPlus.com

6 këshilla që ju ndihmojnë të shkruani sipas John Stainbeck

John Stainbeck është fitues i çmimit “Pulitzer” dhe “Nobel” për letërsinë.

Në një nga letrat e përfshira në librin “Stainbeck : një jetë mes letrash” të shkrimtarit dhe aktorit Robert Wallsten , ndër të tjera ai paraqet gjashtë këshilla që sipas tij ndihmojnë në një proçes të suksesshëm të të shkruarit.

Harrojeni mendimin apo frikën se nëse do ta përfundoni ndonjëherë punën tuaj dhe hiqni dorë nga ideja e të shkruarit 400 faqe në një kohë të shkurtër . Të shkruash nga një faqe për çdo ditë ndihmon më tepër dhe do të surprizoheni kur të përfundoni.

Hidhni gjithçka në letër duke shkruar lirshëm dhe sa më shpejt të jetë e mundur . Mos korrigjoni dhe rishkruani asgjë deri në momentin që i gjithë proçesi të përfundojë. Rishkrimi në moment ,zakonisht bëhet shkak për humbjen e besimit në punën tuaj ,çka me shumë mundësi do të sillte ndërprerjen e saj. Rishkrimi gjithashtu ndërhyn në rrjedhën dhe ritmin që vjen si shkak i një lidhjeje të pandërgjegjshme me materialin .

Harrojeni idenë e “audiencës” tuaj anonime që në radhë të parë do tju friksojë dhe në radhë të dytë,ndryshe nga teatri, këtu nuk egziston. Kur shkruani ,audienca juaj është një lexues i vetëm . Do të shtoja se ndonjëherë është mirë t’i drejtoheni një personi real ose imagjinar .

Nëse mendoni se një pjesë apo frazë kërkon më shumë punë,kalojeni dhe vazhdoni më tej. Kur të përfundoni mund t’i riktheheni dhe me siguri duhet ta keni gjetur arsyen e ngecjes ,ose do të arsyetoni se është më mirë të shmanget.

Kujdes me ngjarjet tuaja më të dashura . Ndonjeherë mund të zgjateni më tepër nga sa është e nevojshme dhe mund ta ngarkojë më shumë nga çduhet rrëfimin. Kjo do të sillte prishje të linearitetit apo harmonisë me të cilën lidhen pjesët .

Nëse do të përdorni dialogë , kujdesuni që t’i thoni me zë të lartë teksa shkruani . Vetëm kështu mund ta përçoni idenë e bashkëbisedimit./KultPlus.com

Pesë këshilla se si ta keni në dorë një libër të mirë

Me siguri ju ka ndodhur edhe juve. Keni shkuar për të blerë një libër në librari, apo për ta porositur në bibliotekë dhe në fund jeni zhgënjyer prej tij. Thuhet se nuk ka libër “të keq”. Ka dhe po shtohen dita-ditës.

Komercializmi i tepruar me reklama të shumta dhe vetë ekonomia kapitaliste bëjnë që sot të vlerësohen edhe vepra jo cilësore. Shumica e librave të rinj e kanë nga një mangësi. Njëri mund të mos ketë fjalor të pasur, një tjetër nuk është i shkruar me një strukturë të rregullt, ndërsa një tjetër mund të mos përcjellë asnjë ndjesi teksa e lexon, shkruan Bota.al. Ka dhe plot arsye të tjera, ndaj ju japim këto këshilla për të zgjedhur një libër që nuk do ta hiqni dot nga duart, derisa ta përfundoni së lexuari.

Së pari, mos u gënjeni nga titulli. Vlen vërtet ajo thënia popullore “Mos e gjyko një libër nga kopertina”, pasi ndodh vërtet që një libër mund të të tërheqë shumë nga kopertina dhe titulli, ndërkohë që mund të mos ketë atë çfarë ti kërkon tek një vepër letrare. Mbi të gjitha, ne jetojmë në një kohë kur e vetmja përshtypje që mund t’i bëjmë të tjerëve, janë titujt. Nuk mundemi dot t’i flasim dikujt për të lexuar diçka në mënyrë tjetër, përveçse duke e nxitur nga titulli. Ju e vini re edhe vetë, shumica e portaleve fitojnë vetëm në sajë të titujve. Mjafton të vendosësh një titull provokues, apo intrigues dhe të gjithë do ta klikojnë e do ta lexojnë materialin. Në fund, normalisht do të zhgënjehen, pasi në shumicën e rasateve titulli as që lidhet me përmbajtjen. E njëjta gjë vlen edhe me librat. Autorët zgjedhin tituj të veçantë që libri të blihet prej lexuesit. Mirë është që të mos nxiteni nga kureshtja juaj dhe ta blini një libër thjesht nga titulli apo nga kopertina e bukur.

Së dyti, pyesni shitësit e librarive, punonjësit e bibliotekave apo miqtë tuaj. Ata përgjithësisht janë lexues të rregullt dhe mund t’ju sugjerojnë libra vërtet të mirë, bazuar në shijet tuaja. Mjafton të shkoni, t’i tregoni se çfarë kërkoni në një libër dhe ata do t’ju ndihmojnë. Ndërkohë mund të pyesni edhe miqtë tuaj. Ndonjë prej tyre mund të jetë lexues i rregullt dhe duke e njohur më mirë karakterin tuaj, ata mund t’ju sugjerojnë libra vërtet të mirë, që edhe atyre u kanë bërë përshtypje gjatë leximit.

