Kryeministri Albin Kurti sot është takuar me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Ai ka thënë se ka ripohuar përkushtimin e Kosovës ndaj Këshillit të Evropës.
“Duke siguruar sundimin e ligjit dhe të drejta të fuqishme për komunitetet joshumicë. Duke e dëshmuar këtë, vitin e ardhshëm ministria përgjegjëse për komunitetet joshumicë do të ketë rritjen e dytë më të madhe buxhetore nga çdo ministri”, ka thënë Kurti./Klankosova.tv/KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Dora Bakoyannis, raportuese për Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Presidentja Osmani e ka cilësuar jo vetëm prioritet i Republikës së Kosovës, por edhe domosdoshmëri për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje për vizitën e raportueses Bakoyannis për përgatitjen e opinionit, i cili do ta shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke shfaqur besimin për një proces të drejtë dhe të bazuar në merita.
Sipas Presidentes Osmani, Kosova ka inkorporuar Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe dokumente të tjera ndërkombëtare në Kushtetutën e saj, duke siguruar të drejtat e të gjithë qytetarëve, përfshirë komunitetet joshumicë, sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike, siç është dëshmuar edhe nga vlerësimi i disa organizatave ndërkombëtare.
“Kosova është e përkushtuar që t`i përmbushë të gjitha standardet e Këshillit të Evropës për anëtarësim. Kushtetuta e Kosovës veçse ka përfshirë konventat kyçe të Këshillit të Evropës duke i bërë ato të zbatueshme në Kosovë. Në këtë frymë, Kosova është e përkushtuar fuqimisht ndaj vlerave evropiane, duke përfshirë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani në takim me raportuesen Bakoyannis ka nënvizuar se Kosova pret që debati dhe votimi i Opinionit për aplikimin e Kosovës të bëhet sa më parë në mënyrë që të procedohet edhe me votimin formal për anëtarësimin e saj nga Komiteti i Ministrave.
“Vitin e ardhshëm, Këshilli i Evropës do të shënojë 75 vjetorin e themelimit të tij. Kështu, do të ishte shumë simbolike që vetë Këshilli i Evropës, si organizata kryesore e të drejtave të njeriut në kontinentin tonë, të hapte derën për një vend demokratik, që aspiron t’i bashkohet familjes së vlerave”, ka thënë ndër të tjera Presidentja Osmani.
Në këtë takim, Presidentja Osmani e ka njoftuar raportuesen Bakoyannis edhe lidhur me sfidat aktuale me të cilat po përballet Republika e Kosovës, si dhe për aktin e agresionit të kryer nga ana e Serbisë me datën 24 shtator. / KultPlus.com
Kosova ka marrë edhe mbështetjen e Finlandës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, përcjell KultPlus.
Përmes një postimi në “Twitter”, Sekretarja e Shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Finland, Johanna Sumuvuori, është deklaruar pas takimi që ka zhvilluar me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti.
Sumuvouri ka thënë se Finlanda e përkrahë plotësisht Kosovën në rrugën e saj evropiane.
“Diskutime të shkëlqyeshme me zëvendësministrin e Kosovës në çështje të ndryshme, përfshirë vendimin e Kosovës për të aplikuar në Këshillin e Evropës. Finlanda përkrahë plotësisht përpjekjet e Kosovës në rrugën e saj evropiane”, ka shkruar ajo.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, derisa shtetit më të ri në kontinentin e vjetër i duhen 2/3 e votave të vendeve anëtare.
Optimizmi është shtuar pas largimit të Rusisë nga kjo organizatë, të cilët kanë qenë kundër anëtarësimit të Kosovës.
Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti, i cili gjendet në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar në Këshillin e Atlantiku, se nëse ju intereson paqja, përjashtojeni Rusinë dhe futeni Kosovën në KE.
Gjermania, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbështetur këtë aplikim të Kosovës, ndërkaq Franca është shprehur skeptike. /KultPlus.com
Numri më i madh i rasteve të maltretimeve dhe frikësimit të gazetarëve gjatë vitit 2021 dhe fillimit të vitit 2022 u regjistrua në Poloni, Rusi, Serbi, Slloveni dhe Britani, sipas raportit të Këshillit të Evropës “Mbrojtja e lirisë së shtypit në kohë tensionesh dhe konfliktesh”, botuar më 27 prill.
