Reagon menaxhmenti i UP-së për emërimin e pesë anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së

Pas emërimit të pesë anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së: Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi, Azem Hajdari, Arian Krasniqi dhe Naser Kabashi, pati reagime të shumëta. Për këtë rast ka reaguar sot menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës “Hasa Prishtina”.

KultPlus ju sjell reagimin e plotë:

Pas shqetësimit të madh në opinion dhe interesimit të vazhdueshëm nga ana e medieve lidhur me procesin e zgjedhjes së pesë anëtarëve të Këshillit Drejtues nga ana e Senatit, menaxhmenti i Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” njofton opinionin si vijon:

Procesi zgjedhor, në aspektin teknik, është zhvilluar sipas procedurave. Kontestimet fillestare janë ngritur në aspektin e të drejtës së senatorëve studentë, të cilët duhet të jenë pjesë e këtij votimi, përkatësisht nëse pjesë e këtij procesi duhet të jenë senatorët studentë të cilët kanë mandat deri më 30 shtator, apo senatorët studentë të cilët e kanë shumicën në Parlamentin e ri të dalë nga zgjedhjet studentore të organizuara këtë muaj. Bazuar në interpretimin e U.D. Sekretarit, person përgjegjës për interpretimin e rregullores së Këshillit Drejtues për zgjedhjet studentore, në proces të votimit duhet të marrin pjesë studentët e deleguar nga Parlamenti i ri Studentor.

Ekziston bindje e thellë në opinion dhe në mesin e njohësve të proceseve të tilla, që legaliteti i senatorëve studentë pjesëmarrës në votim është i kontestueshëm. Menaxhmenti i UP-së, ka kërkuar para mbajtjes së zgjedhjeve, një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit Drejtues për funksionalizimin e komisionit statutar me qëllim të interpretimit meritor të situatës së krijuar. Menaxhmenti i UP-së po ashtu, një ditë para organizimit të zgjedhjeve, ka ftuar një takim të jashtëzakonshëm të Senatit për ta diskutuar këtë çështje, edhe pse Senati nuk është instancë kompetente për dhënien e një interpretimi përkatës. Në pamundësi të takimit të Këshillit Drejtues, rrjedhimisht në mungesë të interpretimit nga ana e komisionit statutar, zgjedhjet për anëtar të rinj të Këshillit Drejtues janë organizuar bazuar në interpretimin e U.D. Sekretarit.

Nga procesi zgjedhor ka rezultuar një përbërje e KD-së e cila ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik lidhur me integritetin dhe kredencialet akademike të një pjesë të kandidatëve të zgjedhur, por po ashtu edhe për faktin e një përfaqësim jo adekuat gjinor. Menaxhmenti i UP-së siguron opinionin publik se në raport me të drejtën e votimit të senatorëve studentë është tërësisht neutral dhe do të bashkëpunoj me të gjitha palët dhe autoritetet kompetente për adresimin e kësaj situate. / KultPlus.com

More Raça zgjidhet Kryetare e Këshillit Drejtues të QKK-së

Pas emërimit te antarëve të këshillit drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Hajrulla Çeku, dje, në mbledhjen e parë të këshillit të përbërë nga Besim Ugzmajli, Xhejlane Terbunja, Bislim Bislimi (përfaqësues i MKRS-së), Luan Daka, More Raça është përzgjedhur si Kryetare e Këshillit Drejtues, përcjell KultPlus.

Lajmi u bë i ditur nga vetë regjisorja, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, përmes të cilit Raça thekson se ajo sëbashku me kolegët e saj, qysh në takimin e parë janë zotuar se do të punojnë me seriozitetin më të madh për të siguruar mbarëvajtjen e punës së këtij institucioni.

”Do të shqyrtojmë me vëmendje dhe kujdes të madh të gjitha veprimet e derimëtashme të QKK-së, dhe do të punojmë për të krijuar një ambient të shëndosh, ku mbi të gjitha do të respektohet ligji dhe ku do të ketë mundësi të barabarta për secilin kineast”, ka theksuar ndër të tjera Raça. / KultPlus.com

Përzgjedhen tre kandidatët për anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH-së

 Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot seancën dëgjimore me Gentian Salën, kryetarin e AMA-s mbi raportin për veprimtarinë 1-vjeçare të institucionit për vitin 2019 si dhe përzgjodhi 3 kandidatët, për anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH-së.

Gentian Sala, kryetari i AMA-s, raportoi mbi veprimtarinë e institucionit që ai drejton, dixhitalizimin si dhe punën e bërë në këtë institucion prej një viti, por dhe problematikat e hasura.

“Aktualisht AMA ka 39 kanale pa pagesë, një shifër kjo që nuk e kemi parë në asnjë vend të rajonit por dhe Europës Juglindore. Kemi zhvilluar një fushatë sensibilizimi, mbi dixhitalizimin e operatorëve dhe një sërë ekranesh të reja janë futur në treg, si Euro News Albania, A2 News.

Gjatë vitit 2019, në zbatim të ndërgjegjësimit kemi realizuar spote të ndryshme, në portale, televizione apo radio. Planifikimi i frekuencave është më mirë se çdo vit tjetër. Sigurisht që ka vend për përmirësime të mëtejshme”, u shpreh kreu i AMA-s.

Vilma Bello, deputete dhe njëkohësisht relatore në këtë komision, u shpreh në lidhje me ecurinë e AMA-s jo vetëm në 2019, por dhe më tej.

