Britania e Madhe: Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës

Kosova duhet të lejohet të ecë përpara me anëtarësimin në Këshillin e Evropës, tha përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, John Howell, në seancën e Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate ndërkombëtare.

Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, me seli në Strasburg të Francës.

Në një debat të mbajtur me iniciativën e Britanisë së Madhe në selinë e Këshillit të Evropës, Howell kërkoi që çështja e anëtarësimit të Kosovës të ndahet nga progresi në dialogun e Kosovës me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian (BE).

“Kosova nuk duhet të mbahet peng në raport me progresin në dialogun e udhëhequr nga BE-ja. Duhet të tregojmë se Këshilli i Evropës është i ndarë nga Bashkimi Evropian dhe se ka vlerat dhe parimet e veta mbi bazën e të cilave sillen vendimet”, tha Howell në fjalën e tij.

Gjatë seancës, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia mbështetën anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa Serbia u bëri thirrje anëtarëve që ta refuzojnë kërkesën e Kosovës.

Kosova e ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në maj të vitit 2022.

Serbia e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në institucione dhe organizata të tjera ndërkombëtare dhe në mënyrë aktive është duke bërë fushatë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Në këtë fushatë, Serbia ka aleate Rusinë, e cila u përjashtua nga Këshilli i Evropës në mars të vitit 2022, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Pa Rusinë, dy të tretat e shteteve anëtare të asaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

Nëse merret parasysh se vendimet sillen me shumicën e votave të shteteve anëtare, mundësia që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës është reale.

Gjatë debatit, anëtarët e Asamblesë së Këshillit të Evropës shprehën shqetësimin për tensionet në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe rolin e Rusisë dhe presidentit të saj Vladimir Putin në këtë situatë.

“Nëse është kështu, ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe të ndërmarrim hapa konkretë”, tha përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, John Howell. /REL/ KultPlus.com

Rama në Këshillin e Evropës: Është Republika e Kosovës, kështu duhet t’iu drejtoheni

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka nisur fjalimin e tij në Asamblenë e Këshillit të Evropës.

Ai ka thënë se nuk është aty për të folur vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën, pasi konsideron se janë të lidhura si shpirti me trupin.

“Jam këtu të flas. Kthimi i historisë nga konflikti në bashkëpunim kërkon vullnet dhe besim të ndërsjellë edhe midis institucioneve ndërkombëtare. Nëse ato dështojnë të sjellin drejtësi, atëherë kjo kalon tragjedinë personale”, është shprehur Rama.

“Shqipëria vazhdon ta ndërtojë të ardhmen me trashëgiminë e së kaluarës. Serbia tani është një partner I rëndësishëm brenda Ballkanit të Hapur. Evropa për ne është projekt ekzistencial. Historia nuk ka qenë e kujdesshme me ne, nuk kemi mundur që të zgjedhim se ku përkasim”.

Në fjalën e tij Rama e ka përmendur edhe Kosovën, duke kërkuar që të mos i drejtohen me “Kosovo”

“Është Republika e Kosovës. Nuk është kurrë vonë për të përmirësuar gabimet. Sikur Ukraina sot, Republika e Kosovës është përballur pak dekada më parë. Ka përpjekje që të tërhiqen paralele midis Krimesë dhe Republikës së Kosovës, cka është e paqëndrueshme”. /KultPlus.com

Kosova do të aplikojë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës

Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Burimet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se aplikacioni është i gatshëm dhe se aplikimi do të bëhet së shpejti, me siguri të enjten.

Mundësinë e aplikimit të Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës e ka përmendur të mërkurën ne Bruksel presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, duke shtuar se me këtë, Kosova po e shkel Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Uashingtonit.

Përpara darkës joformale të organizuar nga Shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor të mërkurën, më 11 maj, Vuçiq tha se “është e qartë se disa njerëz po punojnë për të destabilizuar të gjithë rajonin dhe Serbinë”.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg.

Këshilli i Evropës mbron lirinë e shprehjes dhe të medias, barazinë dhe mbrojtjen e pakicave. Këshilli ka inicuar fushata për çështje si mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtat e romëve, pakicës më të madhe në Evropë. Po ashtu ka zhvilluar fushata për mbrojtje nga gjuha e urrejtjes në internet.