Raporti i 15 organizatave të medias, partnerë të Këshillit të Evropës, tregoi se përqindja e kërcënimeve ndaj lirive të medias u rrit në mënyrë dramatike në vitin 2021 dhe se po këtë vit u regjistruan 41 për qind më shumë kërcënime serioze ndaj lirisë së medias sesa në vitin 2020.
“Shumica e kërcënimeve ndaj gazetarëve ishin të përqendruara ndaj jetës, shëndetit dhe integritetit fizik të tyre. Numri më i madh i këtyre kërcënimeve është bërë nga persona të panjohur, në komunikim me shkrim dhe online, ndërsa si trend i ri janë vërejtur edhe kërcënimet përmes telefonit. Në këtë kuptim, dallohen Rusia, Serbia, Qiproja dhe Bullgaria”, thuhet në raport.
Theksohet se në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka pasur raste kur zyrtarë shtetërorë kanë sulmuar edhe gazetarë të mediave kombëtare dhe sulmet kanë qenë veçanërisht të theksuara në mitingje dhe protesta.
“Siguria e stafit të medias në këto ngjarje ishte aq e rrezikuar sa në disa raste organizatat e medias dhe stafi i tyre ndaluan së shfaquri logon e tyre gjatë raportimit nga terreni”, thuhet në raport.
Theksohet se ka pasur kërcënime me vdekje ndaj gazetarëve, veçanërisht në Francë, Rusi, Spanjë, Holandë dhe Serbi.
Ndërkaq, në këtë raport përmendet edhe Kosova, pavarësisht se nuk është pjesë e Këshillit të Evropës.
Sipas raportit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës më 2021 ka regjistruar 29 raste të kërcënimeve dhe shkeljeve të tjera të lirisë së shtypit.
“Këto raste përfshijnë sulmet fizike, kërcënime ligjore të iniciuara nga prokurorët dhe fushatat e shpifjeve”, thuhet në raport.
Këshilli i Evropës përmend edhe votimin në Kuvendin e Kosovës më 6 dhjetor të vitit 2021 për të miratuar bordin e ri për transmetuesin publik Radion Televizionin e Kosovës.
“Procesi i rekrutimit dhe përbërja janë lavdëruar si brenda vendit ashtu edhe nga ndërkombëtarët”, thuhet në raport.
Raporti i Këshillit të Evropës vë në dukje se ka pasur edhe zhvillime pozitive dhe se disa vende që miratuan plane që synojnë përmirësimin e sigurisë së gazetarëve në përputhje me planet e veprimit britanik, holandez dhe suedez për sigurinë e gazetarëve, duke përfshirë Serbinë, e cila thuhet se në këtë drejtim ishte gjysmë e suksesshme.
Në tekstin e raportit thuhet se Qeveria e Serbisë krijoi një grup pune për sigurinë dhe mbrojtjen e gazetarëve, në dhjetor 2020, por se në mars të vitit 2021 pesë shoqata të gazetarëve dhe mediave u tërhoqën nga ai grup, duke përmendur “mungesën e besimit në institucione dhe fushatën e orkestruar të shpifjeve dhe kërcënimeve ndaj grupit drejtues të gazetarëve hulumtues KRIK”.
Theksohet se në Serbi “paditë SLAPP [padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike] janë taktikë e zakonshme kundër mediave të pavarura në dhe në shënjestër është veçanërisht rrjeti kërkimor jofitimprurës për krimin dhe korrupsionin – KRIK”.
“Zakonisht, prokurorët i kërkojnë gjykatës që të detyrojë gazetarët dhe mediat të heqin publikimet, të kërkojnë falje, të publikojnë korrigjimin dhe të angazhohen që të mos raportojnë për një temë të caktuar në të ardhmen”, thuhet në raport. /REL/ KultPlus.com
Federata Ruse sot është përjashtuar nga Këshilli i Evropës, sipas një procedure që nisi me 25 shkurt, vetëm një ditë pasi filloi pushtimi i Ukrainës me ndërhyrje ushtarake.
Ish-kryeministri suedez, Carl Bildt, në hapësirën e tij virtuale në Twitter, ka publikuar fotografinë nga momentet kur është hequr flamuri rus nga mesi i flamujve të shteteve anëtare të KE-së.
“Flamuri rus u hoq në Strasburg. Një epokë shprese në Evropë mori fund edhe zyrtarisht”, ka shkruar ai në mbishkrimin e fotografisë. / KultPlus.com
The flag of 🇷🇺 is taken down outside @coe in Strasbourg. An era of hope in Europe has come to its even formal end. pic.twitter.com/H2sYLEVJKv