Së treti, kërkoni për tituj librash edhe në internet. Ndoshta nuk e besoni që në internet mund të gjeni sugjerime vërtet të mira. Edhe unë nuk e besoja, për aq kohë sa shumë persona në rrjetet sociale nuk dinë as të shkruajnë siç duhet. Por nuk është gjithmonë kështu. Ka plot site të huaj që shkruajnë për vepra të ndryshme dhe më poshtë mund të lexoni komente nga lexues të ndryshëm. Lexojini me vëmendje komentet e tyre dhe duke pasur parasysh çfarë kërkoni ju në një libër, mund të merrni këshillat që ju nevojiten për zgjedhjen që do të bëni.

Së katërti, qëndroni besnikë shijeve tuaja. Shpesh kur vendosim të lexojmë një autor të ri, apo një drejtim të ri letrar, zhgënjehemi. Kjo ndodh sepse shpesh nuk e gjejmë veten në këto risi, si dhe për faktin që jemi mësuar me një rrymë të caktuar letrare. Unë di t’ju them me siguri që shumica e veprave dhe autorëve të rinj (jo të gjithë), nuk sjellin ndonjë risi në letërsi, apo diçka të re për lexuesin, ndaj qëndrimi tek veprat klasike, letërsia ruse, autorët e brezit të humbur etj. janë gjithmonë një zgjedhje perfekte. Nuk keni për t’u zhgënjyer prej tyre.

Së pesti, mos u gënjeni nga reklamat dhe vlerësimet e shumta që u bëhen veprave në televizione, apo në masmedia. Keni dëgjuar ndonjëherë të flitet kohët e fundit për “Ana Karenina” të Tolstoit, apo për “Krim dhe ndëshkim” të Dostojevskit apo për shumë kryevepra botërore? Jo. Kjo ndodh sepse çdo shtëpi botuese flet për veprat e reja, sepse normalisht përbën një biznes dhe kërkon fitimin e vet. Ndaj, nga “zmadhime” të tilla në massmedia, mos u gënjeni. Ndiqni edhe këshillat e mësipërme dhe nuk keni për të shpenzuar për një libër, nga i cili në fund do të zhgënjeheni. / KultPlus.com

Këshillat e Bukowskit për një shkrimtar të ri

Charles Bukowski

Nëse nuk të vjen si një shpërthim nga brendësia
pa marrë parasysh asgjë,
mos e bëj atë punë!
Nëse nuk të vjen pa të pyetur fare
nga thellësi e zemrës, mendjes, gojës
rropullive të tua
mos e bëj !
Nëse do të të duhet të ulesh
e të qëndrosh me sytë ngulur për orë të tëra
mbi ekranin e kompjuterit
apo përkulur mbi makinën e shkrimit
duke kërkuar fjalën e duhur,
kjo nuk është punë për ty !.
Nëse do e bësh për para apo për famë,
lëre atë punë.
Nëse do e bësh
për të pasur gra në shtratin tënd,
as mos mendo të shkruash !
Nëse do të të duhet të ulesh mbi të
e ta shkruash dhe ta shkruash dhe ta rishkruash përsëri,
më mirë lëre atë punë.
Nëse të duket e vështirë
vetëm duke e menduar,
mos e bëj!
Nëse përpiqesh të shkruash si dikush tjetër,
mos u merr fare me të shkruarën.
Nëse ulesh aty
dhe pret që shkrimi të gjëmojë jashtë teje
dhe pret e pret dhe ai nuk del,
merru më mirë me diçka tjetër.
Nëse shkruan që sëpari t’ia lexosh të dashurës ,
të dashurit, gruas apo prindërve
ose një tjeter njeriu kushdoqoftë
ti nuk je akoma gati.
Mos u bëj si shumë shkrimtarë,
si mijera njerëz që e quajnë veten shkrimtarë
mos u bëj i zymtë, i mërzitshëm
dhe i shtirur,
mos u konsumo duke dashuruar vetveten
Bibliotekat e botës gogësijnë përgjumshëm
mbi tipa të këtij lloji.
Mos i shto ata më shumë.
Mos u merr fare me atë punë.
Për sa kohë që nuk të ka shpërthyer
nga thellësia e shpirtit tënd
si një raketë,
për sa kohë që
të qëndruarit indiferent karshi saj
nuk të bëjnë të çmëndesh apo të vrasësh veten
a dikë tjetër,
mos u merr me atë punë !
Për sa kohë që dielli brenda teje
nuk t’i ka djegur akoma rropullitë
mos e bëj .
Kur vërtet të jete koha
dhe nëse je ti ai i zgjedhuri,
ajo do të ndodhë vetë
Dhe do të vazhdojë e do të vazhdojë
derisa të vdesësh ose derisa
ajo të vdesë brenda teje.
Nuk ka asnjë mënyrë tjetër
dhe kurrë nuk ka pasur.

Përkthyer nga Kamomila