“Raporti i përgatitur bën monitorimin e të gjitha medieve në Shqipëri. Ky raport respekton detyrimet ligjore, pasi është hartur në bazë të ligjeve. Kalimi nga transmetimet analoge në transmetimet numerike, përmbushjes së rekomandimeve bazë të Integrimit Europian, dhe Kuvendit të Shqipërisë, ka qenë një punë për tu përgëzuar, punë e mirë e bërë në një vit, duke parë dhe numrin e shtuar të ankesave gjë që tregon se ky institucion ka arritur besim tek publiku”, u shpreh Bello.

Pas diskutimeve të shumta, Sala iu përgjigj pyetjeve të drejtuara, nga anëtarët e këtij komisioni, të cilat kishin të bënin me problematikat, ankesat apo çështjet gjyqësore në këtë institucion.

Komisioni vijoi me miratimin e marrjes së vendimit për shpalljen e dy vendeve vakante në KDRTSH-së.

Në fund të seancës komisioni vijoi rendin e ditës, me procesin e plotësimit së 3 vendeve vakante për anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH-së, pas seancave dëgjimore të zhvilluara me të gjithë kandidatët në mbledhjen e datës 05.06.2020.

Sot në mbledhjen e radhës u vijua me procedurën e përzgjedhjes së 3 kandidatëve që do t’i dërgohen seancës plenare për votim. Për arsye të ruajtjes së etikës gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve, komisioni bazuar në nenin 35 pika 2 të Rregullores së Kuvendit, vendosi që kjo pjesë e mbledhjes të zhvillohej me dyer të mbyllura.

Në përfundim të shqyrtimit, komisioni përzgjodhi kandidatët: Genc Përmeti, Ilir Keko dhe Dionis Papadhimitri, të cilët do t’i dërgohen seancës plenare për votim./atsh/ KultPlus.com

Këshilli Drejtues i TKK-së del me një rekomandim në lidhje me grevën

Këshilli Drejtues i Teatri Kombëtar të Kosovës ju ka rekomanduar daljen nga greva punonjësve të teatrit, shkruan KultPlus.

Performuesit e Institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës si: Teatri Kombëtar i Kosovës, Filharmonia e Kosovës dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, ditë më parë kanë anuluar çdo aktivitet të tyre deri në ngritjen e pagës komfor rregullores.

Mirëpo Këshilli Drejtues i Teatri Kombëtar të Kosovës edhe pse e konsideron grevën demokratike, ka rekomanduar daljen nga greva duke u arsyetuar se qytetarët nuk duhet të zhgënjehen në mungesë të aktiviteteve dhe shfaqjeve të Teatrit.

Sipas tyre punonjësit e Teatrit duhet që të kenë besim në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe në Këshillin Drejtues se do të angazhohen për t’i realizuar premtimet e dhëna.

Më poshtë mund të lexoni vendimin e plotë:

Këshilli drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës ëhstë duke i parë më shqetësim gjitha kërkesat e punonjësve të teatrit. Kërkesat e aktorëve i kemi parë si të arsyeshme dhe si të tilla janë analizuar dhe shqyrtuar nga ne.

Ministri i Kulturës, z. Gashi në takimin tonë që e kishim, më 28.08.2018 është zotuar se do t’i bëjë të gjitha përpjekjet që Rregullorja për Pagat dhe Gradat e Krijuesve, Performuesëve dhe Punonjësve Profesional të Trashëgimisë Kulturore, të kalojë në Qeverinë e Kosovës dhe të realizojë premtimin e dhënë. Këshilli drejtues i TKK-së beson fuqishëm në premtimet e dhënë nga z. Gashi.

Greva është demokratike, por në këtë rast KD-ja e TKK-së rekomandon dalje nga greva dhe normalizim të punëve. Qytetarët nuk duhet të zhgënjehen në mungesë të aktiviteteve dhe shfaqjeve të Teatrit.

Në ju bëjmë thirrje për të dalë nga greva për t’i filluar punët, por edhe njëherazi të kemi besim në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, gjithashtu të kemi besim edhe në angazhimin tonë si Këshill drejtues , se do të angazhohemi për t’i realizuar premtimet e dhëna, të cilat janë meritore për ju./ KutlPlus.com

Galeria Kombëtare e Kosovës me këshill të ri drejtues

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi këtë muaj ka emëruar këshillin e ri drejtues në Galerinë Kombëtare të Kosovës duke ndërprerë kështu mandatin katërvjeçar të këshillit të deritanishëm, shkruan KultPlus.

Sipas këtij vendimi përbërja e këshillit të ri përfshin Zake Prelvukajn, piktore, Driton Axhanin, Xhevdet Pantinan, piktor, Malbora Krajkun, klarinetiste, Arjeta Miftarin, skulptore, Enver Hoxhan, piktor dhe Arlinda Hajrullahun si përfaqësuese e MKRS-së, ndërsa do të mbesin pa i përfunduar edhe dy vite të mandatit të tyre ish-anëtarët Esat Valla (piktor), Nexhat Krasniqin-Nekrën (karikaturist), Ismet Jonuzin (skulptor), Afrim Spahiu (drejtor fotografie), Adriana Marku-Sedaj (skulptore), Luan Shllaku (nga shoqëria civile) e Kimete Berisha, përfaqësuese e MKRS-së./ KultPlus.com