Këshilli i Evropës ndihmon vendet anëtare të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin dhe të ndërmarrin reforma të nevojshme gjyqësore.

Nga kjo organizate është përjashtuar Rusia se fundmi.

Mundësia për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës u hap me dëbimin e Rusisë nga kjo organizatë.

Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës. Duke qenë se vendimet në merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale. /REL / KultPlus.com

Federata Ruse përjashtohet nga Këshilli i Evropës

Federata Ruse sot është përjashtuar nga Këshilli i Evropës, sipas një procedure që nisi me 25 shkurt, vetëm një ditë pasi filloi pushtimi i Ukrainës me ndërhyrje ushtarake.

Ish-kryeministri suedez, Carl Bildt, në hapësirën e tij virtuale në Twitter, ka publikuar fotografinë nga momentet kur është hequr flamuri rus nga mesi i flamujve të shteteve anëtare të KE-së.

“Flamuri rus u hoq në Strasburg. Një epokë shprese në Evropë mori fund edhe zyrtarisht”, ka shkruar ai në mbishkrimin e fotografisë. / KultPlus.com

Kryeministri ukrainas bën thirrje për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i Evropës

Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal tha se Ukraina është në zjarr ndërsa kërkoi që Rusia të përjashtohej nga Këshilli i Evropës.

“Për 18 ditët e fundit bota më në fund hapi sytë,” tha Shmyhal, duke iu referuar veprimeve ruse në Ukrainë.

Tiny Kox, president i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, tha se këshilli do të shqyrtojë nëse për herë të parë në historinë moderne një shtet anëtar mund të përjashtohet.

Kox tha se pasojat e pushtimit të ushtrisë ruse do të debatohen në orët e ardhshme dhe të martën.

Federata Ruse u bë shteti i 39’të anëtar i Këshillit të Evropës më 28 shkurt 1996, sipas faqes së internetit të Këshillit të Evropës.

“Më 25 shkurt 2022, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës vendosi të pezullojë Federatën Ruse nga e drejta e përfaqësimit në Komitetin e Ministrave dhe në Asamblenë Parlamentare, në përputhje me nenin 8 të Statutit të Këshillit të Evropës.”, shton faqja e internetit. / KultPlus.com

Rusia nuk do të jetë më pjesë e Këshillit të Evropës

Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se ata nuk do të marrin pjesë më në Këshillin e Evropës, organizatën kryesore të të drejtave të njeriut, e themeluar pas Luftës së Dytë Botërore.

Kremlini tha se anëtarët e NATO-s po minonin Këshillin e Evropës të krijuar për të mbështetur të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë. Në realitet, marrëdhënia e Rusisë me Këshillin e Evropës ka qenë gjithmonë e shënjuar me kontrontime, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Rusia iu bashkua Këshillit të Evropës në vitin 1996, pas një aplikimi të Boris Jelcinit si pjesë e një përpjekjeje për të përfshirë tranzicionin e vendit drejt demokracisë. Por kontradiktat kanë qenë të dukshme gjatë gjithë kohës. Disa sugjerojnë se anëtarësimi i Rusisë në organin prej 47 vendesh e ka delegjitimuar atë.

Të drejtat e përfaqësimit të Rusisë u pezulluan më 25 shkurt – një ditë pas pushtimit të Ukrainës. Dhe ata u pezulluan më parë në 2001, pas luftës së dytë çeçene, dhe në 2014 kur Vladimir Putin pushtoi Krimenë./ KultPlus.com

Jelica Miniq: Serbia tashmë ka hyrë thellë në ujëra të rrezikshëm

Reagimi mjaft i mprehtë i dy raportuesve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Serbinë, Pierre Fassin dhe Ian Lidel-Granger, tregon se ata janë të “tmerruar” nga ajo që po ndodh rreth muralit të Ratko Mlladiqit në qendër të Beogradit. “Një shoqëri demokratike nuk mund të jetojë në një mohim të krimeve të luftës dhe në një kulturë të urrejtjes dhe mosndëshkimit. Prandaj, ne u bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të tregojnë gatishmërinë e tyre për të luftuar me vendosmëri kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe të fshijnë pa vonesë muralet që lavdërojnë kriminelët e luftës”, thuhet në mesazh.

Jelica Miniq, kryetare e Lëvizjes Evropiane në Serbi u bëri thirrje autoriteteve serbe që ta heqin muralin në Beograd me imazhin e kriminelit Ratko Mlladiq dhe të ndërmarrin “veprime të forta” kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës, raporton gazeta serbe Danas.

Miniq vëren se ky është vetëm një nga një sërë mesazhesh që “arritën me këtë rast nga adresat që ne pretendojmë se janë të rëndësishme për ne”.

“Tashmë më 11 nëntor, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Ana Pisonero, theksoi se qëndrimi i BE-së është i prerë dhe i qartë. Ajo tha se një vend që aspiron anëtarësimin në BE pritet të përafrohet me vlerat thelbësore të BE-së – sundimin e ligjit, demokracinë dhe drejtësinë. Kjo sigurisht nuk përfshin glorifikimin e kriminelëve të luftës, mohimin e krimeve të luftës dhe mungesën e vullnetit për t’u pajtuar, gjë që u shfaq në rastin e muralit. Më pas, kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuel Ziofre, foli më 12 nëntor, në një bisedë me ministrin e Brenshëm, Aleksandar Vulin, duke përsëritur se BE-ja ka qëndrim të qartë dhe të vendosur për tejkalimin e të kaluarës dhe mosglorifikim e kriminelëve të luftës”, tha ajo.

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane në Serbi rikujton se ambasada amerikane tha se nuk shohin asgjë të ndershme në mbajtjen e muralit të një krimineli lufte dhe se “shpresojnë që Serbia të fokusohet në një të ardhme më të ndritshme dhe më gjithëpërfshirëse”.

“Nëntë eurodeputetë nga të Gjelbrit dhe Socialdemokratët reaguan gjithashtu me një mesazh shumë të qartë se është e papranueshme që një vend kandidat të anëtarësohet në BE, ta vendos policinë e tij për ta mbrojtur muralin e një krimineli të dënuar lufte, i cili është drejtpërdrejt përgjegjës për krimet, masive, vrasje dhe gjenocid”, thotë Jelica Miniq.

Ajo tha se kjo konfirmon rënien e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore të njeriut në Serbi, pikërisht për të cilën ata i referohen.

Sipas saj, Serbia tashmë ka hyrë thellë në ujëra të rrezikshëm. / KultPlus.com

“Shtëpia me Gjethe”, dëshmia e një kohe që nuk duhet të përsëritet

Vlerësimi i Jurisë së Çmimit të Muzeut Evropian të Vitit, mbërriti sot në Tiranë, për Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”.

Vlerësimi është nënshkruar nga kryetarja e Forumit Europian të Muzeve, Jette Sandahl dhe nga kryetari i Jurisë për vitin 2020, Marc O’Neil.

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” u vlerësua në nëntor të vitit të shkuar nga Këshilli i Evropës si “Muzeu më i mirë 2020”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, u shpreh se “si dëshmia e një kohe që nuk duhet të përsëritet, si një leksion për të rinjtë dhe një reflektim për të ardhmen, Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” u vlerësua si “Muzeu më i mirë 2020”, një çmim i Këshillit të Evropës.

Motivacioni për “Fituesin e Çmimit të Muzeut 2020 të Këshillit të Evropës” është: Juria e Çmimit të Muzeut Evropian të Vitit shpreh vleresimin më të lartë për arritjet e jashtëzakonshme të Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, Tiranë, Shqipëri. Ky muze i veçantë përcjell realitetin sesa lehtë njerëzit mund të kompromentohen dhe të detyrohen të bashkëpunojnë. Ai bën një deklaratë të fuqishme mbi natyrën e qytetarisë aktive në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe rëndësinë e zbatimit të ligjit dhe të institucioneve transparente. / KultPlus.com